Prof. Doc Tane TARIFA / Tashmë në konfiguracionin e politikës shqipëtare ka vetëm hijena politike, që i skërmisin dhëmbët njera-tjetrës për ndarjen e presë që i kanë marrë dhe vazhdojne t’i marrin të përgjumurit dhe të përulurit popull. Gjithkush e vëren dhe bile thotë hapur se gjithë këta politikanët tanë, që aktualisht sundojne mbi një mal pasurish që ja kanë rrëmbyer të mjerit popull, aq të pështirë janë bërë sa nuk mund ta shprehesh me fjale…, por zemërimi, urrejtja ngelet vetëm në fjalë dhe asgjë në torbë.Vetëm varfëri të skajeshme, vetëm shpresa të thyera, besime të lëkundura, zhgenjime rrenqethese.
O i mjeri popull !
Në emrin tënd dhe sigurisht edhe për “Të mirën tënde” është bërë dhe po bëhet në vazhdimësi batërdia, duke përfituar miliona e miliarda , këta plangprishësit e pasurisë sonë, këta njerëz të etur vetëm për pasuri pa kufi, këta monstra gjakpirësish!
Në fakt zhgënjimi po çon gradualisht në zemërim dhe hap pas hapi kjo situatë objektivisht e padurueshme do prodhojë edhe faktorin subjektiv që të zgjidhë këtë situate. Faktor që aktualisht mungon, sepse “de facto” të majtë konseguente që të mbrojë interesat e popullit e të kombit nuk ka, por ka të vetequajtura të majta, të cilat kanë degraduar aq shume sa mbështeten vetëm në një grusht njerëzish idealiste e nostalgjike dhe riciklohen vetëm në emër të nostalgjisë dhe të revokimit të figurave të së kaluarës.
Tashmë koha po thërret në skenë ata intelektualë, që jetojnë me pulsin e popullit, që arrijnë të zbërthejnë dhe spjegojnë situatën, që kanë aftësi organizuese dhe mobilizuese, për të bërë ato ndryshime që i takojnë këtij populli dhe këtij kombi. Grindjet e hijenave që vrehen fuqishëm në fjalorin politik në parlament dhe në masmedia, tregojnë frikën që i ka mbërthyer ata nga zullumet e tyre, frikë e kalbëzimit, e paftësisë për të zgjidhur problemet.
Të mos humbasim as shpresen, as kurajon, por të shprehim më shumë guxim për të përballuar të keqen !