Totozani u bën thirrje të arratisurve nga burgu i Trikallas: Dorëzohuni!

Të arratisurit/ Ambasadori shqiptar në Athinë nuk interesohet për të burgosurit

 

igli-totozani

Avokati i Popullit, Igli Totozani, nëpërmjet medias u ka bërë dje thirrje për t’u dorëzuar shqiptarëve të arratisur nga burgu i Triakallas disa javë më parë.

Deklarata

Në një prononcim për mediat lidhur me ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me arratisjen e 8 shqiptarëve nga burgu i shtetit fqinj, Totozani tha se po e ndjek me shqetësim situatën e krijuar, ku deri tani tre prej të arratisurve janë vrarë gjatë aksioneve të policisë për t’i kapur. “Tre prej të arratisurve nga burgu i Trikallas kanë humbur jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit, po kështu kanë humbur jetën edhe një polic dhe një shtetase greke. Avokati i Popullit shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore. Bëj thirrje për shmangien e përdorimit të mëtejshëm të forcës. E drejta e jetës ka përparësi ndaj çdolloj mase. Vetëdorëzimi i shtetasve shqiptarë të arratisur nga burgu do të shmangë përdorimin e mëtejshëm të forcës, që të mos humben jetë të tjera”, u shpreh Totozani. Avokati i Popullit kërkoi bashkëpunimin e Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme dhe strukturave të saj në shtetin fqinj, në mënyrë që përmes negociatave të bëhet i mundur dorëzimi i të arratisurve, pas humbje jetësh të tjera.

Heshtja e shtetit shqiptar

Por duket se të burgosurit shqiptarë në Greqi janë në mëshirë të fatit, pasi janë braktisur nga shteti. Gazeta “Tirana Observer” ka mësuar ambasadori ynë në shtetin fqinj, Dashnor Dervishi, ka marrë pushimet dhe prej ditësh nuk ka asnjë lloj interesimi në lidhje me çështjen e shqiptarëve të arratisur nga burgu.

Vrasja e Marian Kolës

Pak ditë më parë policia greke vrau të arratisurin shqiptar Marian Kola i cili pas informacionit të policisë greke është përgjigjur me armë ndaj autoriteteve greke. Pala shqiptare nuk ka pasur asnjë komunikim për këtë ngjarje ndërsa është bërë rasti i radhës që shqiptarët humbasin jetën në Greqi dhe askush nuk merr përsipër mbrojtjen e tyre.