32% e popullit shqiptarë janë emigrantë

Ekonomi Kryesore

largohen shqiptaret-2

Shqipëria nga dita në ditë po zbrazet dhe asnjë qeveri nuk po shqetësohet dhe të ndërtojë një strategji kombëtare për të kufizuar sadopak këtë largim të shqiptarëve. Çdo vit rreth 60 mijë shqiptarë braktisin vendin tonë, ndërsa Greqia kthen 10 mijë shqiptarë çdo vit.

Më në fund zbardhet numri i shqiptarëve që kanë emigruar. Atë që nuk e kanë bërë kurrë autoritetet shqiptare, që presupozohet se duhet të kujdesen për ekzistencën dhe mbarëvajtjen e shtetasve shqiptarë nëpër botë, e ka bërë një organizatë ndërkombëtare e specializuar për analizimin e shifrave të ecurisë së emigracionit dhe lëvizjeve demografike në të gjithë botën.

Sipas të dhënave të publikuara nga faqja zyrtare e analizave të emigracionit në botë “Peoplemov”, rreth 32.5 për qind e shqiptarëve jetojnë në emigracion. Në raportin e fundit të emigracionit thuhet se popullsia brenda Shqipërisë është 2.986.952 shtetas, ndërsa 1.438.451 shqiptarë të tjerë jetojnë në vende të ndryshme të botës. Censusi i vitit 2011 regjistroi 2.821.977 shtetas shqiptarë që jetojnë brenda vendit, shifër kjo që lëviz me rreth 164 mijë banorë nga të dhënat e “Peoplemov”.

Regjistrimi i popullsisë, ndërkaq, nuk paraqiti asnjë të dhënë lidhur me numrin e shqiptarëve që jetojnë në emigracion; siç evidentohet nga ky raport. Të dhënat e Censusit 2011 treguan një zvogëlim të popullsisë shqiptare me 7.7% gjatë 10 viteve të fundit, duke supozuar se një nga shkaqet kryesore është emigrimi në shkallë të gjerë dhe ulja e lindshmërisë.

Sipas “Peoplemov”, pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë si emigrantë në Greqi, rreth 676.846 të tillë. Pas Greqisë, një tjetër vend i preferuar për të jetuar nga shqiptarët është Italia, ku numërohen 522.647 emigrantë nga Shqipëria. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh jetojnë në disa shtete të tjera, si: Maqedoni, ShBA, Gjermani, Kanada, Turqi, Britani e Madhe, Francë dhe Australi.

Gjithashtu, në këtë raport publikohen dhe shtetësitë e emigrantëve të huaj që jetojnë në Shqipëri. Edhe në këtë të dhënë, në vend të parë qëndron Greqia, me 80 778 shtetas grekë që jetojnë në vendin tonë. Më pas renditen Maqedonia, Republika Çeke, Izraeli, Italia dhe Rusia. Të gjithë këta shtetas të huaj që jetojnë në Shqipëri përbëjnë rreth 2.98 për qind të popullsisë.

Shifrat e nxjerra nga faqja zyrtare e analizave të emigracionit në botë “Peoplemov”, bazohen në të dhënat e Bankës Botërore për migrimin dhe remitancat, gjatë viteve 2010 dhe 2011, si dhe në të dhënat e popullsisë botërore sipas Censusit Ndërkombëtar të ShBA.

Imigracioni masiv që karakterizon periudhën postkomuniste filloi në korrik të vitit 1990, kur mbi 5 mijë persona hynë në ambasadat e Italisë, Gjermanisë dhe Francës, për t’u larguar nga vendi. Në fund të vitit 1990, mbi 20 mijë shtetas shqiptarë u larguan nga vendi në rrugë tokësore për në Greqi, ku kërkuan azil politik. Në mars të vitit 1991 një numër i madh shtetasish shqiptarë hynë në portin e Durrësit, më i madhi në vend. Pasi morën kontrollin e disa anijeve të flotës detare tregtare, i drejtuan ato për të zbarkuar në portet e Italisë Jugore.

E njëjta situatë u përsërit pak muaj më vonë, në gusht, kur rreth 18 mijë vetë, pasi morën nën kontroll disa anije, zbarkuan në brigjet e Italisë. Emigracioni i paligjshëm u rrit ndjeshëm gjatë viteve të mëvonshme.

Emigracioni pësoi një ulje gjatë viteve 1992-1996. Arsyeja ishte atribut i përmirësimit të stabilitetit politik dhe situatës social-ekonomike. Në fund të vitit 1996 numri i shtetasve shqiptarë që jetonin jashtë vendit arriti në 350 mijë vetë.

Fluksi i emigracionit u bë më masiv në vitin 1997, si pasojë e rënies së skemave piramidale dhe kaosit politik që shoqëroi këtë ngjarje. Ky fenomen ka vijuar edhe përgjatë viteve 2000, pasi të dhënat flasin për një rritje të numrit të emigrantëve shqiptarë drejt vendeve të tjera.