Marrëveshja me Frontex hyn nesër në fuqi, BE: Shqipëria, vendi i parë jo anëtar me një marrëveshje të tillë

218

ATSH/- Marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian hyn në fuqi nesër. Këshilli i Bashkimit Europian njoftoi hyrjen në fuqi të marrëveshjes ditën e nesërme, duke vënë në dukje se kjo është marrëveshja e parë e kësaj natyre e nënshkruar mes BE-së  dhe vendeve jashtë kufirit të Bashkimit Europian.

Marrëveshja e nënshkruar me Agjencinë Europiane të Rojave Bregdetare dhe Kufirit, FRONTEX për menaxhimin e kufijve në kuadër të përballimit të fenomenit të emigracionit, është një vlerë e shtuar dhe fokusi i saj është lufta kundër migracionit të paligjshëm, si dhe rritja e numrit të operacioneve të kthimit, apo pranimit të migrantëve nga vendet e treta që vijnë në Shqipëri.

Kjo marrëveshje ndikon rritjen e sigurisë kombëtare, në luftën kundër krimit ndërkufitar në kufijtë e Shqipërisë me vendet e BE-së. Aty do të jenë të fokusuar edhe oficerët e FRONTEX, që do të punojnë bashkë me oficerët tanë të Kufirit dhe Migracionit. Kryerja e këtyre operacioneve të përbashkëta do të shërbejë si një lloj trajnimi për policinë tonë kufitare. Po ashtu do të kemi edhe mbështetje logjistike nga ana e FRONTEX për të mbikëqyrur kontrollin kufitar në kufi me vendet e BE-së, me Greqinë dhe Italinë

Bashkimi Europian po zhvillon negociata për marrëveshje të ngjashme dhe me vende të tjera të Ballkanit që janë jashtë BE-së, si Bosnja Hercegovina, Mali i Zi, Maqedoninë e Veriut. /j.p/Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.