Vritet për një tub uji 58-vjeçari në Durrës

Aktualitet

Një 58-vjeçar është qëlluar për vdekje me thikë në Durrës, pas një konflikti mes disa personave. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit bregdetar pranë Rrugës së Tregtarit, ku pronari i një picerie Jurgen Kurti dhe dy persona të tjerë dyshohet se kanë therur me thikë të ndjerin Agim Arapi. Burimet kanë bërë të ditur se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt i nisur mbi shtrimin e një tubi uji, pas lokalit të të riut. Arapi mësohet se punonte si shitës në një dyqan ushqimor pranë picerisë dhe po i pengonte autorët e dyshuar që të kryenin punime nëntokësore për një tub uji. Kjo mosmarrëveshje ka sjellë për pasojë konflikt fizik mes personave në fjalë, që ka përfunduar me vrasjen e Arapit. Kujtojmë që Jurgen Kurti është shtetasi i dyshuar për vrasjen e babait, një krim që është marrë përsipër nga daja i tij, kunati i viktimës. “Më datë 11.04.2017, ora 19:55 në lagjen Nr.1 Durrës, Bulevardi ‘Epidam’, në një dyqan ushqimor, si pasojë e një konflikti pronësie është plagosur shtetasi Agim Arapi 58 vjeç, banues në Durrës. Për pasojë, i dëmtuari ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.

Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, të cilët pak minuta pas ngjarjes kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit Kostandin Ekonomi , Kujtim Ekonomi dhe Jurgen Kurti. Kostandin dhe Kujtim Ekonomi janë vëllezër, ndërsa shtetasi Jurgen Kurti është dhëndri i Kostandin Ekonomi”, thuhet në deklaratën e policisë. Jurgen Kurti është ndaluar në prill të vitit të shkuar, pas vrasjes së babait të tij, Artur Kurtit, në banesë. Por pas hetimeve dhe dëshmive ai është lënë i lirë ndërkohë fajin e ka marrë përsipër daja i tij Leonard Ristani. Në Dëshminë para togave të zeza, Ristani ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Ndërsa ai ka shkuar në banesën e së motrës, pas ankesave që ajo i kishte bërë për sjelljen e ishbashkëshortit të saj. “Mbrëmjen e 4 prillit ndodhesha në shtëpinë e motrës sime që është prapa postës numër tetë. Motra prej disa kohësh ishte divorcuar me bashkëshortin e saj dhe ai shpesh i krijonte probleme. Atë natë në banesë isha unë motra dhe nipi. Bie zilja dhe derën e hap motra. Në atë moment Arturi nxjerr thikën dhe ia drejton asaj. Unë isha afër. U afrova ti merrja thikën, por ai më goditi. U përleshëm dhe më pas, pash që ra në tokë. Nuk më kujtohet se si ndodhi që ai është goditur. Nuk kam qenë i vetëdijshëm, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt”, është shprehur i pandehuri, Leonard Ristani në gjykatë. Ai pranoi gjatë dëshmirë se goditja e kunatit është shkaktuar me thikën që viktima kishte në dorë, por thotë se nuk e mban mend se si mund ta ketë kryer vrasjen.

Më tej i shpjegon gjykatës se pas ngjarjes së ndodhur, nipi i tij, Jurgen Kurti, e ka dërguar në spital për mjekim. “Atë natë unë mora një telefonatë nga motra e cila në bisedë e sipër me tregoi se Arturi shkonte i dehur pothuaj çdo natë te dera e shtëpisë dhe e kërcënonte”, -tha i pandehuri. Për vrasjen e Artur Kurtit, policia dhe prokurori fillimisht morën në cilësinë e të pandehurit edhe djalin e tij, Jurgen Kurti. Pak kohë më vonë e gjithë situata u sqarua dhe autorësinë e mori përsipër daja i tij Leonard Ristani. Ky i fundit, pavarësisht se pranon që është përleshur me kunatin tek dera e shtëpisë, thotë se nuk mban mend momentin, kur ai mund të jetë goditur. I pandehuri sqaroi në gjykatë situatën në të cilën ndodhej motra e tij. Ai tha se kunati pas divorcit me bashkëshorten, ishte kthyer në një person i alkoolizuar dhe situatat e pakëndshme shpesh vinin nga kjo gjë. Në asnjë rast nuk përfshiu nipin e tij në vrasje. Pas ngjarjes, gjatë marrjes në pyetje Leonard Ristani dhe Jurgen Kurti, djali i viktimës, janë shprehur se kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Vrasja u shkaktua me thikën që mbante me vete viktima, Artur Kurti. Në polici pas datës 4 prill Ristani ka shpjeguar gjithashtu se qëndronte në shtëpinë e motrës prej disa kohësh për faktin se ajo ndihej e kërcënuar nga ish–bashkëshorti i saj.