Rekomandimi, Majlinda Bregu: Shqipëria ia doli më në fund. Ja kush mund të pezullojë negociatat

242

Lajmi i mirë mbërriti. Shqipëria mori rekomandimin e pakushtëzuar për negociatat me BE-në. Majlinda Bregu, përshëndet vendimin, teksa shpreson që hapja e negociatave të ndodhë në qershor.

Ajo çka vlerësoj që është shumë pozitive, e pritshme dhe që më në fund Shqipëria ia arrin, është propozimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave. Sesi do vijojë më pas kjo histori deri në miratimin e propozimit apo vendimit të cilin duhet ta marrin pastaj vendet anëtare në qershor, shpresoj shumë në qershor, por në mos në qershor brenda këtij viti të paktën, kjo sigurisht mbetet akoma për tu parë”, thekson Bregu për “BalkanWeb”.

Ish-ministrja demokrate thotë se drejtësia do të vijojë të jetë reforma kryesore që do të certifikojë ose jo progresin e Shqipërisë drejt BE-së.

Sepse një drejtësi dhe gjyqësor i pavarur e ndan një herë e mirë kulturën e mosndëshkimit, i sjell të gjithë të barabartë para ligjit si trafikantin ashtu edhe atë që mbështet trafikantin, Lufton po njësoj një politikan apo parti politike që ka problem me financimin e parave, ashtu si edhe një qytetar apo biznesmen që bën fshehje apo pastrim parash. Pra, është një drejtësi e pavarur që i jep mundësi realizimit të detyrimeve të tjera”, sqaron Bregu, raporton “BalkanWeb”.

Majlinda Bregu, e cila njeh mirë procesin kërkon kujdes në plotësimin e kapitujve të drejtësisë dhe sigurisë, mosbzatimi i të cilave sipas saj mund të pezullojë procesin e nisur.

Sepse çelja e kapitujve të drejtësisë dhe sigurisë si garanci, si kapituj të parë, progresi i të cilave kushtëzon çeljen e kapitujve të tjerë ka edhe një element sigurie tjetër. Ka një klauzolë që BE e ka përcaktuar që është pikërisht në rast se nuk ka progres të shënuar në këto dy kapituj. Vendet anëtare kanë të drejtë të kërkojnë pezullimin e procesit të negociatave, një klauzolë e shtuar, që do të thotë ndryshe, ne domosdoshmërisht do duhet patjetër që të kemi progres në kapitujt e drejtësisë dhe sigurisë”, përfundon Bregu për “BalkanWeb”.

(BalkanWeb)