Si mundet, të humbasin idealet !?

1039

 

kosturi 55jpg

Zoti Kosturi, ju jeni autor i më shumë se dhjetë librave, me refleksione, analiza, tregime, romane, etj, në të cilat përcillni, përveç të tjerave, një element të qëndrueshëm, madje që vjen në ngritje nga njëri libër tek tjetri: frymën e polemikës. Diçka më shumë rreth kësaj…

Astrit Kosturi: Letërsia për mua si çdo gjë në jetë është mision. Shkrimtari nuk shkruan ngaqë nuk ka se me çfarë ta mbush kohën, por duke sakrifikuar nga koha tjetër e tij për hir të këtij misioni. Duke qenë mision, ajo duhet të prek plagët e kohës. Duke prekur këto plagë, ajo zgjon dhimbje dhe rebelim së pari tek autori i saj, pastaj tek lexuesi. Është një reaksion zinxhir, që nxit ndjenjat më fisnike njerëzore, së pari reagimin ndaj të keqes sonë kolektive, që na ka kapur për sysh dhe nuk na lë të shohim përtej botës dhe nevojave tona të ngushta. Letërsia shkon përtej këtyre nevojave, duke i përfshirë dhe ato brenda, ajo na nxit ndjenjën e reflektimit ndaj dukurive të negativitetit dhe atë të rebelimit ndaj shkaktarëve të këtij negativiteti. Nuk di sa ia ka arritur ajo që unë shkruaj këtij misioni, por unë me librat që shkruaj drejt kësaj synoj, të ndez një radar në shpirtin e lexuesit, për të parë përtej ekzistencës së tij të çastit.

Çfarë ka përtej kësaj ekzistence, ku ju e joshni lexuesin që të shkojë?

Astrit Kosturi: Ka ëndrra, iluzione, përpjekje për të dalë nga gracka e një përditshmërie të sëmurë, për të vështruar drejt të ardhmes. Ka përpjekje për një atdhe më të mirë, për një shoqëri më të mirë, për një botë më të mirë. Ka një abstragim metafizik për të kuptuar të vërtetat që na rrethojnë, sidomos të vërtetat e hidhura, të cilat duhet t’i ndryshojmë e të bëjmë që koha të punojë për ne, në favor të ëndrrave tona. E gjithë kjo është një përfytyrim që bashkëshoqëron leximin e librave të mi, të paktën ky ka qenë qëllimi im, pavarësisht se sa ia kam arritur.

Libri “Një zë që vëngon” është libri juaj i fundit, një publiçistikë moderne dhe mbresëlënëse, për fatin e njeriut shqiptar të mbetur në udhëkryqin e përditshmërisë, ku dhe mesazhet vijnë nga një zhbirim i fortë i jetës shqiptare. Cili është mesazhi i shkrimtarit, me pak fjalë?

Astrit Kosturi: Njerezit jane te ndryshem, dhe kjo e ben mozaikun njerezor, por edhe librin njëkohësisht, edhe më të bukur dhe më interesant…! Mes njerezve ka dhe të tillë, që vuajnë per shkak të miresisë e humanizmit që bejne në Jeten e tyre, per shkak se behen miq me te verteten dhe te Drejtën e të dobëtit…! Dhe, kjo perkrahje që i jep të Drejtes, nje dite të behet “bumerang” e vuajtje, si te ishte vetë e verteta, kundershtarja e Njeriut, por me gjithatë ndjehesh i lumtur teksa lufton e mëson se si duhet luftuar!… “Nje zë që vëngon”, është në fakt përmbledhja e sistemimi i disa shkrimeve publiçistike, të periudhës 2003 – 2013. Pavaresisht, se sa njerez e kane degjuar kete zë, pavaresisht paragjykimeve dhe nënqeshjeve, pavaresisht xhelozëve dhe atyre qe njohin vetem pak veten e tyre dhe asgje pertej e më larg se hunda e tyre, sot kam me qindra e ndoshta mijëra miq idealistë, që kanë mbi të gjitha, interesat e larta njerezore…! Mendoj se letërsia dhe arti kanë nevojë për mesazhe të tilla të fuqishme, jo për rekuizita sipërfaqësore. Një frymë e fortë polemizuese dhe nisja e debatit politik nga shoqëria shqiptare, është e nevojshme për ta shkundur letërsinë, si të gjitha sferat e jetës sonë shpirtërore nga luksi i apatisë dhe limontisë. Nga përplasja e mendimeve, ideve, mesazheve etj. lind reflektimi, katharsisi dhe emancipimi i individit dhe shoqërisë. Fryma polimezuese e asaj që unë shkruaj, siç konstatuat ju me të drejtë pak më sipër, nuk bëhet për të tërhequr vëmendjen ndaj autorit, por ndaj plagëve të shoqërisë, për të luftuar së bashku që t’i shërojmë ato.

Në librin “Shuplaka e fatit” (publigrafi) ju ngrini pyetje ekzistenciale: “Kush jemi? Nga vijmë? Ku shkojmë?” dhe ndërtoni një metaforë të raporteve të përmbysura të vlerave në shoqërinë shqiptare. Diçka më shumë rreth kësaj.

Astrit Kosturi: “Shuplaka e fatit” është një nga librat e mi më të mirë dhe për të cilin kam pasur më shumë se për cilindo libër mesazhe nga lexues të shtresave e niveleve të ndryshme kulturore. Këtu unë jap mekanizmin se si mashtrimi në shoqërinë tonë të ndarë në parcela partiake është ngritur në sistem, se si elita intelektuale ka ngrirë përballë farsës groteske të administratës politike, se si çdo ditë rrënohet fati i njeriut të thjeshtë nga keqmenaxhimi i pushteteve në të gjitha hallkat dhe nivelet.

Pra, ju jeni për letërsinë e angazhuar, që shkrimtari të jetë aktiv në denoncimin e së keqes dhe ndërtimin e sistemit të vlerave?

Astrit Kosturi: A nuk ishin të tillë aktivë dhe plotësisht të angazhuar me fatet e kombit rilindasit tanë? A nuk është letërsia e Rilindjes sonë kombëtare epoka më e ndritur dhe më mbresëlënëse e letrave shqipe? Po, unë mendoj se shkrimtari dhe letërsia duhet të jenë të angazhuara, të jenë në ballë të epokës. Gjithë ky regres shpirtëror që ka pësuar shoqëria shqiptare në këto njëzet vjet tranzicion, ka ndodhur dhe për faj të shkrimtarëve, të intelektualëve, të elitës kombëtare që nuk kanë qenë në ballë të aksionit për progres të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare.

Ju jeni një shkrimtar i angazhuar, por siç duket kjo nuk ju mjafton për të ndikuar në përmirësimin e gjërave në këtë vend, prandaj kaluat në politikë. Ku kërkoni të arrini në politikë?

Astrit Kosturi: Letërsia është një mundësi që i ofrohet shkrimtarit për të bërë luftën e tij të radhës për drejtësi dhe progres por kjo nuk mjafton. Politika është e lidhur drejtpërsëdrejti me fatet e njeriut dhe të kohës së tij. Për fat të keq, politika jonë, në vend që të ndikojë në frenimin e këtij regresi të rëndë shpirtëror, këtij kolapsi moral e degradimi social, iu ka paraprirë atyre, për interesat e saj dritëshkurtëra. Në fakt, arsyeja më madhore që unë kam tentuar dhe tentoj të hyjë fuqishëm në politikë, është dhimbja që kam për shkatërrimin e shpirtit njerëzor në këtë epokë shfryrjesh instinktive, ku e keqja brenda nesh ka dalë në sipërfaqe dhe ka vërshuar jashtë, në jetën sociale, ekonomike, politike të vendit tonë. Ne kaluam nga superkolektivizmi gjigant që hoqi shpirtin e garës dhe të konkurrencës, në superprivatizmin me kritere politike, që ka vrarë dhe vret çdo ditë shtresat e zbuluara dhe në nevojë të shoqërisë. Nuk mund të ketë mbrojtje sociale të këtyre shtresave pa pronë të grupit, pa pronë publike, të cilat jo vetëm mungojnë por anatemohen sikur të ishin vetë djalli në këtë vend. Rreth këtij programi janë bashkuar mjaftë njerëz të pastër e dinjitozë, të cilët janë pjesë e formacionit politik, Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH). Këto ide dhe ideale të larta të shoqërisë njerëzore kanë afruar rreth vetes edhe disa subjekte të majta e indiovidë progresistë, siç dhe ka ndodhur deri tani, duke formuar së bashku formacionin politiko – shoqëror, “Fronti i Majtë Shqiptar”, që kemi besim se do të gjejë mbështetje të gjërë popullore në përballje me skllavërinë shoqërore.

Astriti ne focus news

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: