Veliaj: Propozojmë pension social

876

Shtylla e parë e reformimit të sistemit të pensioneve do të jetë vendosja e një dyshemeje, që aktualisht mungon, kjo në shkallë vendi.  Ndër pikat kryesore që pritet të bëhen pjesë e strategjisë dhe reformës së sistemit të përfitimeve në vend është heqja e nocionit të pensionit minimal në fshat apo në qytet dhe vendosja e një pensioni social kombëtar.

Kështu, brezi i 35-vjeçarëve sot, kur të mbushin moshën 65 vjeç dhe të dalin në pension, do të marrin një pagesë që do të njihet si pension social, për të gjithë ata që kanë paguar pak sigurime, që nuk kanë paguar sigurime aspak apo që nuk plotësojnë asnjë nga kriteret për të marrë një nga përfitimet standarde që do të ketë skema. Ndërkohë që në plane afatshkurta nuk parashikohet rritje e moshës së pensionit.

Reforma

“Ndër propozimet tona do të jetë përcaktimi i një pagese dysheme, vendosja e pensionit social që do të merret nga të gjithë dhe më pas sistemi për të tjerët do të jetë i tillë që secili të marrë në bazë të kontributeve që kanë derdhur”, ka sqaruar ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë. Sipas tij, këto janë ende propozime dhe pritet që deri sa e gjithë strategjia të përcaktohet qartë dhe të vendosen shtyllat kryesore ku do të ngrihet reforma, do të merren mendimet dhe do të ketë diskutim me bazë të gjerë. Nga ana tjetër, sipas ministrit të Mirëqenies, kjo është një reformë që do të shtrihet në kohë dhe bëhet fjalë se do të prekë brezat e të rinjve sot, jo ata që dalin në pension pas një apo dy vjetësh.

Heqja e tavanit dhe liberalizim i masës së derdhjes së kontributeve është një tjetër opsion që është hedhur për diskutim. Kështu, nëse sot ka një tavan për pensionet, të cilët nuk mund të marrin më shumë se 28 mijë lekë të reja në muaj, me skemën e re të pensioneve nuk do të ketë një shumë të tillë të përcaktuar. Pensioni maksimal do të varet gjithmonë nga ajo çka është derdhur si kontribut gjatë gjithë periudhës kur personi ka punuar. Nga ana tjetër, sipas të gjitha gjasave, ashtu siç ka deklaruar si Kryeministri Edi Rama ashtu edhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, nuk do të ketë rritje të moshës së pensionit apo ndër propozimet e bëra për reformimin e sistemit nuk është as barazimi i moshës së pensioneve mes burrave dhe grave.

Modeli

Ndër vendet që e kanë zbatuar sistemin e pensionit social është Suedia dhe Anglia. Por që me kalimin e kohës edhe e kanë reformuar këtë mënyrë përfitimi.

Konkretisht, në vendet ku është zbatuar një praktikë e tillë rezulton se shteti ka përcaktuar një pension minimal për ata që nuk kanë pasur as punë ndër vite, as nuk kanë derdhur kontribute, ose kanë kontribuar në masë dhe në kohë përqindje të papërfillshme për të marrë një pension standard.

Pensioni social u është dhënë qytetarëve me bazë rezidence, të paktën 20 vjet në atë shtet.

Ky lloj pensioni nuk është me bazë kontributesh, por financohet nga buxheti i shtetit. Kriteri për të përfituar janë vitet e rezidencës dhe mbushja e moshës së pensionit, 60 apo 65 vjeç.

Në sistemin e përfitimeve kjo quhet shtylla 0, e cila bën të mundur bashkimin e shërbimit social e pensionet. Shkalla 0 njihet si minimumi jetik.

Dalja në pension, si për burra si për gra në moshën 65 vjeç, ka qenë ndër sugjerimet e viteve të fundit nga organizmat e huaj dhe rekomandimet e ekspertëve të huaj. Sipas ekonomistëve vendas, rritja e moshës së pensionit nuk do të sillte përmirësim të ndjeshëm.

Sistemi i pensioneve në Shqipëri është cilësuar si një sistem në krizë. Të ardhurat nga kontributet nuk mbulojnë dot shpenzimet për pagesën e atyre që përfitojnë pension, duke e bërë të domosdoshme mbështetjen nga buxheti i shtetit.

Aktualisht, raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve është pothuajse i barabartë (1 me 1), duke mos i dhënë siguri skemës. Ekspertët thonë se ky raport shpjegohet me punën e zezë dhe numrin e lartë të emigrantëve shqiptarë, që përbëjnë edhe forcën më vitale të punës.
/ Top Channel




Këtë e pëlqejnë %d blogues: