Vasili, kandidat për partinë Syriza

vasili-vasili

Aktori dhe regjisori shqiptar Laert Vasili, një nga figurat më të ndritura të emigracionit shqiptar, njeriu më i dashur dhe i nderuar për të dy vendet, sot merr pjesë si një kandidat në zgjedhjet vendore. Është njeriu që ishte kandidati më kryesor për drejtimin e Teatrit Kombëtar, por siç dihet u zhgënjye. Është njeriu që Komuniteti Shqiptar nëpërmjet Federatës së Shoqatave Shqiptare i kishte propozuar këtu e një muaj më parë qeverisë, Kuvendit si dhe Presidentit, apo dikastereve përkatëse një peticion, duke i kërkuar që Laert Vasili për vlerat e tij të jetë një nga kandidatët e mundshëm për atashe të kultures në përfaqësinë shqiptare në Athinë. Por këtë që nuk bën shteti shqiptar e bën shteti fqinjë. Njerëzit me vlera si Laert Vasili nuk mund të mos tërhiqnin vëmëndjen e partisë opozitare SYRYZA në Greqi, duke e angazhuar atë në politikën e vendit. 

Vetëm pesë javë para zgjedhjeve lokale në Greqi dhe ato për PE, partia më e madhe opozitare në vend “Syriza” ka deklaruar se, në grupin e kandidatëve për këshilltarë të prefekturës së Atikës, përkrah një prej liderëve më të fuqishëm të saj, zonjës Rena Dhurou, do të jetë edhe aktori dhe regjisori tashmë i mirënjohur në Greqi dhe Shqipëri, Laert Vasili.

Në një intervistë për Top Channel, i pyetur se përse ka vendosur të hyjë në aktivitetin politik dhe shoqëror në këtë moment të vështirë për Greqinë, ai përgjigjet.

“Zgjodha t’i bashkohem Rena Dhurou-t për qarkun e Atikës, sepse Syriza është një lëvizje, më tepër se sa një parti, një lëvizje e majtë që gjatë gjithë këtyre 20 viteve që unë jetoj e punoj në Athinë, që ka qenë shumë pranë meje, apo më mirë të them shumë pranë emigrantëve. Është e vetmja lëvizje apo parti që ka mbrojtur të drejtat e emigrantëve dhe, duke pasur këtë mbështetje, vendosa dhe unë të bëhem pjesë e kësaj lëvizjeje. Besoj se, nëse ka probleme në këtë moment, të cilat janë të shumta në qarkun e Atikës, këto probleme janë vet partitë që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre 20 viteve”, u shpreh Laert Vasili, aktor dhe regjisor.

laerti ne rruge

Me një biografi të pasur artistike për moshën, Vasili, që i ka sjellë Greqisë dy çmime nga festivalet ndërkombëtare të teatrit, me shfaqjet “Emigrantët” dhe “Një në dhjetë vetë”, ka qenë gjithnjë në epiqendër të lëvizjeve, që përkrahin barazinë sociale, që luftojnë fenomenet e racizmit. I lindur në Delvinë, nga baba shqiptar dhe nënë minoritare greke, ai e quan detyrim të luftojë për të drejtat e qytetarëve të tjerë, kundër burokracisë, kundër padrejtësive. Përveç shpalljes së tij si aktori i vitit në 2008, në Greqi, apo një nga dhjetë kandidatët për njeriun e vitit nga revista “Lifo” në 2012-n, ngjarja më e diskutueshme që lidhet me reputacionin e tij artistik, si dhe me bindjet e tij politike, është padyshim vënia në skenë nga ai e shfaqjes “Corpus Christi”, që është kundërshtuar dhe ndaluar dy herë nga grupe parakishtare dhe përkrahës të Agimit të Artë, të cilët madje e kanë kërcënuar edhe me jetë artistin e njohur.

Në mbyllje theksojmë se Shqiperisë mesa duket nuk u duhen njerëz me vlera, por i duhen plehra, pasi rasti i Laert Vasilit nuk përbën vetëm një pakujdesi nga ana e shtetit shqiptar, por përbën një sëmundje të njohur e cila ende nuk po gjen një shërim. Jo më kot ky emigracion me njerëz kaq të aftë lihet në harresë…