Nga Azem Parllaku / Teksa po mbërrin dita e zgjedhjeve, votuesit shqiptarë kanë të drejtë të jenë nihilistë. Dhe për të demonstruar këtë qëndrim mohues, ata kanë dhjetra arsye, jo vetëm një. I kemi parë përgjatë këtij muaji si sillen kandidatët e listave, që krytarët na i ofruan? Na janë shfaqur si falanga mendësish primitive dhe snobë me brekë prej “gjethesh” kaktusi. Ende as pa iu afruar pushtetit nuk iu durohet arroganca, nënçmimi gati mizantrop i tjerëve dhe primitiviteti në sjellje. Mos harroni se të gjithë janë pjesë e kësaj mizerie ku gjendet shoqëria shqiptare. Dhe kështu si sillen jo se nuk ndryshojnë gjë, por edhe më shumë shpresa i vrasin.
Meganihilisti i postmodernes, filozofi frankorumun Cioran në një bisedë me filozofin spanjoll Fernando Savater (1977) reflekton për esencën e çështjes: “Besoj se pushteti është e keqja vetë, shumë i keq. Kam njohur njerëz që u bënë me pushtet. Ishte diçka e tmerrshme, pyes veten si ka mundësi që një njeri normal akcepton pushtetin. Padyshim sepse pushteti është kënaqësi, është ves. Prandaj nuk ka diktator që vullnetarisht tërhiqet nga pushteti, pushteti është diabolik. Djalli ishte thjesht një engjëll që donte pushtet. Fiksimi për pushtet është mallkimi më i madh i njerëzimit”. Konformizmi i shoqërisë shqiptare ka bërë që gati gjithçka të varet nga politika.
Ushtrimi i pushtetit bëhet nëpërmjet politikës, dhe shkalla në të cilën njerëzit marrin pjesë në veprimtari politike është e ndryshme në vende të ndryshme. Në shoqëritë e hapura individët kanë më shumë liri për të marrë pjesë në ushtrimin e pushtetit politik, sesa në shoqëritë e mbyllura, ku një pushtet i tillë është i kufizuar në grupe të vogla. Ky kontroll dhe varësi nga pushteti bën që, në një shoqëri të humbasë logjika e funksionimit të sistemit demokratik. Në demokraci shoqëria e krijon qeverinë dhe institucionet. Mungesa e vetëdijes demokratike krijon një shoqëri të uniformuar, e cila voton ashtu siç kurdiset nga partia e jo duke shprehur vullnetin real. Përshtatja me këtë sistem të përmbysur vlerash, ka bërë që në Shqipëri, gjithçka të pranohet si normale. Miratimi i së keqes ku dëgjueshmëria ndaj politikës së korruptuar është e theksuar, dëshmon sesi kemi të bëjmë me një krizë kolektive morale. Heshtja përballë të keqes së përgjithshme bëhet për shkak të përfitimeve personale, që vijnë nëpërmjet ushtrimit dhe mbajtjes së pushtetit. Që nga viti i largët 1990, si idealistë e menduam Shqipërinë ndryshe. Por! Shqipëria e vitit 2017, është marrë peng i një grupi familjarësh politikanë, autokratë e diktatorë, që për çudinë e pashpjeguar, nëpërmjet krimit e korrupsionit të mirëorganizuar, gënjeshtrave e mashtrimit, ngjitën shkallët e karrierës, duke u bërë Demonë, duke shantazhuar të ardhmen tonë.
Sipas filozofit gjerman Erich Fromm, politika përherë synon ta krijojë njeriun e dëgjueshëm. Njeriu duhet të dojë, bile edhe të tregojë nevojë për dëgjueshmëri, në vend që të ndjejë frikë nga padëgjueshmëria. Për ta arritur këtë gjendje, Fromm thotë se pushteti bën gjithçka që t’i marrë atributet dhe kualitetet e “të mirës së përgjithshme” dhe “të mençurës së përgjithshme”. Në këtë rast, dëgjueshmëria dhe heshtja paraqiten si veprime të mençura përballë padëgjueshmërisë dhe protestës, si mospajtim me të keqen.
Fatkeqësisht, kjo gjendje është arritur te shqiptarët, gjendje ku, shumica kanë pranuar dëgjueshmërinë si të mirë dhe e urrejnë padëgjueshmërinë si të keqe. “Të pushtetshmit” po na imponohen. Një prej kandidatëve që e ka të sigurtë fitoren, në kohështrirjen e tij virtuale e kishte shpërndarë një video të shoqëruar me një fjali të shkurtër, ku dukshëm binin në sy 18 gabime drejtshkrimore në 9 fjalë. Në video shfaqej një plak, teksa proteston para kamerës televizive për mungesën e ujit në fshatin e tij. Dukshëm i nervozuar nga gënjeshtrat elektorale, ai apelon që politikanët të mos vijnë më të kërkojnë votën.
Plaku është i prerë kur thotë se: S’ka votim, këtë le ta dinë të gjitha partitë dhe të mos kërkojnë vota në fshat”. Plakut nuk i interesojnë politikat e mëdha, që artikulonte kandidati, e as duartrokitjet e të pranishmëve në atë takim, e që çuditërisht asnjëri prej atyre nuk ishte bashkëvendas e bashkëvuajtës me plakun. Ndërsa, kandidati që e ka konsumuar një mandat në atë zonë, bënte sikur e dëgjonte me vëmendshëm plakun i cili qahej për mungesën e ujit, na shfaqet me karakteristikat e një njeriu të djallëzuar, pasi qëllimi i tij është pushteti. Mund të mendosh, ti që kërkon ujë, se edhe kjo javë është vetëm një komedi politike. Por, ekziston një komedi edhe më e madhe, të cilës duhet t’i japësh fund. “E gjithë kjo është vetëm një komedi. Mbreti dhe dhomat e parlamentit qeverisin, populli duartroket dhe paguan”, u shkruante nga Franca prindërve të tij shkrimtari gjerman Georg Büchner në shekullin XIX. “Populli i mjerë tërheq me durim qerren, mbi të cilën princërit dhe liberalët luajnë komedinë e tyre të majmunëve”. Kësaj komedie që është po aq dhe shqiptare i duhet dhënë fund, në mënyrë që politika të mos konsiderohet si shitja e të gjitha vlerave morale për përfitime personale ose një grupi të caktuar njerëzish.
Ne e dimë se çfarë mund të presim prej princërve tanë. Forca e votuesit është zëri i tij. Ndaj është me vend të kujtojmë këtë krijimtari të njohur popullore: Njëni njëherë donte të blinte një derr në treg dhe i’u afrua tregtarit që kishte dy derra; një të madh e një të vogël! Sa bëjnë derrat mik, e pyeti blerësi? I madhi bën 2 grosh e i vogli 3, u përgjigj shitësi. E pse i vogli bën më shtrenjtë? Sepse i vogli është derr i biri i derrit! Kur jemi në hall, nuk dimë cilin ta zgjedhim; derrin apo derrin-të birin e derrit! Pyetja shtrohet: A kemi aq forcë sa të heqim dorë nga pjata me mish për pak kohë, e të mos e blejmë as derrin, as derrin-të birin e derrit?