Skandali në qeveri. Nikolla i fal Çilit 2.7 milionë euro

Aktualitet Korrupsion

 

nikolla e vogelHije skandali dhe qokë komprometuese në qeveri. Protagoniste është ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, por gjithçka nuk mund të ketë ndodhur edhe pa miratimin e kryeministrit. Ministrja e Arsimit ka vendosur t’i falë 2.7 milionë euro Henri Çilit, duke i miratuar 360 doktoratura, jashtë standardeve shtetërore të cilësisë dhe kritereve bazë. Naim Çili nga Labinoti mbas zgjedhjeve e ndryshoi menjëherë pllakën. Dhe frytet nuk kanë vonuar. Atëherë kur pritej mbyllja e megakioskës arsimore, e cila nuk plotëson shumë kritere, Ministria e Arsimit, befas e ka shëndrruar UET e Henri Çilit në universitet që ofron studimet e doktoraturës. Atëherë kur pritej zbatimi i ligjit për shlyerjen 1.2 milionë eurove borxh (qytetarët e thjeshtë po futen në burg për 30 mijë lekë të vjetra), ndodh e kundërta. Çfarë ka ndodhur?

Vetëm disa ditë më parë, Ministria e Arsimit miratoi vendimin e Agjencisë së Akreditimit, për akreditimin e ciklit të tretë të doktoraturave të UET. Me këtë vendim, universiteti i Henri Çilit, që i shpëtoi me dinakëri aksionit të shkrirjes së kioskave arsimore, ka të drejtë të pajisë me diploma të nivelit të tretë 360 doktorantë. Një doktorant do të paguajë 7 500 euro për doktoraturën. Çdo doktorant, sipas tarifave të Naimit, paguan 2 500 euro në vit, ndërsa ky proces zgjat minimalisht në tre vjet. Vendimi i paligjshëm Vendimi është i paligjshëm. Sipas ligjit, një profesor doktor mund të udhëheqë deri në pesë doktorantë. Me këtë raport i bie, që UET të ketë të atashuar 72 profesorë doktorë. Dhe vendimi, pikësëpari, duke të bazohet në këtë raport. Pyetja lind natyrshëm: A e plotëson UET këtë kusht, këtë kriter?

UET ka të atashuar vetëm 10 profesorë doktorë.

Mjafton vetëm ky kusht, vetëm ky kriter, që vendimi të konsiderohet i paligjshëm dhe klientelist. Ndërkaq, UET nuk plotëson as kriterin për pedagogë të huaj. Rregulloja kërkon përfshirjen e profesorëve nga universitete të huaja si udhëheqës shkencorë.

Program i ciklit të tretë i paligjshëm

Programet e ciklit të tretë të studimeve, pra të studimeve të doktoraturës në UET, janë miratuar po me një urdhër të paligjshëm dhe abuziv. Bëhet fjalë për urdhrin Nr. 503, datë 07.10.2011 të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës. Por, skandali me favorizimin dhe fryrjen e piramidës arsimore UET ka marrë dhe po merr përmasa të tjera. Qeveria e re e përjashtoi UET nga shkrija e kërpudhave universitare, duke e kthyer në një mega kioskë të universiteteve shqiptare si dhe duke favorizuar sa i takon borxheve. Studimet e doktoratës Studimet e doktoratës në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri, bazuar në Strategjinë Kombëtare të Arsimit të Lartë dhe në Procesin e Bolonjës janë programe studimi të ciklit të tretë. Ato ndërtohen si programe individuale për aftësim në kërkim shkencor të pavarur. Programet e studimit të doktoratës realizojnë formimin e doktorantëve, duke u dhënë atyre një kulturë ndërdisiplinore në kuadër të një projekti shkencor koherent, që ka për qëllim përgatitjen e tyre shkencore dhe profesionale përmes punës kërkimore shkencore. Programet e studimeve të doktoratës akreditohen për një periudhë kohe deri në 6 vjet, duke iu referuar standardeve dhe kritereve të bëra publike dhe të aplikuara në çdo program studimi doktorate. Vlerësimi i programeve të studimeve të doktoratës merr parasysh vetëvlerësimin e programit të kryer nga universitetet përkatëse.

Rregullorja, disa nga kriteret për studimet e doktoraturës

1. Udhëheqësi shkencor, i punësuar me kohë të plotë, udhëheq njëkohësisht jo më shumë se pesë doktorantë.

2. Udhëheqësi shkencor i studentit, në një program studimi të doktoratës, duhet të ketë, së paku, gradën shkencore “Doktor”, të fituar në universitete perëndimore.

3. Numri dhe niveli i kërkuesve të angazhuar në këtë program përbën një garanci për realizimin e programit (60% e tyre duhet të jenë personel akademik i brendshëm, i angazhuar në kërkim dhe me tituj akademikë: “Profesor”, “Profesor i Asociuar” ose gradë shkencore “Doktor” apo “PHD” të fituar në universitete të njohura në botë për cilësi dhe veprimtari të pasur kërkimore dhe botuese në fushën përkatëse.

4. Kursi teorik i doktoratës vlerësohet me një provim të përgjithshëm teorik, në fushën përkatëse të studimeve, të organizuar nga dekanati dhe Këshilli i Profesorëve me një komision të përbërë nga 5 (pesë) Profesorë.

5. Është e rekomandueshme, që një anëtar i jurisë së provimit të doktoratës të jetë nga universitete të njohura në botë, për cilësi dhe veprimtari të pasur kërkimore dhe botuese në fushën përkatëse, i cili ka së paku gradën shkencore “Doktor” të fituar në fushën shkencore në të cilën vazhdon studimet doktoranti.

6. Diploma për gradën shkencore “Doktor” nuk lëshohet pa u regjistruar më parë në Regjistrin Kombëtar të Doktoratave të Komisioni të Vlerësimit të Titujve Akademikë (KVTA) në MASH

7. Buxheti financiar i programit të studimeve të doktoratës është i mjaftueshëm për të arritur objektivat kërkimorë për çdo doktorant.

8. Numri, i shprehur në përqindje, i doktorantëve të regjistruar që vijnë nga vendet e BE;

9. Numri, i shprehur në përqindje, i doktorantëve të regjistruar që vijnë nga vende të tjera të botës;

10. Institucioni ka marrëveshje, së paku me një universitet perëndimor, që garanton programe të shkëmbimit të personelit akademik dhe të studentëve të doktoratës.

11. Programi i studimeve të doktoratës nxit përfshirjen e profesorëve nga universitete të huaja si udhëheqës shkencorë.

12. Këshilli i Profesorëve përcakton dy ose tre oponentë, një prej të cilëve është nga jashtë institucionit. Oponentët janë edhe anëtarë të jurisë për vlerësimin e disertacionit. Ata kanë titujt akademikë të kërkuar dhe një veprimtari kërkimore e botuese të pasur, brenda e jashtë vendit, në fushën përkatëse të studimeve në të cilën ofrohet edhe programi i studimeve të doktoratës;

Adriatik Doçi