Mandati i dytë për Ramën? Baraz dyfish dështime për shqiptarët!

Politika

Artur ZHEJI    /  Për shumë më pak dështime, madje me bilance pozitive ekonomike dhe punësimi në dorë, kryeministri Italian Matteo Renzi dha dorëheqejen. Kryereforma e tij, që u hodh në një Referendum, të cilit populli i tha “Jo”, rrëzoi Platformëne e ndryshimeve kushtetuese dhe ai mblodhi plackat dhe iku.

Në Shqipëri sigurisht që nuk ndodh kështu. Edhe kur dështimet janë uluritëse dhe ngërci qeverisës është në pikën e vet më të ulët. Askush nuk mund të thotë apo të dëshmojë dot dhe të listojë një sukses të vetëm dhe të plotë të kësaj Qeverie. As edhe Henri Cili, mbështetësi nga e keqja i kësaj qeverisjeje të falimentuar.

Punësimi? Një pesë më hic! Dhe këtë e thonë, e dinë dhe e dëshmojnë të gjithë. E mbi të gjitha dhjetëra e mijëra largimet nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Ikje e përzishme, me pështyma e ofshama të lëna pas! Apo edhe largimet emigruese nga Shqipëria, mund të llogariten si punësime? Marrëzia nuk ka kufi dhe marrëzia pra, mund ta listojë edhe këtë tragjedi njerëzore e kombëtare, si sukses.

Shëndetësia? Qindra miliona eurot e angazhuara për 10 vitet e ardhme, a kanë sjellë ndonjë ndryshim të prekshëm dhe të dukshëm? Në propagandën dhe në retorikën e kryeministrit, sigurisht që po. Në kurimin dhe në shpëtimin e jetëve njerëzore, sigurisht jo. Lulëzimi i spitaleve dhe klinikave private, më shumë se kërpudhat në pyll, është një dëshmi e thekshme e këtij dështimi. Kush ka pasur halle shëndetësore, mund të konstatojë lehtësisht rradhën e gjatë dhe bumin e hallexhinjve në dyert e spitaleve private, super të shtrenjta dhe të superngarkuara.

Nga Puka, nga Kukësi, Shkodra, Tirana, Durrësi, Vlora apo Korca, me shamija në kokë, me qeleshe apo kapuca, me këpucë me baltën e arave, me pantallona shajaku dhe me aromë bagëtie në trup, por kryesisht me lekët dhe eurot të mbledhura në shami, janë aty, te sportelet e pamëshirshme të pagesave, ku derdhen mijëra euro nga cdo individ dhe miliona të pamata eurosh nga populli që kërkon zgjidhje, sa më larg spitaleve shtetërore. Është kjo pra shëndetësia Gratis? Përsëeri mund të themi se marrëzia ska kufi dhe ta listojmë edhe këtë te menyja e sukseseve.

Në Arsim? Tre muaj më parë u corodit gjysma e Shqipërisë. U vonua dhe u mbërthye në ngërc sistemi kombëtar i arsimit të lartë, si asnjëherë më parë. Për të mos folur për cilësinë e teksteve mjerane të shkollave të mesme dhe të atyre të ciklit të ulët, një miks përkthimesh të niveleve më fatkeqe gjuhësore dhe sintaksore që më kanë parë sytë.

Lufta kundër krimit dhe Drogës? A nuk do të ishte mirë të iknim me vrap të shpejtë nga trajtimi i kësaj teme? Kur ke drogë-dillera të njohur në Parlament, që nuk guxojmë edhe tua përmendim emrin, cfarë mund të thuash, për luftën kundër drogës?!

“Cfarë pjell macja, minj gjuan!” thotë fjalë e urtë e popullit. Cfarë mund të bëjnë drogë-dillerat në Parlament, përvecse dirizhimit të trafikur global të drogës, nga pozitat e mbrojtura të të paprekshmëve? Si mundet ti “luftojë” ata ministri Tahiri, kur me votat e tyre, ata mbajnë në këmbë qeverinë e ministrit Tahiri? E pabesushme do të ishte. Dhe vërtet e pabesueshme është! Pamvarsisht se Sajmja, mund të jetë një burrë i kulturuar, i sjellshëm dhe politikisht karizmatik, në planin personal./360 gradë.al/

Reforma e territorit? Ejani të qeshim të gjithë sëbashku. Të qeshim për të mos qarë. Dhe le të hedhim një sy të shpejtë te demokracia e brendshme të PS. Dy largime të mëdha dhe domethënëse brenda një viti. Ben Blushi dhe Koco Kokëdhima. Por Partia e paepur socialiste, tani ka zbuluar një luftëtar dhe një ideolog të madh: Taulant Ballën, që vlen sot për Ramën sa Blushi dhe Kokëdhima të marrë sëbashku. Ndërsa të tjerët në Ps, kanë bërë hapa pas nga “vija e zjarrit” të përplasjes politike dhe reagojnë vetëm në vetmbrojtje.

Rezultatet ekonomike tani janë rrezikuar pa masë. Sepse nga drejtimi i Tatimeve, nga larguan Brisin apo Briseldën dhe superministri Ahmetaj, është tani Celësi Magjik i zgjidhjeve ekonomike të Ramës. Që do të thotë se koncesionet do të vazhdojnë dhe se financat do të lulëzojnë. Kontrolloni portofolat dhe do ta kuptoni, se si.

Por kryeminsitri reformaror, kërkon të hyjë në zgjedhjet e ardhshme i përgatitur mirë!

Pikë e parë duke rekrutuar sa më shumë banditë simpatikë, për shtabet e ardhshme elektorale.

Pikë e dytë duke rrahur me kamzhik mediat, e sidmos portalet on line, një realitet i humbur nga kontrolli i tij. Dhe ka paraqitur, me Taulantin në ballë, një projketligj Gojëmbyllës, në nivel kombëtar. Rrezik censure pa kufinj ky!

E braktisi Ligjin e Plehrave, por kontratën me “mafian” e plehrave nuk e prishi. Nxorri VKM për inceneratorët, që do të djegin me një teknologji tmerrsisht ndotëse plehra shqiptare dhe jo vetëm, sepse placka për tu djegur do të hyjë në portet dhe doganat shqiptare, si Lëndë e parë. Dhe kujt i plas për epideminë kancerogjene që ka pushtuar Shqipërinë?

E pra, përvecse nuk dimë se cfarë hamë, nuk dimë se cfarë pijmë, tani nuk do të kemi prehje as edhe te ajri që thithim, as në qytet, por as edhe në kodra e bregdet, sepse tymi toksik vrasës, do të na ndjekë pas ngado. Për një grusht miliona dollarësh më shumë, për ca orgazma laviresh më shumë, për ca fryrje gjoksi më shumë, për pak adrenalinë më shumë për impotentët e dikasterve, dhe për blerjet e nesërme të votave, nga duart e viktimave të sotme të këtij sistemi të dështuar kryekëput.

Dhe nuk është cudi që shqiptarët, me sy nga qielli, të ngrenë herët a vonë një apo më shumë parti të Zotit, apo do të ëndërojnë deri në kapitjen e alkoolit dhe gjumit, juntat ushtarake që të pastrojnë me fshesë të hekurt, pisllëkun e mbledhur të padrejtësive me kaq të tepërt.

Por as kjo nuk do të ndodhë dhe do të vazhdojnë shqiptarët, të zvarriten ditë pas dite, në këtë Periudhë të Palavdishme.