Të mos harrojmë mësimet e Rilindasve !

Kryesore Opinion

Prof. Fane S. TARIFA  /   Mbështetur në ato sakrifica sublime, në atë devotshmeri të lartë në ato përpjekje vigane, në atë përkushtim total të rilindasve ndaj nocionit të Shqiptarizmës, dua të theksoj diçka për ata që i mëshojnë aq shumë ideve fetare :

Pa mohuar rolin dhe lirinë e ndërgjegjes, e cila është individuale dhe e lirë, dua të theksoj se rilindasit tanë shpreheshin:

Dhe mos shikjoni kisha e xhamia,

feja e shqiptarit asht shqiptaria !

geg’e tosk malci allia

jan’ nji komb m’u da s’duron,

fund e maj nji asht Shqipnia ,

e nji gjuh t’gjith na bashkon!

Janë disa persona që flasin për Shqipëri katolike, myslimane ortodokse a bektashiane , ose edhe me terma të tilla si një komb një religjionn etj. Në asnjë vend dhe në asnjë rrethane tiparet e asnjë kombi nuk janë përcaktuar nga besimet fetare. Besimet fetare mund të kenë qenë mozaik të kulturës së njerit apo tjetrit komb, por asnjëherë esenca e formëzimit të tyre dhe as qenësia e tyre themelore. Njerëzit në kuadrin e njerit apo tjetrit komb marrin, përvetësojnë apo ndjekin edhe në mënyrë spontane njerin apo tjetrin besim. Eshtë e drejta e tyre të kenë çfardo lloj besimi në ndërgjegjen e vet, por s’besoj se kanë të drejtë që pikëpamjet e tyre t’i vendosin përmbi interesat kombëtare, dhe as ta përgjithësojnë besimin e vet duke ja mveshur atë gjithë Shqipërisë.

Me lejen tuaj zotërinj kushdo qofshi ju. Më të matur në interpretimet dhe përgjithësimet tuaja.Të mos harrojme se armiqte e kombit tonë për të na përçarë,ndarë e sunduar kanë përdorur pa hezitim të gjitha mjetet e mundëshme e ndër ‘to edhe fenë prandaj:

Qoft mallkue kush qet ngatrrime

ndër kta vllazën shoq me shoq,

kush e ndan me fjal e shkrime ,

çfar natyra vet përpoq !

 

Askush dhe për asnjë arsye s’mund të fyeje dhe as të cënojë pikëpamjet t’uaja dhe as t’i preke ato sadopak !

Por edhe ju s’besoj se keni te drejten legjitime qe idete dhe praktikat t’uaja ti quani mbarëshqiptare, sepse e dini mirë zotërinj se besimi dhe ndërgjegja janë vetëm e vetëm individuale. S’është për t’u habitur dhe është edhe risi e veçantë e kombit tonë që midis besimeve të ndryshme ka patur një mirkuptim dhe bashkëjetesë të tillë që mund të konsiderohet edhe si harmoni fetare.

Ne respekt të çdo besimi unë mbi çdo besim vendos SHQIPTARIZMEN !