Pas një seance maratonë parlamentare, Qeveria e re e drejtuar nga Edi Rama mori në Kuvend 82 vota pro, 55 kundër dhe 1 abstenim. Ky votim i hapi kështu rrugën betimit para Presidentit, të kabinetit të ri qeveritar që u zhvillua në orën 18:00.Po ashtu është parashikuar më pas edhe zhvillimi i mbledhjes së parë të Këshillit të Ministrave.
Votimin e bojkotuan deputeti i PD-se Sali Berisha dhe kreu i PBDNJ-se Vangjel Dule.
Jashtë sallës së Parlamentit, pas votimit, kryetari i komanduar i grupit kuvendor demokrat Edi Paloka akuzoi kryeministrin Rama se ka kërcënuar opozitën. “Rama po kërkon të poshtërojë opozitën.Ajo që ndodhi në fund të seancës ishte shumë e rëndë. Të gjithë ju e patë që Rama kërcënoi opozitën me fjalët: ‘Ende nuk e dini cfarë është dhuna’. Ky është Edi Rama. Dhunës së Ramës ne do t’i përgjigjemi dhëmbë për dhëmbë”, tha Paloka.
Rama: Gati për bashkëpunim me opozitën
Kryeministri Edi Rama në fjalimin që mbajti në Kuvend para votimit të kabinetit të ri deklaroi se opozita recitoi të njëjtat akuza dhe qëndrime ndaj programit, ndërsa përqendrimi i saj ishte sipërfaqësor dhe nuk diskutoi për thelbin e tij.
Megjithatë Rama ftoi të opozitën që në komisionet parlamentare të diskutohen, rrihen se bashku mendimet për arritjen e reformave kryesore që do të çojnë në zhvillimin e vendit.
“Ne duam që të identifikojmë së bashku një politikë të re gjithëpërfshirëse për pronën dhe t’i japim kësaj çështje një zgjidhje sa më parë”, tha Rama, duke theksuar se një sërë çështjesh të tjera kërkojnë të mbërrijnë në finish.
Rama theksoi se e gjithe ajo sajese e shemtuar ne lidhje me ate qe u konsiderua si mosrespektim i figures se Ibrahim Rugoves gjate vizites se tij ne Prishtine, ishte krijuar ketu ne Tirane, per qellime te caktuara.
Sequi: BE-ja mbështet kabinetin e ri qeveritar
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, disa minuta pas votimit të qeverisë së re, garantoi mbështetjen e BE-së në përpjekjet e kabinetit të ri qeveritar për ndryshimin e vendit.
“Dua të uroj kryeministrin dhe kabinetin e ri qeveritar lidhur me sfidat e ndryshimit për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar. Rrjedhimisht, rruga drejt Brukselit do të jetë më e shkurtër për popullin shqiptar”, deklaroi Sequi.
Ambasadori i BE-së në vendin tonë shtoi: “Mendimi im i parë pas kësaj maratone është për pritshmëritë që ka populli shqiptar.”
“Dua të siguroj kryeministrin e ri për mbështetjen e BE-së në përpjekjet për ndryshimin e vendit. Këtë mbështetje do e marrë që nesër në vizitën që do bëjë në Bruksel”, tha Sequi.
Basha: Rama të tërhiqet nga kërcënimet ndaj opozitës
Menjëherë pas betimit të Qeverisë së re “Rama” në Presidencë dhe fjalimit të dhënë nga Kryeministri i ri, Edi Rama, nga ambienti përpara Kryeministrisë, ka reaguar sërish kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Basha doli në një konferencë për mediat, duke akuzuar Kryeministrin e ri Rama për fjalimin e tij në Kuvend. Sipas Bashës, kryesocialisti ka kërcënuar hapur opozitën me fjalimin e tij. Kreu i PD-së theksoi se Rama ka qenë gjithnjë një ushtrues i dhunës verbale, diçka që nuk përbën risi për forcën e re opozitare të vendit tashmë, por – sipas tij – PD është një kockë e fortë dhe e pathyeshme. Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama, të tërheqë menjëherë kërcënimin ndaj opozitës, të cilin ai nuk e konsideron thjesht si një shpërthim të rastit, dhe t’i kërkojë falje asaj. “Nëse Rama nuk tërhiqet nga kërcënimet e tij, atëherë do të duhet të përballet me pasojat”, përfundoi Basha.
Basha: Kjo qeveri, pa program pune
Pas votimit në Kuvend të Qeverisë së re ka reaguar në rrjetin social Facebook, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Qeveria e Ramës kaloi sot në Kuvend të ashtuquajturin program të saj me numrat që ka në Kuvend.Por mbeti në klasë në provën e gjykimit të shëndoshë dhe profesional të opozitës.Kjo është e para qeveri në historinë e demokracisë së re shqiptare që starton pa program pune, pa program zhvillimi, pa objektiva të mbështeur në burime konkrete, pa kalkulime konkrete, pa afate”, shkruan Basha.
Sipas tij, ‘kjo është e para qeveri që tërhiqet pa filluar punë akoma nga një numër i madh premtimesh të votuara, duke vendour që tani me qytetarët dhe me dinjetetin e tyre raportin e gënjeshtrës dhe mashtrimit pa dridhje qerpiku.Unë besoj se në përballjen e parë të këtyre përmasave në aulën e Kuvendit midis të ashtuquajtures rilindje të zotit Rama dhe opozitës, qeveria mbeti në klasë edhe në provën e gjykimit të shëndoshë të bashkëqytetarëve. Mbeti në klasë pikërisht se nuk ka program, pikërisht se ka mashtruar pa kufi për të marrë vota”, shkruan më tej Basha.
Po ashtu Basha premton se “nuk do t’i japim asnjë minutë paqe kësaj qeverie për gënjeshtrat dhe mashtrimet e saj elektorale, si dhe për për çdo tundim apo provë të saj për të zhbërë arritjet demokratike”.
Ruçi: Opozita e nisi me akuza ndaj Ramës
Pak para votimit te Qeverise dhe programit te saj ne Parlament pati debate te forta ne sallen e parlamentit. Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi kërkoi nga deputetët mirëkuptim që të votojnë programin qeverisës të kabinetit të ri “Rama” dhe të respektojnë rregulloren e Parlamentit.
“Opozita e nisi me akuza ndaj Kryeministrit”, tha Ruçi.
Ndërkohë kreu i grupit të PS thotë se maxhorancxa e re vjen në këtë Parlament, pa arrogancë ndaj pakicës dhe e përulur ndaj votës së qytetarëve. “Erdhëm dhe nuk ju pamë si armiq ashtu siç na keni etiketuar 8 vjet rresht. Erdhëm dhe po presim me durim fundin e kësaj seance. Erdhëm me një kryeministër që është ulur që në fillim të punimeve dhe do të cohet prej asaj karrige në fund të seances. Rama nuk ndërhyri asnjëherë në fjalën e deputetëve të opozitës edhe pse kishte sharje dhe fyerje ndaj tij”, u shpreh Ruçi. Në emër të grupit të PS, Ruçi vlerësoi përgjegjshmërinë që po tregon maxhoranca aktuale dhe theksoi se ky është një fillim i mbarë i punës.
Paloka: Rama nuk di si qeveriset vendi
Edi Paloka, kryetar i komanduar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, theksoi në fjalën e tij se “Edi Rama nuk ia ka idenë e qeverisjes së vendit, di vetëm të prishë kioska e të ngrejë pallate”.
“Kisha besim se shqiptarët nuk do të besonin çmenduritë që premtoi Rama, por gabova. Besuan se do të ulë çmimin e ushqimeve, energjisë elektrike, taksat dhe se do të bëjë legalizime falas. Besuan se edhe shëndetësinë do ta bëjë falas, do të rrisë investimet dhe se rrogat e policëve do i bëjë më të mëdhe se të ministrave. Këta u bashkuan me ata që shitën votën dhe ata që duan Ramën në krye, nuk ka rëndësi nëse nuk kanë bukë të hanë. Kështu u bënë 1 milionë”, theksoi Paloka, i cili shtoi se Rama urren opozitën në përgjithësi dhe mendimin ndryshe.
“Rama e urren opozitën në përgjithësi, urren ata që kundërshtojnë e për këtë arsye ka zgjedhur këta ministra. Po prezantohet programi dhe ministrat nuk kanë guxuar të thonë asnjë fjalë. Kështu do të vazhdojë të jetë gjithmonë. Ne nuk mund ta kritikojmë sot sepse ende nuk ka filluar punë, por perspektiva është e keqe”, shtoi Paloka.
“Rama nuk mund ta luftojë krimin pasi është i lidhur me të. Krimi kontrollon Ramën për interesat e tij”, mbylli fjalën e tij Edi Paloka.
Meta: Programi qeverisës, ambicioz
Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta theksoi se kjo forcë politike shpreh mbështetjen e plotë për qeverinë e re dhe Kryeministrin Edi Rama.
“Kjo qeveri i ka të gjitha mundësi të realizojë këtë program ambicioz, ka shumë anëtarë të rinj për të investuar pasionet dhe ëndrrat e tyre në shërbim të një programi që i shërben progresit të shoqërisë tonë. Kjo qeveri ka më shumë zonja dhe shpreh dëshirën që kjo frymë të pasqyrohet në të gjitha nivelet e qeverisjes”, u shpreh Meta.
Në emër të LSI-së, Meta shprehu pakënaqësinë për sulmin që i është bërë programit të qeverisë “Rama”, sa i takon premtimit për hapjen e 300 mijë vendeve të punës, kur ky ishte premtim edhe i të djathtëve në fushatë, për hapjen e 250 mijë vendeve të punës.
“Nuk ka program perfekt, por duhet punuar shumë për të përmirësuar veten dhe punën. Jemi të hapur ndaj kritikave, aq më tepër nga opozita, nga brenda vetes, nga media, nga shoqëria civile, nga qytetarët dhe ne do të arrijmë suksesin e garantuar në përmbushjen e këtyre ambicjeve”, tha Meta.
Berisha: Ta shtyjmë seancën
Gjatë punimeve të sotme parlamentare deputeti Sali Berisha u kërkoit anëtarëve të qeverisë së re që të flasin me shifra, afate dhe planin për 100 ditët e para.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të vijë një qeveri pa një program për 100 ditët e para. Mendoj dhe propozoj që kabineti i ri qeveritar të marrë kohën e duhur për t’u përgatitur dhe ne ta shtyjmë këtë seancë për një ditë tjetër”, tha Berisha. Ky propozim nuk mori mbështetje, ndërsa Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se qëllimi i Berishës është që Rama të shkojë në Bruksel pa qenë kryeministër i votuar në Kuvend. Më pas Berisha sulmoi sërish kabinetin e ri dhe deputetët e maxhorancës se po flasin pa shifra, pa afate dhe vetëm po mashtrojnë.