Shqipëria, ndër vendet e para në Europë, më të varura nga emigrantët

Emigracioni Kryesore

Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë që kanë varësi të lartë nga të ardhurat nga emigracioni, ndonëse pesha e tyre po vjen në ulje, sipas një studimi të IFAD (International Fund for Agricultural Development), të titulluar “Të dërgosh para në shtëpi”.

Ky është studimi i parë i këtij lloji, që mat tendencën 10-vjeçare të migracionit global dhe fluksit të remitancave përgjatë periudhës 2007-2016.

Sipas raportit, vendet e Europës në zhvillim varen dukshëm nga remitancat, të kryesuara nga Moldavia, (24% e PBB-së), ndërsa flukset janë më të ulëta në shtete të tjera, si Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, ku prurjet e emigrantëve që përfaqësojnë nga 9% në 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vitin 2007, Shqipëria renditej e katërta nga pesë shtetet më të varura nga emigracioni, por me kalimin e viteve, rëndësia e tyre duket të ketë rënë dhe Shqipëria ka zbritur në vend të gjashtë, pas Moldavisë, Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Sipas të dhënave të IFAD, në Shqipëri, të ardhurat nga emigrantët ishin 1 miliard dollarë (shifër që është shumë më e lartë se ajo që raporton Banka e Shqipërisë, sipas të cilës prurjet në 2016-n ishin 615 mln euro-shënim i Monitor), ose 9.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në krahasim me vitin 2007, paratë që emigrantët shqiptarë dërgojnë në Shqipëri kanë rënë me rreth 27%.

Raporti thekson se paratë që migrantët dërgojnë në familjet e tyre në vendet në zhvillim janë rritur me 51% në dekadën e fundit. Kjo rritje ka ardhur në pjesën më të madhe nga Azia, që ka dëshmuar një zgjerim prej 87% të remitancave.

Më shumë se 200 milionë punonjës migrantë vlerësohet se po mbështesin 800 milionë anëtarë familjesh globalisht. Parashikohet që në vitin 2017, një në shtatë persona në botë do të përfshihen në dërgimin ose marrjen e më shumë se 450 miliardë dollarë remitanca. Flukset e migracionit dhe paratë që emigrantët dërgojnë në shtëpi kanë një ndikim të lartë në ekonominë globale dhe mjedisin politik.