Mes debatesh lidhur me projektin për ndërtimin e stadiumit të ri, kryeministri Edi Rama e ka prezantuar atë. Ndryshe nga herët e tjera, kur nuk ka munguar ironia ndaj akuzave të kundërshtarëve, kësaj radhe ai ka folur për rëndësinë e ndërtimit të një stadiumi, duke iu drejtuar atyre me një seriozitet shembullor dhe duke marrë mbi vete përgjegjësitë e këtij vendimi të debatueshëm.
“Nuk është vendimmarrja e atyre që kanë mendimet e tyre, por është detyra e atyre që do marrin vendimet që t’i dëgjojnë të gjitha mendimet dhe të vendosin. Se kjo moda që po tentohet të krijohet këtu, që mblidhen disa njerëz shumë të respektueshëm për mendimet e tyre dhe duan t’i imponojnë gjithë autoriteteve vendimmarrese dhe gjithe njerëzve që investojnë në këtë vend se si duhet të bëhet një park lodrash apo se si duhet të bëhet një stadium, është diçka absolutisht e paparanueshme”, deklaroi Rama.
Por, për Giovanni Polazzi, arkitekti i stadiumit, debatet në publik mbi projektin janë një shenjë e mirë. “Ky është një stadium i cili është menduar si të gjitha stadiumet e gjeneratës së re, një stadium i cili nuk është vetëm një vend për të luajtur futboll, por është një ndërtesë e re, një ndërtesë e lidhur me kulturën, kulturën e sportit, por edhe bashkimin e njerëzve. Do ketë zona tregëtare. Këtu kemi shkuar dhe më tej se ka dhe një hotel brenda, pra ka disa funksione që sipas meje këtë stadium do ta bëjnë shembull unik në rrafshin ndërkombëtar”, u shpreh Polazzi.
(Top Channel)