Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në “TV Klan”, të gazetarit Arjan Çani, ka deklaruar se i vetmi shans për nacionalizmin shqiptar është integrimi i të gjithë shqiptarëve në Europën e Bashkuar. Sipas tij, një gjë të tillë e duan edhe miqtë e Shqipërisë, partnerët ndërkombëtarë si SHBA dhe BE. “Unë mendoj se një shqetësim që na vjen nga partnerët tanë të rëndësishëm nuk ka të bëjë thjesht me deklarata të caktuara, por me një klimë, me një përpjekje për ta zhvendosur temën e debatit politik në Shqipëri nga problemet e zhvillimit të Shqipërisë, sidomos atë të integrimit europian. Ky është prioriteti kryesor i SHBA-ve për Shqipërinë pas anëtarësimit në NATO”, tha z. Meta. I pyetur nëse nacionalizmi do të jetë kali i betejës për LSI-në, z. Meta tha se prioriteti i LSI-së është integrimi, zhvillimi dhe punësimi. “Ne kemi integrimin europian, zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Në qoftë se ne dalim në këtë plan, atë të nacionalizmit, do të thotë që ne hedhim në erë të gjithë atë progres që Shqipëria dhe rajoni ka bërë prej më shumë se 20 vitesh. LSI ka vetëm një qëllim: Shqipëria në Europë, të gjithë shqiptarët në Europë. Ky është bashkimi i vërtetë, ai bashkim që na duhet”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ndër të tjera, z. Meta tha se, “për sa i takon qeverisë, mund të them se në qëndrimet e saj ajo ka ndjekur një politikë konstruktive në politikën e jashtme. Shqipëria ka qenë shembull i fqinjësisë së mirë në rajon dhe ka qenë vendi që gjithmonë e ka udhëhequr këtë politikë në rajon, duke qenë disa hapa para të gjithë vendeve të tjera në rajon. Qëndrimet e Shqipërisë kanë qenë jashtëzakonisht konstruktive”. I pyetur në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Berisha për këtë çështje, z. Meta tha se nga ana historike këto deklarata është e vështirë t’i kundërshtosh, por nga ana tjetër, sipas tij, politikanët nuk duhet të merren me histori, por me gjëra konkrete. Duke prekur Preshevën, Lideri i LSI-së tha se një maternitet apo një shkollë atje do të ishte një gjë e çmuar. “Unë personalisht mendoj se ne nuk duhet të përqendrohemi shumë edhe te historia, sepse ne jemi politikanë dhe si të tillë duhet të vazhdojmë më shumë për të gjetur zgjidhje. Edhe në rastin e Preshevës, natyrisht që ne duhet të mbajmë një qëndrim, sepse në rast se atje ndodh një incident, natyrisht që edhe qeveria apo forcat politike duhet të mbajnë një qëndrim. Unë mendoj se një maternitet apo një shkollë atje është një investim i rëndësishëm sepse në fund të fundit kuptohet që përmes neglizhencës ndaj kësaj treve është tentuar një spastrim etnik i vogël, gjë që nuk duhet të ndodhë”, tha Kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Në intervistën e mbrëmshme, ndër të tjera, Kryetari i LSI-së foli edhe për çështje të tjera të aktualitetit politik, si vendimi i gjykatës për çështjen e 21 janarit, ndarja e mandateve për zgjedhjet, apo edhe koalicionet e ardhshme parazgjedhore të LSI-së për zgjedhjet e 23 qershorit.