Goditje pas shpine, e faktuar nga fjalët e tij!

Politika

Nador Bakalli /

Diaspora Për Shqipërinë e Lirë deklaron se Kryeministri i Shqipërisë ka bërë sot një akt të mirëfilltë goditjeje pas shpine ndaj Kosovës.

Është e pafalshme që të anashkalohet Qeveria e Kosovës në draftimin e një versioni për çështjen e bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe ky version t’i dorëzohet bashkësisë ndërkombëtare pa dakortësim paraprak me Qeverinë e Kosovës.

Shqipëria deri dje, në mënyrë të papranueshme, ka qëndruar në pozicion neutral në lidhje me Kosovën. Sot, Kryeministri i Shqipërisë është vetë-deklaruar palë e tretë pa një konsultim me institucionet dhe ekspertët e çështjes në vend dhe në Kosovë. Për më tepër Kryeminitri i referohet ekspertëve ndërkombëtar por nuk permend emrat dhe institucionet që ata përfaqësojnë.

Diaspora Për Shqipërinë e Lirë dënon me ashpërsinë më të madhe veprimin e Kryeministrit Rama. I ftojmë autoritetet e Kosovës të marrin masa ndaj tij, si ta shohin të arsyeshme brenda kornizës së tyre ligjore.

Gjithashtu shprehim përkrahjen pa kushte për autoritetet e Kosovës në rrugëtimin e tyre kushtetues dhe në përputhje të plotë me sovranitetin e Kosovës. Në ditët dhe javët në vazhdim, Lëvizja do të intensifikojë kontaktet ne Washington dhe BE për të përkrahur pozicionin e Kosovës dhe qeverisë së saj legjitime. Gjithashtu do t’i bashkohemi cdo nisme që synon forcimin e insitucioneve dhe pozicionit të Kosovës.

Ne nuk kemi palë e tretë, jemi shqiptarë dhe qëndrojmë në përkrahje pa kushte të Kosovës!
Kosova na nderon!