Afrim KRASNIQI / Mund të ketë shtete të dobëta, mund të ketë të varfra, mund të ketë shtete në krizë dhe në pasiguri, por shteti asnjëherë nuk e duhet ta humbë identitetin, rolin, seriozitetin dhe solemnitetin e tij. E ka shkruar rreth dy dekada më parë ish kryeministri Tony Bler, – i cili për ca kohë ishte/është këshilltar i qeverisë shqiptare. Por këshilla e Bler nuk ka ardhur ende në Tiranë.
Ja absurdi i radhës: mirë që krijuam qeveri 60% politike dhe 40% teknike, 60% të mazhorancës dhe 40% të opozitës, – mirë që në ceremoninë e betimit të ministrave të rinj nuk mori pjesë kryeministri, pra shefi i qeverisë, mirë që të emëruarit janë shumica figura pa ndikim publik dhe disa edhe krejt anonimë, por 6 ditë pas betimit të 40% të qeverisë, përfshirë zv/kryeministrin, nuk kemi ende asnjë takim as formal midis kryeministrit dhe ministrave të tij, midis 60% dhe 40% të ministrave në qeveri, midis kryeministrit dhe zv/kryeministrit, dhe për më tepër, nuk kemi ende asnjë mbledhje qeverie, dhe …. asnjë ndryshim as në faqen zyrtare të qeverive. Aty, ende figurojnë ministrat e vjetër dhe ende nuk janë reflektuar emrat e rinj të qeverisë!!
Imagjinoni pastaj të presim që qeveria e re gjysmë politike dhe gjysmë teknike të qeverisë vendin, kur gjysma nuk e njeh gjysmën tjetër, dhe kur dy gjysmat sillen si dy qeveri paralele brenda të njëjtit shtet, të njëjtit sistem politik, të njëjtit sistem kushtetues.
Le të na flasin tërë ditën se po bëjnë shtet apo republikë të re, se e duan Shqipërinë më shumë se partinë dhe interesin publik më shumë se interesin e tyre elektoral, se nuk i ndajnë shqiptarët në rozë e blu, se janë seriozë dhe modernë, dhe plot broçkulla të tjera, – kur ata vetë nuk tregojnë as respektin minimal për shtetin, për ligjin dhe për kushtetutën dhe kur ata vetë nuk lënë rast pa deformuar çdo vlerë të demokracisë.
Le të qeshin disa me batutat e tyre pa vlerë në mitingje, twitter e FB; le të bëjmë disa sikur ishte risi fakti se pasi privatizuan partitë e shtetin, po emërojnë edhe miqtë e financuesit e tyre deputetë në parlament; le t’i japin disa TV live sa herë qeshin, shajnë, marrin frymë, takohen me fëmijën e tyre apo shkojnë në zyrë….këto kanë qenë e janë zakone feudale shqiptare që ne ende i quajmë lajme, politikë e lidership. POR ata që ende kanë respekt për veten, ende nuk janë shndërruar në turma pa zë, që ende nuk janë nënshtruar përpara fatit, që ende duan një shtet, një shoqëri e një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, – do duhet të gjejnë forcë, me çdo mjet demokratik e qytetar, të refuzojnë talljen dhe oligarkinë, t’i refuzojnë ata si modele dhe si sistem, si sjellje e si mentalitet, si ofertë dhe si mallkim.