Ndikimi psikologjik i pabarazisë

Sociale

Pabarazia ekonomike po rritet, kjo tashmë është një fakt shkruan Forumi Ekonomik Botëror…

Nga të dhënat e fundit të Bankës Botërore, indeksi GINI, që mat nivelin e pabarazisë për Shqipërinë, është 28.96. Shembull tipik i thellimit të pabarazisë në vend është Komuna e Farkës. Pak kilometra larg kryeqytetit, sipas të dhënave nga publikimi i fundit, i përbashkët i Bankës Botërore dhe INSTAT, “Portreti i varfërisë dhe pabarazia në Shqipëri”, tregon se është pikërisht Farka, komuna që ka nivelin më të lartë të pabarazisë nga 373 njësitë administrative (fshatra e qytete) sipas ndarjes së mëparshme territoriale në Shqipëri. Indeksi GINI, që mat nivelin e pabarazisë, është gati 30% për Farkën.

Farka është shndërruar në një zonë të mbushur me vilat luksoze të të pasurve të vendit, që bashkëjetojnë me banorët e varfër, duke u bërë kështu dëshmitare e qartë e pabarazisë që po krijohet në vend.

Situata duket e njëjtë edhe në pjesën më të madhe të vendeve të industrializuara, ku shpërndarja e pasurisë po bëhet gjithnjë e më shumë e përqendruar, shkruan Forumi Ekonomik Global. Në Shtetet e Bashkuara, 10 individët me të ardhura më të larta fitojnë 9 herë më shumë se mesatarja e pjesës së mbetur. Në Australi, ky raport është afërisht 5.

Por rritja e pabarazisë vjen e shoqëruar edhe me një numër të madh pasojash ekonomike dhe sociale. Shoqëri më të pabarabarta kanë tendencën që të kenë shëndet të përkeqësuar, më shumë obezitet, krime të dhunshme, destabilitet politik dhe korrupsion institucional.

Efektet psikologjike

Ajo çfarë njihet më pak është se pabarazia ekonomike ka gjithashtu efekte psikologjike. Për shembull, është një

fakt që njerëzit në shoqëri të pabarabarta kanë një nivel më të ulët të kënaqësisë së jetës dhe normë të lartë të depresionit. Këto dhe efekte të tjera psikologjike mbi individët ndihmojnë që të shpjegohen efektet në shkallë më të lartë të pabarazisë.

Një artikull i ri bën rishikimin e rolit të këtyre dy fenomeneve në veçanti. Nicholas Buttrick dhe Shigehiro Oishi argumentojnë se pabarazia ekonomike shkakton mosbesim dhe konkurrencë statusi.

Mosbesimi

Buttrick dhe Oishi vërtetuan se pabarazia është e lidhur me mosbesimin e përgjithësuar të njerëzve. Njerëzit që shikojnë dallime të mëdha ekonomike priren të besojnë se sistemet ekonomike janë të padrejtë dhe të tjerët kanë ecur përpara duke ndjekur rrugë të dyshimta.

Kjo mungesë besimi është amplifikuar nga nivelet e larta të ndarjes së klasave në shoqëritë e pabarabarta, të cilat reduktojnë mundësitë që njerëzit të ndërveprojnë jashtë flluskave të tyre socio-ekonomike.

Mosbesimi gërryen themelet e lidhjeve sociale dhe të humanizmit. Studimet në Shtetet e Bashkuara tregojnë se banorët në shtetet ku ka pabarazi të lartë kanë më pak gjasa që të jenë pjesëmarrës në grupet sociale. Të pasurit e këtyre shteteve gjithashtu kanë më pak gjasa që të kontribuojnë për bamirësi.

Konkurrenca e statusit

Sipas Buttrick dhe Oishi, mosbesimi është vetëm një nga proceset psikologjike që përgjigjet për efektet sociale të pabarazisë. Njerëzit në shoqëritë me pabarazi të lartë janë më të shqetësuar me pozicionin që ata mbajnë në hierarkinë sociale.

Ankthi i statusit mund të shfaqet si frikë ndaj humbjes së pozicionit ekonomik në shoqëri apo shqetësim se si të tjerët e perceptojnë statusin tënd në ekonomi. Ky shqetësim mund të shfaqet te konusmerizimi. Banorët e shteteve më të pabarabarta të Amerikës në shumë studime kërkojnë sende të konsumit të shtresës së lartë, si p.sh., markat e luksit.