Presidenti i ri, Rama: Do konsultohemi me shqiptarët! Sa më pak politikë për zgjedhjet e 6 marsit

Politika

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes që pati me Grupin Parlamentar të PS-së, ka theksuar se Presidenti i ri i Shqipërisë, do të zgjidhet në konsultim me shqiptarët.

Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se dialogu me opozitën është i vështirë nisur nga situata që është krijuar kohët e fundit brenda Partisë Demokratike.

Na duhet të zgjedhim presidentin dhe do ta zgjedhë ky grup parlamentar, në radhë të parë. Komplikimi i skajshëm me krijimin e dy PD, na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku ta kërkojmë dialogun, me opozitën parlamentare, por ndërkohë ne duhet të mendojmë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Në një mënyrë apo në një tjetër duhet të gjejmë mënyrën për mbledhur opinionin e njerëzve lidhur me figurën e presidentit të Republikës. Pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën e presidentit, ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare, politike e kushtetuese, që t’i japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal.

Një kryetar shteti që t’i kthejë normalitetin njerëzor, moral e institucional zyrës së Presidentit. Nuk do të bjerë nga qielli, me siguri do të gjendet mes nesh, këtu në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo në territorin shpirtëror të kombit tonë, se mund të jetë dhe jashtë kufijve, por e kemi detyrim t’i japim asaj zyre që për pesë vitet e ardhshme të ketë një njeri normal, një qytetar normal, një figurë moralisht dhe profesionalisht normale. Prandaj, do ju lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens dhe cilido që ka një ide lidhur me sesi mund të organizohemi në këtë drejtim t’i ndajë me drejtuesit e grupit. Mund të organizojmë në vijim edhe një bashkëbisedim se si mund të përfshijmë edhe qytetarët për këtë”, -tha Kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama ka pasur disa porosi për deputetët e tij lidhur me zgjedhjet e 6 marsit në disa bashki të Shqipërisë. Rama ka kërkuar nga deputetët e tij që të flasin me njerëzit për hallet e tyre, dhe të bëjnë sa më pak politikë.

Për fushatën do të organizohemi sa më mirë, por duke mos e humbur fokusin nga Këshillimi Kombëtar, se kjo është një shtysë që të gjithë deputetët flasin me njerëzit. Të angazhuar do jenë vetëm forcat vendore, deputetët, drejtuesit politik të qarkut, mesazhet të lidhura me hallet, problemet dhe me shpresat e komunitete dhe sa më pak politikë në këto zgjedhje aq më mirë, se politikisht panorama e këtyre zgjedhjeve është qartë, nga ana jonë ne ofertës së punë, në 6 sheshe nga ana tjetër kundërshtarët tanë me 12 apo 18 kandidatë që do luftojnë për mbijetesën politike të drejtuesve partiak në Tiranë dhe që s’kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje“, tha Rama.

/rtsh.al/