Shqiptarët kanë shpenzuar 272 mln euro për udhëtime jashtë vendit

200

Shqiptarët kanë shpenzuar më shumë para gjatë tre muajve të parë të këtij viti për udhëtime jashtë vendit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në total janë shpenzuar 272 mln euro për turizëm duke pësuar një rritje me 7% krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë të huajt që kanë vizituar vendin tonë kanë shpenzuar 348 mln euro.

Shqiptarët po preferojnë që të udhëtojnë më shumë jashtë vendit edhe pse udhëtimet janë për turizëm apo qëllime punësimi. Vetëm gjatë periudhës janar-mars  të këtij viti rezulton se shqiptarët kanë shpenzuar 272 milion euro për udhëtime jashtë vendit. Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se fitimet janë rritur me rreth 7%.

Edhe pse ka qenë periudhë dimri edhe turistët e huaj në vendin tonë janë rritur duke i siguruar ekonomisë vendase rreth 348 milionë euro.

Rritja vjetore e të ardhurave u ndikua nga rritja e numrit të vizitorëve të huaj me 5%. Por pritshëmritë pritet të jenë më të zbehta gjatë muajve në vijim, për shkak se shumë turistë kanë anuluar rezervimet për shkak të krizës politike që ka përfshirë vendin. Ky fakt është pranuar edhe zyrtarisht nga institucionet por edhe nga agjencitë e tur-operatorëve, çka nënkupton se të ardhurat e  përfituara nga turizmi do të jenë më të vogla.

Gjatë periudhës janar –mars jashtë Shqipërisë kanë udhëtuar 1.2 mln shqiptarë duke u rritur 12,4 % krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë turistët që kanë ardhur në Shqipëri janë kryesisht nga vendet e rajonit ku peshën kryesore e mban Kosova, Maqedonia dhe Greqia. Gjithsesi vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe ka pasur një fluks në rritje të turistëve që vijnë nga SHBA, Zvicra dhe Polonia.

Shërbimet e udhëtimit u mbyllën me bilanc pozitiv prej 76 milionë euro, lehtësisht në rënie me 2% në terma vjetorë./oranews/