Nga Azem Parllaku / Kanë mjaftuar vetëm disa minuta të një emisioni që ndërthur formulën e talk-show-t, me një emision informativ social-kulturor, për të nxitur një debat i cili nuk duhet anashkaluar. Deklarata e bërë nga gazetari Ilir Mati se; “Shishtavecarët janë minoritet maqedonas” e miratimi në heshtje nga moderatorja e njërit prej televizioneve kombëtare dhe të rinjtë e thirrur në panel, dëshmon se, sa kaotike janë njohuritë për Shqipërinë tonë të vogël.
Që Shishtaveci është i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, duhet t’a dijë zoti Mati. Them duhet t’a dijë, mbasi hartën e Shqipërisë me siguri e mban në xhep gjatë gjithë kohës. Profili i tij si një udhëtar i cili “po zbulon Shqipërinë”, e ka detyruar që të ngulë sytë në hartë, e prej këtu të kish mësuar se, Shishtaveci gjendet aty mu në mesin e Shqipërisë Etnike.
Për të shkuar në Shishtavec, nuk të duhen më shumë se tre orë kohë, për të njohur kush janë banorët e tij, e për të kuptuar çfarë është ky fshat i baraslarguar nga Prizreni, Kukësi, e Tetova. Shishtavecarët e hershëm u vendosën në kërthizë të vargmaleve të Sharrit, të paktën që kur Polibi e Tit Livi, dy autorë të Romës Antike, flasin për “Ilirinë e Shkretuar”. Që nga ajo kohë Shishtaveci kurrë nuk është braktisur, apo ripopulliar, thjeshtë blegtorët dhe zanatcinjtë e hershëm kanë shtegtuar dhe kanë ushtruar profesionet e tyre me kohë të pjesshme nëpër trojet shqiptare, Ballkan e deri në Egjypt.
Edhe sot komuniteti i shishtavecarëve të Londrës, është ndër më të mëdhenjtë, puntorë aktiv e i kulturuar. Në librat e historisë dhe në këndshikimet e observuesve seriozë në të gjithë kohrat, nuk është shkruar ose thënë se, Shishtavecin e kanë populluar bullgarët, serbët apo maqedonët. Përkundër kësaj, është shkruar e folur për sakrificën e shishtavecarëve për të ruajtur ngulimin e tyre historik, për të ruajtur e trashëguar brez pas brezi vyrtytet e cmuara të shqiptarisë edhe pse, Shishtaveci u dogj, e u masakrua nga pushtuesit e të gjithë kohrave.
Është e vërtetë që, gjatë shekujve të 8-të deri në të 15-të, sllavët mësynë shtetin e Arbrit, e për rrjedhojë prej atëherë Shishtavecin dhe ngulimet përreth i quajtën “Gorë”. Do t’i kenë quajtur kështu, mbasi këta vendas ishin blegtorë të devotshëm të bjeshkëve, në të cilat kishte, e ka duk një lloj i lules së verdhë, quajtur “goralie” lule agulice.
Emërtimi “Gorë” fillon e shkruhet në të gjithë dokumentat e pasviteve 1348, teksa në vitin 1429, përfshihet në sanxhakun e Dukagjinit. Nën sundimin turk, ndonëse “Gora” ishte bajrak më vete, kurrë nuk u bind, qëndroi njëlloj në betejën mbarëshqiptare të prirë nga ideologët dhe komandantët ushtarakë të Shqipërisë së Epërme.
Shishtaveci dhe “Gora” përreth, e kanë bollshëm të kënaqshme “agendën” me të gjithë qeveritë, vetëm e vetëm në emër të shqiptarizmës. Në gjirin e nënave shqiptare të Shishtavecit, janë pirë dëshmorë të cështjes shqiptare, gjeneralë të luftrave, të tillë ende janë të gjallë, deputetë, besimtarë tek Zoti, njëlloj dhe atdhedashës, ndaj dhe Mati dhe moderatorja Shehu, duhet t’a kishin frekuentuar paksa lëndën e historisë dhe “të pyeturit” si forcë e zakonit për profesionin e gazetarit. Është e vërtetë që në vitin 1991, sekserët për llogari të ish-ambasadës së Jugosllavisë në Shqipëri, financuan një “katedër” pseudointelektuale në Kukës dhe Dragash të Kosovës, për t’i mëshuar idesë se Shishtaveci e katundet përreth, nuk janë etnikisht shqiptare. Reagimi i atëhershëm publik ishte i ashpër, teksa strukturat që kujdesen për sigurinë kombëtare qëndruan në pasivitet. Po e njejtë ishte indinjata publike dhe në kohën kur, grupi i “intelektualëve” të provincës, mbasi kishte dështuar në planin e thurur në zyrat e shërbimit të fshehtë të Serbisë në Prizren, nxitoi të mblidhte firmat për një shoqatë, kësaj here shqiptaro-bullgare. Ndonëse shoqata në fjalë nuk promovoi asgjë, sërish “trafikantët” e vizave e zgjeruan aktivitetin në Sofje. Po i njejtë mbeti, e mbetet pasiviteti i strukturave që kujdesen për sigurinë kombëtare dhe në këtë rast, edhe pse përmes kësaj linje majmen të njejtët sekserë, tashmë të shndërruar në trafikantë profesionistë.
Ndodhi që, dhe studiues nga Akademia e Shkencave të Bullgarisë të josheshin nga kjo lloj tallavaje me shqiptarë që i quajtën bullgarë, aq sa në vitin 1999-2002, doc.Vesellka Tonçeva studiuese në fushën e muzikologjisë dhe etnografisë në Akademinë Bullgare të Shkencave, qëndroi gjatë kryesisht në Dragash, Borje e më pak në Shishtavec. Sipas fjalëve të Tonçev-ës goranët e Shqipërisë në një shkallë më të madhe “kanë konservuar autentiken e zakoneve të mirëfillta shqiptare”. Është e vërtetë se, i vetmi faktor që mund të mirret me rezervë si i pranueshëm, është gjuha gorançe, e cila përfaqëson një dialekt sllav të përzier.
Për këtë gjuhë të cilën e flasin moshat e thyera, mungojnë tërësisht burimet dokumentare si dhe studimet për origjinën e formimin e saj, pavarësisht se ajo ngjason në përgjithësi me gjuhët e popujve të Ballkanit. Është i vërtetë fakti se gjatë komunikimit që mund të bëjnë folësit goranë me ata maqedonas apo bullgarë, ata nuk mund të mirren vesh lehtësisht midis tyre, ndërsa për gjuhën e shkruar asnjë banor nga Gora, nuk është në gjendje të bëjë ndonjë përkthim të saktë e të plotë të çfarëdo shkrimi qoftë, letrar apo zyrtar. Duke e marrë në konsideratë vetëm këtë faktor, e sidomos duke mos patur në dorë as edhe një burim dokumentar, apo studim shkencor për gjuhën e folur të goranëve, lidhur me origjinën, formimin si dhe prejardhjen e saj, është domosdoshmëri të kuptohet se: Si kudo edhe në Gorë, është i pranueshëm fakti, se gjatë pushtimit dhe të sundimit të shteteve sllave, e veçanarisht atij serb e maqedon dhe këtu, mund të jetë vendosur ndonjë fis sllav, i cili duke gjetur një numër të pakët të popullsisë vendase, e në marrëdhëniet që ka krijuar me të, për një kohë të gjatë banorët e fisit sllav, me gjuhën e tyre mund të kenë ndikuar në gjuhën e banorëve vendas, e për pasojë është kryer procesi i “asimilimit” të gjuhës së vendasve, dhe ky proces duhet të jetë kryer për një kohë relativisht të gjatë. Kryerja e procesit të asimilimit të gjuhës gorane, shpjegohet edhe nga fakti, se duke mos qenë gjuhë e shkruar, ka ndikuar si faktor në kryerjen e këtij procesi asimilues të pjesshëm, pasi fjalori i saj nuk ka vetëm fjalë sllave, por një pjesë e mirë e tij përbëhet nga fjalë shqipe.