Vlerësime pozitive për ekonominë shqiptare nga Komisioni Europian

64

Raporti i Komisionit Europian, i cili vlerëson se Shqipëria ka rritjen më të shpejtë në rajon, është cilësuar si shumë inkurajues nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist këtë të hënë.

Raporti, tha Rama, nënvizon se Shqipëria ka rritjen më të shpejtë ne rajon, ka konsolidim të financave publike, ndërsa borxhi publik i vendit po ulet.

Kryeministri Rama tha se Komisioni Europian pritet të akordojë një financim të konsiderueshëm gjatë vitit 2018 në sektorin e bujqësisë.

“Mungon vetëm fjala e fundit nga Komisioni Europian, pas përpjekjeve të bëra nga ministri dhe drejtuesja e AZHBR-së, për të marrë dritën jeshile lidhur me një financim të konsiderueshëm drejtpërdrejt nga KE, për bujqësinë”, u shpreh shefi i qeverisë.

Buxheti i investimeve publike është në nivelin më të lartë të viteve të fundit, konkretisht 5.2 % të PBB, kjo në kushtet kur borxhi publik ulet me 2.5 % të PBB-së. Ulja e nivelit të borxhit publik, sipas Kryeministrit Rama, është e konsiderueshme duke marrë parasysh edhe gjithë trajektoren e rrugës prej kah u nisëm me një borxh jashtë kontrollit.

Sot borxhi është jo vetëm nën kontroll, por shkon në trend ulës”, tha Rama.