Zbulohet Piktura “Veshja Shqiptare” e Bajronit

1564

Lord_Bajroni_224909

Portreti i Lordit Bajroni, i vitit 1814, nga Thomas Phillips, një nga veprat e zgjedhura nga Simon Schama për ekspozitën |Foto: Government Art Collection Portreti i Lordit Bajroni, i vitit 1814, nga Thomas Phillips, një nga veprat e zgjedhura nga Simon Schama për ekspozitën |Foto: Government Art Collection 

Piktura që tregon poetin e famshëm anglez, Lord Bajron, në veshje tradicionale shqiptare, është shfaqur para disa muajsh, për herë të parë për publikun në Galerinë e Londrës. Lordi Bajron rrëzëllues, që pozon me mburrje me veshje e takëme shqiptare, ofrohet në shfaqjen e re me kurator historianin Simon Schama. Ai nuk mund të fshehë entuziazmin për këtë pikturë. “Është absolutisht e mrekullueshme”, i tha Schama, gazetës Guardian.

Duket se Bajroni po kënaqet “në kotësinë e vitit të pushimit, pas përfundimit të studimeve”.

Portreti i Bajronit, i bërë më 1814, nga Thomas Phillips, rri i varur në banesën e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Athinë, por është kërkuar për shfaqjen e fundit të punimeve nga Koleksioni i Arteve i Qeverisë. Ai do të shfaqet për herë të parë për publikun. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë jugore, më saktësisht në Janinë, në vitin 1808, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që do ta shtynin piktorin Phillips që të realizonte portretin e famshëm që titullohet “Portrait of a Nobleman in the Dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare) dhe paraqet Bajronin me një veshje ku ndërthuren e purpurta dhe e arta e jelekut me vizat gri e blu të një turbani që i përngjan më shumë një shalli; e bardha e këmishës dhe e fustanellës me të zezën e kadifenjtë të një xhakete.

Ai mban në duar një jatagan i cili ka një këllëf të purpurt e të argjendtë. Portreti u vendos asokohe në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë, shkruan në Wikipedia. Schama është kuratori i tretë mysafir në një koleksion prej pothuajse 14.000 veprash arti, i cili personalisht ka zgjedhur punën që do të shfaqet për publikun të premten në Galerinë Whitechapel në Londër. Ai tha se ishte kënaqësi e madhe puna për këtë ekspozitë. “Kur isha një djalë i vogël, më qonin me karrocë te Woolworths dhe e mbaj mend një nga mendimet e para në jetën time ishte a t’ia mësyj kallameve me sheqer elbi, apo karameleve laramane. Me të vërtetë ndihem si një fëmijë në një dyqan sheqerkash, përsëri”.

Schama e ka quajtur ekspozitën e tij “Drita e Udhëtimit”, dhe përçon idenë e Britanisë si një komb hulumtuesish. Prandaj edhe është zgjedhur portreti i Bajronit, si dhe vepra të tilla si Pamja e Bejrutit e Edward Learit dhe Zonja Bizantine, që paraqet një portret gruaje, e Vanessa Bell. Ai gjithashtu zgjodhi vepra nga artistë, që i njihte dhe i pëlqenin, si Howard Hodgkin, Peter Liversidge, Roger Hilton dhe Tacita Dean, dhe u dorëzua para punimeve të artistëve, jo shumë të njohur për të, si Rachel Lowe dhe Hurvin Anderson. Peter’s 1 e Andersonit, që tregon një dyqan berberësh të ngritur në shtëpinë e dikujt, zakonisht varet mbi mysafirët në Downing Street 11.

Punime të tjera kanë udhëtuar nga ambasadat në Tel Aviv, Kairo dhe Kopenhagë. Schama pranon se ka pasur një dehje të caktuar “duke i kërkuar ato nga ambasadat dhe ministra të kabinetit – se sa kënaqësi e madhe është kjo gjë! Sikur arti po çlirohet për njerëzit”, shkruan The Guardian.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: