Zbardhet një detaj i rëndësishëm nga Samiti i Diasporës që është mbajtur këto ditë në Tiranë, ku organizatorët janë shprehur se kanë ftuar shqiptarët e suksesshëm në botë, madje disa i kanë nderuar me çmime.
Bëhet fjalë për shqiptaren Mirela Sula që po korr sukses në Londër me disa organizime shumë të rëndësishme të grave në karrierë që kanë bërë emër në Angli. Një aktivitet të ngjashëm Sula ka organizuar këto ditë edhe në Tiranë, mirëpo ka marrë edhe një ftesë nga organizatorët e Samitit të Diasporës, të cilën e ka refuzuar. Siç rrëfeu vetë Sula, është diskutuar edhe për një çmim për të, të cilin me sa duket nuk ka arritur ta marrë dot.
”Para një ore më kontakton dikush, përfaqësues i politikës dhe më pyet “Mirela, a je në sallën e kongreseve sepse po zhvillohet Samiti për Disaporën dhe do marrësh një çmim”. I thashë jo, jam larguar, sot mbërrita në Londër. Ateherë po e tërheq unë për ty më tha. Realisht u gëzova, fillova të qortoj veten “Pse asnjëherë nuk ke besuar te politika shqiptare – ja ku u kujtuan për ty, gruan e fshatit që po bën fushatë në mbarë botën të rregullosh imazhin e keq që politikanet kanë krjijuar për vendin tone.’’, shkruante dje Sula në profilin e saj.
Por ajo që ka ndodhur më pas është e habitshme, Sulës ia kanë anulluar çmimin.
Versioni i Mirela Sulës dhe shpjegimi pse nuk ka nevojë për çmime :
”Ndoshta ky është ndër mesazhet e vetme që do shihni nga unë për politikën, nuk më ka interesuar dhe as nuk do më interesojë ndonjëherë kjo fushë e turbullt që veç u merr njerëzve por rrallëherë u jep…. Kur me ftuan për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës nuk e kisha të qartë se përse po organizohej, cili do ishte roli im aty, çfarë ndikimi do kishte prezenca ime dhe përse do shërbeja. Ndaj duke qenë se nuk mora përgjigje vazhdova programin tim me konferencën e grave. Dhe meqë ra fjala, dikush me tha “Çfarë u ke bërë grave që vijnë e rrinë pa lëvizur me orë të tëra në eventet e tua, nga mëngjesi deri në mbrëmje. As Edi Rama nuk arrin t’i mbajë njerëzit kështu siç i mban ti”.
Përgjigja ime është “U jap atyre diçka që u mungon, diçka që në fakt duhet t’ua japë politika… gratë tona ministre e deputete”.
Gjithsesi, nuk dua të zgjatem në këtë pikë – do thoni ju “Po çmimin e more???” – Sapo më erdhi një përgjigje “Mirela ti ishe larguar dhe organizatorët kanë kërkuar t’ju kontaktojnë gjithë ditën”.
Ndërsa përgjigja ime për organizatorët dhe gjithe politkanët, gra e burra është: “Faleminderit që s’ma dhatë çmimin sepse do ndihesha sikur do t’i kisha tradhtuar të gjithë ata ndjekës që besojnë në atë që bëj, dhe që janë të zhgënjyer pafund me ju, me samitet tuaja, punët dhe premtimet tuaja boshe. Unë nuk kam pritur ndonjëherë çmim nga ju dhe as nuk do të pres që të vlerësohem nga ju. Çmimet ia jap vetes çdo ditë, me punën time, përkushtimin tim ndaj të mires dhe ndaj njerëzve si unë që besojnë në një ditë të mirë se Shqipëria një ditë do të bëhet, jo me ju, por me rizgjimin e njerëzve të vërtetë që do të ndjekin misionin për të ndihmuar veten dhe vendin e tyre”./Albspirit/