Gjykata rrëzon KLD-në: Shpresa Beçaj fiton 42 paga dhe detyrën

Politika

Nga Xhentila Gjoshi

Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë fiton të drejtën për të ushtruar profesionin e saj në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në mars të vitit 2013, Beçaj ka përfunduar mandatin e saj si kryetare në Gjykatën e Lartë, ndërsa më pas kë bërë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kërkesën për t’u emëruar si gjyqtare në Apelin e Tiranës. Por, si duket kërkesa e saj nuk është marrë parasysh nga KLD, çka e ka detyruar më pas Beçajn që të ngrejë një padi në Gjykatën Administrative. Objekti i padisë së ish-kryetares së Gjykatës së Lartë ndaj KLD-së, është detyrimi i kësaj të fundit ta rehabilitojë Beçaj në statusin e saj si gjyqtare karriere dhe të nxjerrë aktin e emërimit të saj si gjyqtare e Apelit Tiranë. Po ashtu, Shpresa Beçaj ka kërkuar shpërblimin e dëmit në vlerën 8.061.624 lekë, duke shtuar edhe dëmin progresiv të çdo dite deri në ekzekutimin e vendimit. Lidhur me këto kërkesa, Apeli Administratives i ka dhënë disa të drejta gjyqtares Beçaj. Në bazë të vendimit Beçaj do të përfitojë 42 paga mujore si gjyqtare e Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Vendimi

Pas shqyrtimit të kësaj çështjeje, trupa gjykuese e Apelit Administrativ ka vendosur detyrimin e palës së paditur, Këshillin e Lartë të Drejtësisë të nxjerrë aktin e emërimit të paditëses Shpresa Beçaj si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Po ashtu, gjykata ka vendosur që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të dëmshpërblejë paditësen Shpresa Beçaj për dëmin pasuror të shkaktuar nga mosmarrja në shqyrtim të kërkesës së saj për t’u emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Kërkesa e saj konsiston në diferencën midis përfitimit të pagës kalimtare dhe pagës që do të përfitonte si gjyqtare e Gjykatës së Apelit nga data e paraqitjes së kërkesës më 10.10.2013, deri në datën e përfundimit të pagesës kalimtare dhe pas kësaj date, pagën bruto të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit deri në ditën e ekzekutimit të vendimit. “Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të kërkimeve. Shpenzimet gjyqësore janë në ngarkim të palës së paditur. Ky vendim përbën titull të ekzekutueshëm nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor. Afati për ekzekutimin e detyrimit monetar caktohet në 6 muaj, nëpërmjet shlyerjes së detyrimit në 2 këste të barabarta të totalit detyrimit. Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë Brenda 30 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ.

Gjyqtarja

Shpresa Beçaj ka punuar në gjykatat shqiptare që në vitin 1983. Me mbarimin e fakultetit ajo është emëruar kryesekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh. Në vitin 1985 është emëruar Këshilltare Ligjore po në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh. Në vitin 1987 është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 1990. Ndërsa në vitin 1990 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Katër vite më pas, Beçaj është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 2004, ajo është emëruar Anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2006 ku ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Me Dekretin nr. 5913 më datë 08 tetor 2008, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Beçaj është emëruar Kryetar i Gjykatës së Lartë. Këtë detyrë, ajo e ka lënë në mars të vitit 2013.

Gjyqtarja

Shpresa Beçaj, gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryetares së Gjykatës së Lartë ka thënë se kjo gjykatë është përballur me problematika që kanë penguar përmirësimin e kësaj gjykate në kuadër të administrimit të drejtësisë. Sipas saj, Gjykata e Lartë gjithmonë ka qenë e mbingarkuar nga gjykimet e çështjeve të ndryshme, nga më të thjeshtat deri tek ato më të komplikuarat. Këto çështje, sipas saj kanë sjellë vonesa të ndjeshme në gjykimin e çështjeve.