Ulja e taksave: 200 milionë euro, efekti minus në buxhet

943

berisha

Kryeministri: Do të vijojmë me heqjen e taksave, pavarësisht kostove të larta. Kryeministri pranon koston e lartë në buxhet nga ulja e taksave, por beson te prodhimi dhe investimet

Banka Botërore – Ksenya Lvovsky: Politikat e fundit fiskale do t’ia lehtësojnë më tej punën biznesit, por kam përshtypjen se kushdo qeveri që del pas zgjedhjeve të 23 qershorit, pak mundësi do të ketë për t’i ulur më tej ato

Eksperti – Adrian Civici: Nëse do t’i vendosim në një binom “ulje taksash–borxh publik”, mendoj se premtimet pa fund për ulje taksash shkojnë në efekt të kundërt me mundësinë e frenimit të borxhit publik, pa folur për shërbimin

Opozita – Mimi Kodheli: Mund të tingëllojë paradoksale ulja e taksave dhe ulja e borxhit, por nëse gjendet rruga e duhur, bëhet e realizueshme, si duke hequr “taksën e korrupsionit” dhe duke ulur disa shpenzime publike pa ndikim

ARD KOLA

Kryeministri Berisha vijon me fushatën e premtimeve për uljen e mëtejshme të taksave, pavarësisht kostove që mbartin për buxhetin e shtetit. Kreu i qeverisë pranon ekzistencën e faturës së lartë, por diferenca negative për arkën e shtetit do të kompensohet nga rritja e prodhimit dhe investimeve në vend. “Do të bëjmë gjithçka për rritjen e punësimit”, u shpreh dje Kryeministri. Sipas tij, fatura financiare nga reformat e fundit në paketën fiskale arrin në rreth 200 milionë euro, minus për buxhetin, për shkak të uljes dhe heqjes së kostos për disa taksa. Një muaj më parë, fatura e përmendur nga Berisha, po në mbledhje qeverie ishte 170 milionë euro.

Qeveria nuk e ka detajuar ende tabelën se nga krijohet kjo faturë, ose më saktë nuk e bën të ditur për opinionin publik. Sipas Ministrisë së Financave, të paktën nga çfarë deklaroi dy ditë më parë zv/ministri Alfred Rushaj, heqja e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve në sektorin e bujqësisë ka efekt negativ në planin e të ardhurave në masën e 30 milionë eurove.

Reforma

Pas heqjes së TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importuara, heqjen e taksave për tre vjet kush punëson të rinj, apo heqjen e tatimit 10 për qind mbi të ardhurat për pagat bruto deri në 30 mijë lekë (masa që janë miratuar në parim, por ende nuk kanë hyrë në fuqi), Berisha premtoi sërish dje se do t’i ulte akoma e më shumë kostot për biznesin, me qëllim rritjen e punësimit.

“Zotërinj ministra, do të kërkoj nga ju, nga agjencitë që varen prej jush, të shqyrtoni me përparësi absolute heqjen e çdo lloj barriere të pamerituar për bizneset. Ne kemi vendosur gjatë këtyre javëve për masa fiskale, të cilat e bëjnë Shqipërinë një vend unik dhe natyrisht këto masa kanë koston e tyre në buxhet, por ne kemi potenciale të mëdha të jashtëzakonshme të tjera për të nxitur prodhimin dhe punësimin”, iu drejtua Kryeministri anëtarëve të kabinetit. Kreu i qeverisë foli edhe për tokat bujqësore, të cilat vazhdojnë të rrinë djerrë, ta papunuara, duke i kërkuar ministrit Genc Ruli të marrë masat. “Meqë morëm këto masa kaq të mëdha dhe kaq të guximshme, ne duhet të shohim me lupë dhe të pastrojmë çdo ferrë nëpër këmbët e biznesit, në mënyrë që t’i kontribuojmë suksesit të tij, rritjes ekonomike, rritjes së punësimit”, tha Berisha. Ministrat morën porositë nga shefi i tyre dhe në javët e ardhshme do të paraqesin në qeveri propozimet rreth uljes dhe lehtësimit të mëtejshëm të taksave.

Administrimi

Në vitin 2012, qeveria mundi të mblidhte 0.1 për qind (për të mos thënë zero) më shumë të ardhura se viti 2011, pra një dështim total i administratave përkatëse të fiskut. Ajo çfarë i mungon debatit të sotëm për uljen e taksave dhe heqjen e tyre është administrimi i tyre. Kryeministri është marrë me politikën e taksave dhe se si duhet t’ia bëjë biznesit punën më të lehtë, por pak, ose aspak e ka trajtuar fenomenin negativ të korrupsionit që mbizotëron te tatimet, doganat, hipotekat etj. Pra, nëse qeveria ul taksat duke ndikuar negativisht në arkën e shtetit, atëherë ajo duhet ta shtrijë reformën edhe tek administrimi.

Nga ana e saj, opozita është përpjekur ta justifikojë efektin minus në buxhet nga propozimet për heqjen e taksave, duke thënë se do të luftojë korrupsionin. “Do të heqim disa taksa, por më kryesorja do të zhdukim taksën e korrupsion”, u shpreh për gazetën “Shqip”, tri javë më parë, deputetja socialiste, Mimi Kodheli.Te deklaratat e shumta të bizneseve në vend, pesha e problemeve të tyre qëndron te zbatimi i ligjit, interpretimi subjektiv dhe përballjen me korrupsionin, dhe pak është folur për barrën e rëndë fiskale etj. Eksperti i financave, Adrian Civici, tha dy ditë më parë në një intervistë për gazetën, se “ofertat politike për uljen e taksave duhet të kenë një limit, pasi po bien ndesh me disa parime logjike ekonomike”.

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: