Shqipëria e vogël, një nga qeveritë më të mëdha në Evropë!

Kryesore Politika

Nga Shpetim Zinxhiria

Një çmënduri e vertetë, por ja që është realitet në Shqipërinë e gjeneratës tjetër, në vendin e çudirave. Konkretisht, Shqipëria është një vend i vogël në Evropë, për nga madhësia në qeveri përbën një nga më të mëdhatë në Evropë, duke ndjekur nga pas Rusinë dhe Rumaninë. 

Shqipëria me një popullsi 2.9 milionë dhe Rusia me një popullsi prej 142.3 milionë kanë nga 20 ministra, gjithashtu Shqiperia  ka 2.5 herë më shumë ministri se Hungaria dhe 2 herë më shumë se Hollanda, në një kohë që mesatarja në Evropë është rreth 13 ministri.

E vetmja merite e qeverisë Rilindja është se në kabinetin qeveritar 50% e ministrave janë të gjinisë femërore. Edhe pse jemi një nga vendet më të varfëra në kontinent, kjo gjë me sa duket nuk përbën ndonjë problem për qeverinë aktuale, e cila e rriti kabinetin qeveritar në 33% në krahasim me qeverinë e mëparshme të Berishës.

Bërja e shtetit nga Rilindja në emër të Demokracicë që po vjen dhe që po zhvillohet, nuk do të thotë se zgjidhja më e mirë është shtimi i ministrive për këtë vend kaq të vogël. Shqipëria është një vend ballkanik dhe nuk e ka atë lluks që në kabinetin e saj të ketë një numër kaq të madh ministrash, me mentalitetin se do të zgjidhë më mirë problemet e vendit, në një kohë që këto para mund të shkonin ku është më e nevojshme, te rritja e pensioneve etj.

Zgjedhjet e 18 qershorit po afrojnë dhe do të ishte mirë që këtë radhë për interesat ekonomike te vendit, të ketë një ndërgjegjësim në politikën shqiptare për një reduktim të kabinetit qeveritar. E themi këtë pasi në 2013 vendi ynë kishte 14 ministra, ndërsa sot numri i tyre aktual është 20, duke çuar Shqipërinë n/kampinone të Evropës.

Pa u futur ne detaje përse janë shtuar këto ministri, pasi arsyet tashmë dihen nga të gjithë, të vjen keq dhe indinjohesh kur shikon që kriza ekonomike që ka mbërthyer shumë vende të Evropës, duke mos anashkaluar vendin tonë nga më të varfërit e këtij kontinenti, shikon se shumica e shteteve kanë reduktuar në masë numrin e ministrave, në një kohë që Shqipëria bëri të kundërtën.

Por, duke u hedhur një shikim të shpejtë vendev të BE, shikojmë se disa prej këtyre vendev me popullsi 20 apo 30 herë më shumë, kanë 5-6 ministri më pak se Shqipëria.

Po t’i referohemi në këtë drejtim si, Gjermanisë, Turqisë, Francës, Polonisë apo Spanjës, do të vërejmë se këto vende me një ekonomi më të mirë se vendi ynë, kanë nga 4-6 ministri më pak.

Në Britaninë e Madhe, për nga modelin e saj të qeverisjes, ka në kabinetin e saj 12 ministri, por kaq kanë edhe Polonia dhe Belgjika. Thua të jetë një rastësi apo një çmënduri?

Sikur të mos mjaftojë kjo, nga njera anë shikohet se Shqipëria, për nga kushtet që ndodhet aktualisht, nuk i përshtatet një kabineti qeveritar kaq të madh. Nga ana tjetër qeveria nuk justifikon numrin e madh te 20 ministrave, kur fare mirë mund të reduktoheshin, ashtu si është bërë faktikisht në vendet e tjera të BE.

Një shëmbull të mirë në këtë drejtim dha vendi fqinjë Greqia, e cila reduktoi 10 ministri, duke dubluar tre ministri në një të vetme, praktikë që e shohim edhe në shumë vende të tjera të Evropës.

Të njëtën veprim pat bërë edhe Polonia, që nga 18 ministri që kishte më parë, sot përbën kabinetin qeveritar me 12 ministri, ndërsa Hungaria është i vetmi shtet që ka numrin më të vogël, me 8 ministri, ndjekur nga Hollanda me 11 ministri.

Faktikisht mesatarja e ministrive në këto vende të Evropës është afërisht rreth 13 të tillë për çdo vend, në një kohë që Shqipëria renditet i treti për nga numri më i madh i ministrive, duke ndjekur Rumaninë me 23 dhe Rusinë me 20.

Italia, me një popullsi prej 60 milionë banorë, ka në kabinetin e saj 17 ministri, ku të ardhurat për frymë janë 30.768 euro në vit.

Spanja, me një popullsi prej 46.2 milionë, ka në kabinetin e saj 14 ministri, gjashtë më pak se vendi ynë. Në këtë kabinet qeveria spanjolle ka suprimuar 5 ministri, duke bashkuar në këtë rast dy ministri bashkë siç janë Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ministri i Drejtësisë, Ministri i Punës dhe i Emigracionit, Ministri i Indistrusisë, Turizmit dhe Tregëtisë, Ministri i Mjedisit, Rural dhe Çështjeve Detare, si dhe Ministri i Shëndetësisë Politikës Sociale dhe Barazisë.

Gjermania renditet në vendet e para, me më pak ministri. Me një popullsi 82 milionë, pra 30 herë më shumë se vendi ynë, ka 15 ministri, ose 5 ministra më pak se Shqipëria. Edhe këtu janë bërë reduktime të dy ministrive në një të vetme siç janë: ministri Federal i Ekonomisë dhe Energjisë, Ministri federal i Arsimit dhe i Kërkimeve, apo Ministri Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Britania e Madhe me një popullsi prej 62.2 milionë banorë, ndryshe nga vendet e tjera për modelin e saj të qeverisjes, ka në kabinetin e saj 12 ministri, aq sa renditet i pari për numrin më të vogël të ministrave.

Polonia me një popullsi 38.5 milionë banorë, ndryshe nga vendi ynë, ka ndjekur shëmbullin e vendeve të lartëpërmëndura. Ky vend nga 18 ministri që kish më parë i reduktoi në 12 ministri, pra 8 me pak se vendi ynë. Edhe ky vend ka reduktuar dy ministri sëbashku në një të vetëm, si bashkimi i dy ministrive, Ministria e Sportit dhe e Turizmit, apo Ministria e Shkencës dhe Arsimit etj.

Rumania, pjesë e Ballkanit dhe njëkohësisht anëtare e BE, me një popullsi prej 19 milionë banorë, për nga madhësia e numriot të ministrave zë vendin e parë në Evropë me 23 ministri, duke lënë pas Shqipërinë me 20 ministri.

Holanda përbën shëmbull tipik dhe ka numrin më të vogël në qeverisjen e vendit me 11 ministri, ku qeveris një popull prej 16.7 milionësh. Edhe këtu shikon bashkimin e dy ministrive në një të vetme…

 

Ja përbërja e kabinetit qeveritar në disa vende të Evropës?

Vendet                         Nr.i ministrive             Popullsia

Franca                                16                              65.3 mln

Italia                                    17                              60

Gjermania                            15                              81.8

Britania e Madhe                 12                              62.2

Polonia                                12                              38.5

Irlanda                                 14                               4.1

Belgjika                                12                              10.9

Portugalia                            13                               10.5

Greqia                                 16                              10.7

Çekia                                   16                              10.6

Hungaria                               8                                9.9

Austria                                 13                                8.5

Norvegjia                             14                                5.2

Sllovakia                              13                                5.4

Turqia                                  15                                76.2

Sebia                                   14                                 7.4

Rusia                                   20                                142.3

Rumania                              23                                 19

Shqipëria                             20                                 2,9