Tensionohen marrëdhëniet Tiranë – Athinë

Kryesore Politika

ministri -profilAthinë  –  Marrëdhëniet mes qeverisë së Tiranës dhe asaj të Athinës janë në një fazë vranësire. Me këtë titull del këtë të shtunë, një nga gazetat më të mëdha në vend “Kathimerini”. Sipas saj, shkak për tensionimin e marrëdhenieve mes dy vendeve është bërë kërkesa e qeverisë shqiptare që Greqia të ndërpresë kërkimet për hidrokarbure në zonat detare pranë Shqipërisë, me argumentin se cënohet shelfi kontinental i vendit. Kërkesa përkatëse i është paraqitur Ambasadorit grek në Tiranë, Leonidha Rokanas nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare. Por sipas gazetës konservatore greke, “Kathimerni”, Athina nuk e ka pritur mirë këtë lëvizje duke reaguar menjëherë.


greqia-2

 

Gazeta e përditëshme “Kathimerini”, gjithashtu shkruan se qeveria greke ndjek e habitur politikën që Shqipëria ka nisur që nga viti 2009, kur më pas lideri i opozitës dhe tani kryeministri Edi Rama ka organizuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e marrëveshjes, e cila u realizua. Shqipëria konsideron se Marrëveshja e 2009 për zonat detare të të dy vendeve ishte e paekuilibruar dhe që atëherë kërkon rinegocimin, gjë që Greqia refuzon saktë, sipas ekspertëve ligjorë të palës greke.

Si lëvizje e parë ka qenë anullimi i një takimi që Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, do të kishte të premten me Ambasadorin shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi.

Kathimerini vë gjithashtu në dukje se Ministria e Jashtme greke po përgatit përgjigjen zyrtare ndaj notës së Tiranës, një përgjigje që sipas gazetës do të jetë në nivel politik dhe juridik. Kjo nuk është hera e parë që marrëdhëniet mes dy vendeve tensionohen për çështjen e respektimit të kufirit detar. Rrëzimi i marrëveshjes për kufirin ujor nga ana e Gjykatës Kushtetuese shënoi një tjetër përplasje mes palëve. Qeveria e Tiranës nuk e ka parë asnjëherë me sy të mirë kërkimet për hidrokarbure që qeveria greke ka bërë në ujërat e detit Jon.