Në Shqipëri, një në katër është pensionist

Sociale

Numri i pensionistëve arriti në 635,700 persona vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërorë. Në skemë janë shtuar 14 mijë e 500 pensionistë të rinj, duke bërë që numri i pensionisteve të zgjerohet me 2.3 për qind në raport me një vit më parë.

Ekspertët pohojnë se numri i pensionistëve po vjen në rritje nga viti në vit për shkak të plakjes së popullsisë. Bumi i lindjeve në vitet 5-60 tani ka moshën e pensionimit. Rritja do të ishte edhe më lartë po të mos rritjen koha e daljes së pension me pesë vite për gratë.

Me gjithë rritjen e numrit të pensionistëve qeveria synon të mbajë shpenzimet për pensionet në kontroll, madje t’i ulë ato në periudhë afatmesme. Shpenzimet në vlera neto për skemën e pensioneve do të rriten me rreth 22 miliardë lekë (176 mln euro) në tre vitet në vijim, por në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ato shënojnë rënie.

Nga 7.5% e PBB që ishin shpenzimet për skemën e pensioneve më 2018, ato do të arrijnë në 7.3% e PBB në vitin 2021.

Gjithsesi në vlera neto shpenzimet e skemës po rriten për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve nga viti në vit si pasojë e plakjes së popullsisë, teksa numri i kontribuuesve nuk pëson zgjerim në zonat rurale, përkundrazi. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 1990, vendi numëronte një popullsi më shumë se 3.2 milionë banorë, teksa paguanin sigurime më shumë se 1.4 milionë persona. Në vitin 2017 paguan sigurime vetëm 752 mijë persona, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ishte mbi 2.8 milionë.

Të dhënat krahasuese tregojnë se, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ka rënë me 11%, personat që paguanin sigurime kanë pësuar rënie me 49%.

Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 14.36% ose 87,133 persona. Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2018, u raportuan 635,700 të tillë.

Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2018, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë. Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë. Ndryshimi i strukturës së popullsisë do të sjellë kosto të larta për mbrojtjen sociale, por ende nuk ka një studim për efektet e plakjes të popullsisë dhe sfidat me të cilat po përballen këta persona./Monitor