Viktima e radhës nga papërgjegjëshmëria

950

kisha profil

Kisha “Fjetja e Shën Marisë” në fshatin Salc Kozare, e shekullit XVIII, është një kishë me vlera të mëdha shpirtërore dhe kulturore, me afreske të pikturuara nga vëllezërit Çetiri, në të njëjtin stil si shumica e kishave të Myzeqesë. Për këto arsye në vitin 1967 u vlerësua si një objekt i veçantë dhe u fut në inventarin e monumenteve të kulturës, duke u ruajtur nga shteti.

 

Me lirinë e besimit pas vitit 1990 u kërkua nga Kisha Orthodhokse kthimi i këtij objekti për plotësimin e nevojave shpirtërore të komunitetit, por përgjigja ishte negative. Instituti i Monumenteve të Kulturës cakton një kujdestar për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj, duke i dhënë një shpërblim simbolik, i cili që prej tre vjetësh nuk jepet më. Edhe pse gjatë këtyre viteve nuk ka munguar bashkëpunimi i vazhdueshëm midis Kishës Orthodhokse dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, duke kontribuar për restaurimin dhe mirëmbajtjen e vlerave të jashtëzakonshme të këtij objekti, megjithatë kjo kishë ka probleme serioze të strukturës ndërtimore. Sidomos muri i pjesës jugore të kishës është përkulur shumë dhe mbahet me tiranda provizor, për të shmangur rrezikun e shembjes. Kjo kishë nuk i shpëtoi as vjedhjeve të vazhdueshme të ikonave, gjithë pjesëve të gdhendura të ikonostasit si dhe kambanave të saj.

Në këtë situatë të rëndë, duke parë rrënimin dhe lënien pas dore nga organet kompetente, nga ana e Kishës janë bërë përpjekje të shumta për kthimin saj. Pas zvarritjeve në procese gjyqësore, Gjykata e Rrethit Berat, me vendim 228 datë 18.02.2008 njohu pronësinë e Kishës Orthodhokse, kthimin fizik të një sipërfaqeje prej 15670 m2 truall dhe kompensimin e pjesës tjetër. Pas vendimit të gjyqit u plotësua dosja për këtë pronë dhe u dorëzua në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Berat. Ky Komision me vendim nr. 39 datë 30.04.2009 vendosi të njohë të drejtën e pronësisë për pronën tokë truall me sipërfaqe 15670 m2 të kësaj kishe. Dokumentet e këtij Komisioni janë përcjellë në Agjencinë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, për të marrë miratimin përfundimtar të kthimit të pronës.

kisha 3

kisha 1kisha 2

Përkrah gjithë përpjekjeve të mësipërme, me gjithë kushtet e vështira fizike të objektit, nevojat e besimtarëve kërkonin funksionimin e kësaj kishe, sidomos në ditën e panairit të saj më datën 15 Gusht. Si çdo vit, këto kremtime fillojnë me Mbrëmësoren e datës 14 Gusht, të cilën Atë Bartolomeo Bullari, prifti i kësaj enorie, e kreu në hajatin e saj, për shkak të rrezikshmërisë së objektit. Shërbesa zgjati nga ora 1900 deri 2000 nën praninë e besimtarëve. Pas kësaj, në orën 2030 prifti largohet nga kisha, për tu rikthyer rreth orës 0100, i njoftuar për zjarrin e rënë në të. Në vendngjarje konstaton djegien e pjesës qendrore të kishës dhe përpjekjen e zjarrfikësve për të shpëtuar hajatet e saj. Menjëherë pas panairit në vendngjarje shkon edhe Mitropoliti i Beratit, imzot Ignati e më pas edhe Drejtori i Monumenteve të Kulturës Berat z. Eugen Kallfaj. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes u konstatua një vatër zjarri e pafikur për të cilën u njoftuan përsëri zjarrfikësit që erdhën dhe e asgjësuan atë. Ndërkohë policia vazhdon hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit.

Si përfundim, nga e gjithë kjo ngjarje dhe të ngjashme me këtë, dalim në konkluzionin se:

  • Një kishë e cila nuk i shërben komunitetit të saj, por mbahet e mbyllur thjesht si vlerë kulturore, ka shumë mundësi të shkojë drejt rrënimit të plotë.
  • Këto objekte të shenjta qëndrojnë nën administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, institucion i cili nuk ka mundësi të paguajë qoftë edhe një kujdestar për to. Në rastin në fjalë, kujdestari ka 3 vjet pa u paguar. Nëse nuk kanë mundësi të paguajnë mirëmbajtës, përse nuk ia kthejnë këto objekte të shenjta Kishës?
  • Është e pakonceptueshme që institucioni i Kishës Orthodhokse, duhet të marrë leje për të kryer shërbesat fetare dhe mirëmbajtur këto objekte me vlera kulture të cilat historikisht i përkasin asaj dhe është ky institucion që i ka ruajtur me shprestari nëpër shekuj.
  • kisha 4

Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ka një arsye pse Perëndia i lejon këto ngjarje. Mos ka ardhur momenti që Nëna e dhembshur, Kisha, të kujdeset vetë për trupin e saj?

kisha ne focus news

Mitropolia e Hirshme e Beratit

Dt. 18.08.2014

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: