Rregullat e egra të presidentit amerikan Donald Trump për emigracionin mund t’i kushtojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës organizimin e botërorit të futbollit 2026. Krerët e FIFA-s, sipas disa mediave amerikane, kanë kërcënuar se nuk do ta marrin si të mirëqënë kandidaturën nëse administrata amerikane nuk do ta fshijë urdhërin ekzekutiv që ngrin vizat e hyrjes për qytetarët e vendeve që kanë një popullsi kryesisht islamike. Sipas presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, kjo masë e qeverisë amerikane është e papërkueshme me rregullat që bëjnë fjalë për vendet pritëse të kampionatit botëror të futbollit. “Cilado skuadër që kualifikohet për në Kupën e Botës ka të drejtë të dërgojë në vendin organizator mbështetës dhe funksionarë, përndryshe nuk do të ishte Kupa e Botës”, tha Infantino.