Skandal, kroçera gjigande i kthen kurrizin detit të Sarandës, qeveria hesht !

Foto e Ditës Kryesore Opinion

Pas shpërthimit të ujërave të zeza që ndotën Ksamilin dhe detin e tij e që llahtarisën të madh e të vogël, duke shkaktuar një largim masiv të turistëve të huaj që kishin zgjedhur bregdetin e kristaltë, “MSC Poesia”, një kroçere gjigande për nga kapaciteti i pasagjerëve, zgjodhi dje t’i afrohet bregdetit të Sarandës, jo për të zbritur turistët në tokën tonë, por për të derdhur tonelata ujërash të zeza në brigjet e Sarandës, në mes të ditës.

Një krim mjedisor që mund të ndodhë vetëm në vende të dorës së fundit, pa shtet, pa kontroll, pa ndërgjegje, të korruptuara dhe të inkriminuara. Ky është një skandal i pashembullt ditën për diell! Ndërsa në shumë vende të tjera të botës që kanë vijë bregdetare, turizmi i kroçerave është biznes fitimprurës për qeveritë dhe bizneset vendore, për Shqipërinë ato janë vetëm fatkeqësi për mjedisin dhe ekonominë e saj.

Gjithë vendet, përfshirë ata shumë më pak të bekuar nga Zoti për pasuritë natyrore e ruajnë natyrën si sytë e ballit. Shteti ynë i falimentuar nuk ka asnjë kontroll as mbi kufijtë dhe as mbi hapësirën tonë detare! Asnjë reagim nuk ka nga qeveria për këtë krim mjedisor për natyrën tonë të mrekullueshme e fatkeqe dhe për këtë krim ekonomik për turizmin tonë! 
ZGJIDHJA i kërkon qeverisë të njoftojë publikisht shkaqet e kësaj situate dhe masat e marra. Rasti në fjalë nuk është as i pari dhe as i fundit, sepse çdo kush mund të derdhë në detin e Shqipërisë ujërat e zeza, apo vajrat helmues të anijeve që futen pa kontroll në ujërat territoriale të Shqipërisë. 
ZGJIDHJA denoncon kryeministrin me tumane dhe atlete që e ka lënë të digjet në zjarr gjithë Shqipërinë dhe po e mbulon me fekale gjithë bregdetin e Jonit. 
ZGJIDHJA ka paralajmëruar publikun shqiptar se plani i kryeministrit është që ta kthejë Shqipërinë në koshin e plehrave të Europës dhe të botës. Me këtë rast presim një përgjigje nga kryeministri:

Kush i ka dhënë leje kësaj kroçere të shkarkojë ujërat e qelbura në brigjet tona?

Pse lejohen të hyjnë në ujërat teritoriale të Shqipërisë kroçerat e huaja që nuk kanë destinacion të akomodohen në portet tona?

Pse e keni katandisur Shqipërinë në këtë situatë dhe në një vend pa Zot? 

ZGJIDHJA për SHQIPËRINË