NËNËS

Kulture

Nga poeti Nikolla Vreko /

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

do menduar mirë, shpirt,

jo, nuk të lëndoj.

 

Trupi yt është plagë,

zemra e brengosur,

e humbur,

e mjerë,

e vetme,

e varrosur.

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

është e njëjta botë, njëlloj,

është e njëjta poshtërsi,

është e njëjta dukje e bukur,

dukje e shenjtë njëkohësisht,

me sytë e një fëmije …

që jetën e njohin, ende pa lindur.

 

U dergje si jetime, o nënë,

pa ajër e pa shpresë.

Askujt s’i erdhi keq për ty,

askush s’kërkoi ndjesë.

Ta mbylli derën e reja,

me të thyera të gënjeu,

të harroi shpejt,

me të zi buzën të leu.

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

do fshihesha nga turpi,

për një çast pas syve të tu,

të mos dilja më kurrë që aty.

Të qaja mes lotëve të tu,

i prekur përjetësisht.

 

Të dua, nëna ime,

të shoh vetëm sytë e tu,

në një lumturi pa fund.

Ti më thoshje vetë,

se me vajzat s’rri,

do t’i duroj dhimbjet e trupit,

me djalin do t’i ngrys e gdhij ditë e netë,

do ha bukë e hi.

 

Shkove, edhe pa u çmallur,

në brengë u shndërrove.

Njërën vajzë jo aq shumë,

tjetrën shkatërrove.

I mbete në derë,

në shtratin e vdekjes …

Apo mos vdekja qenka fillimi i jetës?

Dhe pyes,

a ka njerëz që vuajnë sot,

a ka mbetur më trishtim,

a ka jetimore në botë vallë,

a ka mbetur në botë pleqëri?

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

Jo aty? …

Ku të duash,

veç jo aty! …

Jashtë shtëpisë sime,

jep shpirt …

tha zëri i ardhur Amerike …

SHPRESËS së pashpresë …

pragun ta hedhë,

me ty në krahë, si fëmijë duke qarë.

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

me ulërima kur të thirri vdekja,

në lotë s’do jesh lagur,

botë e zymtë,

ke trembur buzëqeshjen.

 

Mbylli sytë, mbylli, o nënë,

sytë që s’u plakën kurrë!

Për ku vallë?

në udhë,

hotel,

apo më mirë të gjallë në varr?

 

Të shëmtoi sëmundja,

nëna ime! …

aq sa dhe ajri që thithje,

ishte i ndotur

dhe forca e asaj,

çfarë t’i kërkoje …

tok me ty kish vdekur.

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

mëkatet t’i rrëfeja,

ata që kisha e kam përballë,

a mund të ndjeja vallë,

a mund të ndjej më dhimbje?

 

Çfarë desha tek sytë e tu?

Çfarë më thotë kjo zemra ime?

E dini ç’do të thotë mornica, vallë? …

Për një çast, o nënë,

zoti i ktheu sytë nga ti,

një mirësi,

ta ruajti në fund të thesit …

një zanë-engjëll ëndërroje,

ta mbushte shtëpinë me mirësi,

se ishe helmuar,

por ajo s’ish veç nëna e dreqit! …

 

Ah, moj nënë!

Më kot thonë se zoti ka mëshirë,

si nuk ju drodh zemra,

qyqe mes katër udhëve të la.

Mua, trarit gjysmë të kalbur,

çatinë më hapi

dhe shiun futi.

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

nuk e njoha makthin kurrë,

isha vetë makthi unë!

Pamje abstrakte të fishkura,

me nënën që humbiste në terr,

dëgjoja vetëm zërin tim.

Hakërrim?

Mallkim?

 

Fol, pse s’flet, o njeri?

Fol!

Në pastë bërë kurrë zoti mirë,

me ne po luan

e po bën sehir!

Kupa helmi s’mjaftuan,

tani ti kthehu me gotë.

 

Jetoni, s’mbeti,

sikur pat ardhur në jetë i vetëm …

Si jetim po bredh nëpër botë,

por s’mjaftoi me kaq,

ka edhe të tjera.

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

ta shihja shpirtin,

ta çava zemrën,

t’i shprisha ndjenjat.

Ne s’marrim frymë me frikë!

Ne vendosëm të vrisnim dhimbjen!

Ne e futëm në dhé të thjeshtën!

Penguar,

burgosur për vite me radhë,

egër, vrazhdë, poshtërsisht.

 

Ne e vramë buzëqeshjen

dhe u ngjall frika …

në një natë pa hënë,

në një ditë pa diell,

flijojmë ndjenjat tona,

vrasim dhimbjen thua?…

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë,

një fat si Jetoni paskësh …

dhe Marie-mjera.

 

Kurrë s’të pamë të lumtur,

vetëm shi e breshër në fytyrën tënde.

Si duroi ajo zemër,

e bërë copë,

e çarë? …

 

Ti kurrë s’reshte, një jetë,

të mos brerojë shi,

zoti të llahtarisi,

s’të la të ishe njeri.

U lodhe, e tëra e tretur si qiriri,

deri kur, o zot, deri kur,

do mbarojë së shkriri?!

 

Nga ta zë, o nënë,

nga ta filloj, o nënë? …

 

Malandrino, Shtator 2009