Azem Parllaku / Analiza e pikëpamjeve të qeverive apo studiuesve të ndryshëm mbi këtë temë, tregon se nuk ka përputhje mendimi se ç’ështe terrorizmi. Gjithësesi, duket se ekziston njëfarë bashkëpajtimi në lidhje me disa përbërës siç është natyra e aktit (akt i paligjshëm), me autorët e tij (individë, grupe, apo shtete), qëllimet e tij (politike, ekonomike, shoqërore), motivimet dhe përfundimet e synuara nëpërmjet tij (ngjallja e frikës, apo e ligështimit), objektivat (viktimat) si dhe metodat (goditja, pengmarrja).
Mbi bazën e elementeve të mësipërme terrorizmi mund të përkufizohet si:
Përdorim i llogaritur i dhunës, ose i kanosjes për përdorim të saj, nga individë, grupeve të segmenteve të një vendi, ose veprimtarë shtetërorë, për arritjen e objektivave politikë, shoqërorë e ekonomik, në kundërshtim me ligjin.
Këto akte kanë për qëllim të krijojnë frikë masive në një zonë të vënë në shënjestër, që është shumë më e gjërë, se ajo ku u sulmuan, apo u kërcënuan viktimat.
Këto akte kane dy shënjestra, popullsinë ose dikasteret e rëndësishme të një shteti.
Shkaqet e terrorizmit janë politike, për destabilizimin e një shoqërie por edhe për hakmarrje. Qëllime të ndryshme kanë çuar në themelimin e organizatave të ndryshme të cilat më pas nëpërmjet mesazheve të tyre me karakter politik ose fetar ngjallin frikë dhe panik në radhët e popullsisë.
Shumë ide politike janë instrumentalizuar nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre. Si rrjedhojë grupe terroriste eksitojnë në çdo ideologji.
Terrorizmi rezulton në të mbledhurit e frikës brenda njerëzve, nëpërmjet mënyrave të dhunës. Ai është të përdorurit e mjeteve internacionale dhe të organizuara që natyrisht të shkaktojnë frikë për tu arritur qëllime të veçanta, është akt i tmerrshëm barbarist.
Terrorizmi është një akt që ju kundërvihet rregullave të shoqërisë, dhe thyen nderin e njeriut.
“Terrorizmi” vjen nga fjala franceze terrorisme, dhe në fillim i referohej në mënyrë specifike terrorizmit shtetëror siç u praktikua nga qeveria franceze gjatë Mbretërimit të Terrorit 1793-1794.
Fjala franceze terrorisme nga ana e saj rrjedh nga folja latine terreō që do të thotë “frikësoj”.
Terror cimbricus ishte një panik dhe gjendja e jashtëzakonshme në Romë në përgjigje të afrimit së luftëtarëve të fisit Cimbri në 105 para Krishtit.
Jakobinët e përdorën këtë precedent, kur vendosën një regjim terrori gjatë Revolucionit Francez. Pas humbjes së pushtetit nga Jakobinët, fjala “terrorist” u bë një term i abuzimit. Edhe pse “terrorizmi” fillimisht i referohej akteve kryer nga një qeveri, aktualisht ajo zakonisht i referohet vrasjes së njerëzve të pafajshëm për qëllime politike në mënyrë të tillë që të krijojë një spektakël mediatik.
Ky kuptim të çon shumë kohë përpara tek Sergej Nechayev, i cili e përshkronte veten si një “terrorist”. Nechayev themeloi grupin terrorist “Hakmarrja e Popullit” rusisht në vitin 1869.
Në nëntor 2004, një raport i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara e përshkronte terrorizmin si çdo akt “që ka për qëllim të shkaktojë vdekje ose lëndime të rënda trupore ndaj civilëve apo jo luftëtarëve me qëllim të frikësimit të popullatës apo për ti imponuar një qeverie apo një organizate ndërkombëtare për të bërë ose për të mos bërë ndonjë akt”.
Nëse i analizon këto definicione, dhe nëse i studion shkallët e tyre të specifikimit, dhe shkallët në të cilat mbështetën për ta deklaruar një akt se a është terrorizëm, do të vish në përfundim se të gjitha këto përshkrime dështojnë që ta sqarojnë në mënyrë kategorike konceptin e terrorizmit. Këto definime ose janë shumë të gjëra ose janë shumë precize, apo jo mjaft të gjëra apo jo mjaft precize, dhe dallimet në definimin e terrorizmit vien nga pikpamje të ndryshme, interesa dhe ideologji të ndryshme që ekzistojnë në shtete të ndryshme.
Secili shtet e sqaron terrorizmin në pajtueshmëri me politikën dhe interesat e veta, pa marrë parasysh se a përputhet definicioni me domethënien e saktë të terrorizmit apo se a e kundërshton atë. Për këtë arsye do të gjesh një akt të kryer nga një grup ose individ që përshkruhet si “akt terrorist” ndërsa në një rast do të gjesh një akt tjetër të ngjashëm, ndoshta edhe më barbarik që gjykohet nga të tjerët se nuk konsiderohet terrorizëm..