A janë emigrantët pjesë e planeve të qeverisë

965

 

partizani 55

Nuk është e thjeshtë sot, që t’i kërkosh diçka “në dorë” qeverisë së re, për arsyen e thjeshtë siç e ndjenim, jetonim dhe po e jetojmë përditë. Ajo mori një shtet në letër, të ç’organizuar  dhe të falimentuar totalisht. Pra si fillim, kuptohet se të gjithë emigrantët kudo që  janë, po tregojnë mirëkuptim  dhe durim ndaj qeverisë së re “Rilindjes”, që në kuptimin më të plotë, emigrantët me të drejtë e quajnë “Qeveia e shpresës “.

I nderuar Kryeministër , sigurisht që nuk marr përsipër të shpreh mendimin e të gjithë emigrantëve , por jam i sigurt dhe i bindur edhe nga kontaktet e gjëra që kam pasur me mijra emigrantë shqiptarë, në të gjithë Greqinë, pse jo edhe me shumë të tjerë në Itali, shpreh dhe ndaj me ta shqetësimin e njëjtë :  “Emigrantët vazhdojnë të lihen në harresë ”

Nuk dëshiroj të besdis askënd, sigurisht edhe kryeministrin e vendit , prandaj nuk e shikoj të udhës që të bëj një rezyme, se si kanë ndihmuar qeveritë e mëparshme emigrantët shqiptarë në Greqi, Itali dhe gjithë Botën, pasi  kjo përbën një histori e keqe dhe të dhimbshme për të gjithë emigrantët.

 ( Letër e hapur  zotit Edi Rama , kryeministër i Shqipërisë )

I nderuar Kryeministër !

Para 23  Qershorit, gjithë shqiptarët dhe sigurisht edhe emigrantët dhe të afrmit e tyre në Atdhe, i kishin sytë nga mundësia reale  për ndryshim, një besueshmëri që dukej në horizont .

Shumë organizata , shoqata dhe parti të emigrantëve , iu bashkuan  pa rezerva , “ Rilindjes”. Kjo ndodhi, duke marrë shkak edhe nga angazhimet dhe premtimet tuaja të drejtëpërdrejta, apo indirekt me programin largpamës që Partia Socialiste, dhe koalicioni  i majtë që ajo drejtonte.Pra premtimet për emigrantët dhe familjet e tyre, ishin të tilla, që përputheshin në një shkallë të lartë me hallet dhe problemet e tyre të shumta.

Konkretisht, Ju premtuat për një mbështetje të një niveli të lartë të për emigrantët, duke pasur parasysh një dikaster të fuqishëm që do të kishte disa detyra si :

1- Evidentimin e numrit real të emigrantëve në mbarë botën me qëllim  të zbatimit të politikave sa më realiste në ndihmë të tyre, ku do të bënte që emigrantët  të preknin  realisht ndjeshmërinë e shtetit të tyre ndaj tyre . Pra të mos ndiheshin më “jetim” , në Greqi, Itali apo kudo tjetër.

2- Ky dikaster do të ishte i hapur për emigrantët, duke u njohur realisht me vuajtjet dhe peripecitë e tyre dhe të familjeve të tyre, për sa i takon legalizimeve në vendet ku jetojnë , ose për shumë të tjerë që akoma edhe mbas 20 vjetës trajtohen si të huaj të kategorive të ulëta në Greqi apo kudo.

3- Zoti kryeministër nga premtimi i Juaj dhe nga Programi i PS për  “Rilindjen” (që e kam përpara tashmë që po ju shkruaj ), lexoj se qeveria e re do të bëjë çmos , që emigrantët që kthehen në Shqipëri nga vendet që punojnë , për arsye ekonomike dhe financiare , si rezultat i krizës që ka pllakosur Greqinë , do të kenë ndihmën e menjëhershme dhe do të ndiejnë dorën ” e ngrohtë të qeverisë ” së re që do të dilte nga Zgjedhjet e 23 Qershorit.

4 – Dinjiteti i shkelur me këmbë  dhe morali i thyer për emigrantët , do të vihej në vend , sikur shteti të mos mendonte vetëm për  “ajkën e emigrantëve” ,( të cilëve u bëri thirrje të kthehen në Atdhe ) por të mendonte edhe për  “t’i dalë zot” çdo emigrant, atij që punon “fshesaxhi” por edhe atij që punon në ndërtim  etj . ( pamvarsisht se kanë edhe shkollimin edhe eksperiencën e madhe të emigrimit )..]

5- Nuk dua të prek problemin e shkollimit të fëmijëve tanë në gjuhën amtare, por nuk mund të përment  problemin absurd të ashtuquajtur “toponimet” që emigrantët po e vuajnë për fëmijët e tyre që kanë lindur në Greqi. Asnjë zgjidhje për shkrimin në pasaporta , simbas “oreksit” të shtetit grek, por që akoma jetojmë me ankthin e ultimatumeve që na jepen për ta rregulluar këtë problem !!

Zoti Kryeministër!

Kjo letër po dërgohet tashmë, jo për të kërkuar llogari, pasi nuk ka ardhur akoma koha e llogarisë, por si  KUJTESË , për Ju dhe qeverinë që drejtoni , se deri tani , për emigracionin dhe për emigrantët nuk e keni vënë “ujin në zjarr”!

I dimë vështirësitë dhe, siç e thashë edhe më lartë, asnjëherë nuk ju “vemë lakun në fyt” , por të paktën duhet të tregoni interes dhe të jepni të kuptojnë emigratët se Ju nuk i keni harruar, dhe se keni plane konkrete për ta.

Një ministri për Emigracionin dhe Diasporën , do të ishte një zgjidhje e mirë dhe hapi i parë , për të ndryshuar gjendjen , dhe për të rritur besimin tek emigranntët , se ” qeveria e ka seriozisht ” , se do të bëjë diçka për ta ! Por meqë kjo gjë nuk u realizua , duhet që një dikaster i një niveli qoftë edhe më të ulët të ngrihet për emigrantët , jashtë vendit dhe atyre që edhe pse janë kthyer në Atdhe , vazhdojnë të quhen dhe të ndihen emigrantë edhe në vendin e tyre.

Me respekt

Partizan Cene . Kryetar i Forumit të Intelektualëve Emigrantë Shqiptar në Greqi ..

[email protected]

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: