Malaj: Mos i mbysni bizneset!

Ekonomi

ARBEN MALAJ PORTRETProf.  Arben MALAJ /  Ligji parashikon gjoba deri në 10 milion lekë, ku shuma nuk ka asnjë lidhje me dëmin e shkaktuar, është në thelb dënim penal dhe nuk mund të jepet dhe të arkëtohet nga administrata fiskale. Dënime të tilla, në thelb penale, mund t`i japë vetëm gjyqësori. Kjo e mbron biznesin nga shkatërrimi i tij nga dënime penale të rënda të dhëna nga ekzekutivi, që mund të rezultojnë jo të ligjshme nga një proces gjyqësor.

Duhet reciprocitet, ashtu siç buxheti nuk ja njeh një të drejtë biznesit kur e fiton në shkallën e parë, por i kërkon të shkojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, proces që zgjat edhe mbi 5 vite, ashtu edhe shteti nuk mund t`ja marrë biznesit paratë e një gjobe administrative/dënimi penal, pa kaluar në të gjitha hallkat e gjyqësorit dhe pa marrë formë të prerë.

Qartësimi i ndarjes së masave panalizuese ndaj biznesit në masa administrative dhe penale, do t`i japë më shumë siguri biznesit dhe do ta bëjë atë më të interesuar për tu rritur. Administrata publike në çdo rast që vlerëson se shkeljet arrijnë në kufijtë e dënimit penal, duhet të ndjekë rrugën e gjyqësorit. Kjo do të jetë e dobishme si për biznesin, ashtu edhe për ekonominë e vendit. Kjo ndarje e pushteteve edhe tek gjobat do të demokratizojë qeverisjen e vendit.

Në rast të kundërt, qeverisja me gjoba dhe për më tepër qeverisja jo demokratike, atje ku qeveritë mendojnë se duhet të dominojnë, të kontrollojnë dhe të dublojnë gjithë pushtetet e tjera, do të rezultojë një qeverisje jo efektive dhe jo demokratike.

Kopjimi i modeleve të qeverisjeve të forta nga disa vende aziatike, nuk janë lehtësisht të implementueshme ne vende me kultura jo aziatike. Siç thekson në analizën e tij, pse zhvillimi kaloi nga lindja në perëndim, element shumë i rëndësishëm ishte llogjika e ligjeve. Në vendet e Lindjes së Largët dominuan ligjet e nënshtrimit ndaj perandorëve /diktatorëve, në Perëndim dominuan ligjet e arsyes. Prof. Ferguson konkludon se pa pronë nuk ka demokraci dhe pa demokraci nuk ka zhvillim. Demokracia mbështetet mbi disa parime thelbësore, një prej më kryesorëve është ndarja, balanca dhe kontrolli i pushteteve.

Për të përmirësuar qeverisjen demokratike të vendit tonë është e domosdoshme të rishikohet i gjithë legjislacioni, (jo vetëm tatimor, por duke filluar prej tij) për të gjitha penalitetet e parashikuara. Të rikonceptohen ato në dy grupe; administrative dhe penale, bazuar në parimin e shenjtë të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve.