Ta zgjidhim krizën me dialog dhe me mjete politike

Intervistë

Në intervistën me gazetarin Llambi Kallço në tv “Adria Net” në Durrës, drejtuesi i lëvizjes ‘Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, propozoi që drejtuesit e partive shqiptare të mblidhen në Bruksel dhe, në bashkëpunim me zyrtarët e BE-së, të diskutojnë për reformën zgjedhore dhe datën e re të zgjedhjeve parlamentare që të zgjidhet kriza politike. Z.Kokëdhima deklaroi se populli shqiptar meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë lidershipi i PS-së të marrë përgjegjësitë që duhen. Drejtuesi i lëvizjes “Zgjidhja” deklaroi se vetëm të marrët mund të mendojnë se do bëhen zgjedhje në këtë vend pa opozitën dhe u shpreh i sigurtë se zgjedhjet do të shtyhen dhe se reforma zgjedhore do të bëhet.

Llambi Kallço: Do të ndalemi tek zhvillimi më i fundit, tek ajo lëvizje politike që bëri LSI që e shikon të domsdoshnme prezencën e Opozitës në parlament. Cili është këndvështrimi juaj zoti Kokëdhima lidhur me këtë zhvillim të ri politik, i cili mund të sjellë edhe zhvillime të tjera të papritura?

Koço Kokëdhima: Unë kam folur për Lëvizjen Socialiste për Integrim, përpara se sa të deklarohej vetë LSI-ja. Unë jam deklaruar dy herë, para se ata të LSI-së të deklaronin zyrtarisht qëndrimin e tyre, jo se kisha ndonjë informacion, as se isha pjesë e ndonjë diskutimi konsiprativ, por se bazohesha në logjikën e politikës dhe në logjikën e ftohtë në të cilën duhet të analizojmë zhvillimet e vendit. E kam deklaruar se LSI-ja nuk mund të futet në zgjedhje pa opozitën. Po e deklaroj sot përsëri këtu. Është marrëzi të mendosh se mund  të bëhen zgjedhje pa opozitën. Nuk do të bëhen zgjedhje pa opozitën në Shqipëri. Nëse lidershipi i PS-së dhe qeveria mendojnë që të ngulin këmbë dhe të insistojnë për të bërë zgjedhje pa opozitën, kjo është një kosto shumë e madhe për vendin, për shoqërinë dhe për PS-në, që ka përgjegjësinë e qeverisjes dhe të koalicionit. Pa opozitën nuk shkohet në zgjedhje. Është njësoj sikur ta çosh vendin në katastrofë, në përpjasje të mëdha sociale, në destabilizim, drejt izolimit nga investimet dhe drejt rrënimit, dhe këto nuk mund të ndodhin. Kështu që LSI-ja, në dijeninë time dhe në vlerësimin tim, me aq njohuri sa kam për këtë parti, nuk mund të marrë përsipër kosto të tilla, por as nuk mund të jetë e papërgjegjshme që t’i bashkohet një rrugë të tillë që është rrugë e minuar, nuk është rrugë paqësore.

Llambi Kallço: Zoti Kokëdhima, në këtë realitet që jemi, cila është, sipas jush, zgjidhja ideale për të kaluar këtë krizë politike?

Koço Kokëdhima: Emisioni juaj quhet “Udhëkryq”, nëse nuk e kam gabim. Në një fjalim kam deklaruar se populli shqiptar në këtë tranzicion të gjatë, të dhimbshëm dhe të vështirë, vazhdon të ndihet akoma në udhëkryq. Dhe kjo është një nga arsyet  pse e kemi iniciuar lëvizjen “Zgjidhja” për të ndihmuar daljen nga ky tranzicion dhe instalimin e një demokracie të vërtetë funksionale kushtetuese në Shqipëri. Përsa i përket çështjes së krizës aktuale më vjen shumë keq që PS-ja nuk është në pozitën që duhet të ishte. Dhe kjo ndodh sepse lidershiqi i saj ka konflikt interesi. Lidershipi i saj dhe kryesia e Partise Socialiste dominohen nga një grusht ministrash dhe nga kryeministri, për të cilët nuk kam asnjë ngarkesë negative, sepse i çmoj si miq. Por dëshiroj të them mendimin tim të vërtetë që u shërben dhe atyre në terma afatgjatë, pavarësisht se si mund ta kuptojnë ata dhe interesat e ngushta pragmatiste të tyre, se nuk janë në gjendje të shikojnë situatën, të shikojnë larg dhe të marrin vendimet që janë në interes të Shqipërisë. Partia Socialiste do të  duhet të ishte shprehëse, zëdhënëse dhe përfaqësuese e aspiratave të socialistëve të bazës dhe qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë. Kush i do zgjedhjet e lira? Kush digjet për zgjedhjet e lira? Saliu dhe Partia demokratike? Jo! As lidershipi i Partisë Socialiste? Jo!. Sepse është e vërteta e këtyre 20 vjetëve që tregon se të dy këto palë, të dy këto ekipe udhëheqëse, kanë bërë krime elektorale, janë përfshirë në vjedhje, manipulime dhe trafikim votash në Shqipëri. Kjo nuk është akuzë, nuk dua as të akuzohet njeri, por është thjeshtë raportim. Unë flas këtu me dijet që kam për të vërtetat e jetës. Nuk i interesojnë banorëve të kësaj toke, manipulimet e zgjedhjeve. Nuk i duan socialistët zgjedhjet e pandershme, nuk i duan demokratët e thjeshtë zgjedhjet e pandershme. Nga zgjedhjet e manipuluara, të deformuara, trafikuara dhe pa strandarde, përfitojnë vetëm 50 vetë, një grusht njerëzish dhe humb i gjithë populli.

Llambi Kallço: Si mund të dalim nga kjo situatë?

Koço Kokëdhima: Pa asnjë modesti, me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe me vizion, “Zgjidhja” dhe unë jemi deklaruar të parët në Shqipëri, që kur është themeluar “Zgjidhja”, se iniciativën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri duhet ta marrë në duar PS-ja, koalicioni dhe qeveria. Këta nuk  e morën në duart e tyre, sepse u sollën si qeveria e Saliut në të shkuarën.

Llambi Kallço: Pra kanë përsëritur të njëjtat gabime, z.Kokëdhima?

Koço Kokëdhima: Kanë të njëjtat sjellje. Kur janë në opozitë flasin si shërbëtorë, kur vijnë në pushtet sillen si sundimtarë. Kur vijnë në pushtet nuk ju interesojnë më standardet dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë. Zgjedhjet e lira e të ndershme nuk janë as për Saliun, as për PD-në, nuk janë as për lidershipin e PS etj ,etj. Janë për qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, qofshin ata  socialitë, demokratë, lësistë. Qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë fitojnë mga zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe të drejta. Të gjithë humbin nga zgjedhjet e deformuara.

Llambi Kallço: Ju jeni për qeveri teknike z.Kokëdhima?

Koço Kokëdhima: Unë jam që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë,  si i kanë mashtruar gjithë jetën e tyre. 26 vjet mashtrime konsumon populli nga këto elita politike që nuk përtërihen, që janë po të njëjtët, të pavdekshëm, janë si hajlandera. Ja aty do të rrinë 50-100 vjet, nëse nuk do të ndërrohen. Pse? Sepse ky vend nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë që ne kemi nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ky është themeli i shteti dhe demokracisë.

Llambi Kallço: Cili është vizioni juaj për ta zgjidhur këtë ngërç?

Koço Kokëdhima: Padyshim që kriza që kemi aktualisht do të sjellë një zhvillim. Problemi është a do sjellë gjënë e duhur? A do të sjellë standardet e plota për zgjedhjet? Apo do të sjellë prapë zgjedhje të pranueshme?. Më acarojnë deklaratat e reporterëve të OSBE/ODIHR-it në çdo palë zgjedhje kur thonë se janë zgjedhje të pranueshme. Populli shqiptar nuk do dhe nuk meriton zgjedhje të pranueshme, nuk meriton standarde gjysmake për zgjedhjet, nuk meriton standarde inferiore dhe kalimtare. Populli shqiptar meriton zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme si çdo vend i civilizuar në Europë, në SHBA dhe në botë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, veçanërisht militantët e PS-së dhe PD-së, që të ndjekin me vigjilencë gjithë këto ngjarje që po ndodhin, gjithë këtë krizë që po zhvillohet dhe të kërkojnë që nga kjo krizë të merret produkti i duhur, të zgjidhet përfundimisht problemi i zgjedhje me standarde si në të gjitha vendet e civilizuara.

Llambi Kallço: Si e vlerësoni qëndrimin e ndërkombëtarëve  në momentin aktual, në kushtet e kësaj krize?

Koço Kokëdhima: Kur flasim për ndërkombëtarët ne kemi parasysh diplomacinë dhe institucionet e Bashkimit Europian, në radhë të pare, pastaj kemi parasysh SHBA-të si partner prioritar strategjik i Shqipërisë dhe në radhë të tretë kemi gjithë mjedisin tjetër ndërkombëtar. Por këto dy të parat janë thelbësore në kuptimin e ndikimit politik, në politikën zyrtare të Shqipërisë. Politika jonë duhet të jetë në gjendje ta sensibilizojë Bashkimin Europian që  të luajë rolin e duhur përpara se këtu të ndizet flaka. Sepse kemi shumë përvoja nga këto 26 vite dhe ne nuk duhet të presim që kur të ndizet zjarri në Tiranë dhe në Shqipëri, ata të vijnë me zjarrfikësit dhe me kapacitetet tyre dhe të shuajnë zjarret këtu. Shqipëria i ka të gjitha kushtet që t’i zgjidhë problemet e veta me burimet e saj. Dhe unë do të propozoja që sot partitë politike që janë të interesuara për zgjedhjet në Shqipëri të krijojnë një delegacion dhe të shkojnë në institucionet e Bashkimit Europian, në Bruksel dhe të diskutojnë Reformën Zgjedhore, datën e re të zgjedhjeve. Duhet të ndërgjegjësojnë edhe Brukselin që situata që kemi në Shqipëri është me shumë rreziqe dhe nuk mund të zgjidhet me rekomandimet e ambasadorëve, me deklarimet me shumë kuptime, ose me ato deklarimet me “arra në gojë”, derisa këtu të ndizet zjarri. Situata dhe vendi po shkojnë drejt destabilizimit. Kush nuk ka mendje të kuptojë, sy që të shikojë dhe nuk ka logjikë që të kuptojë nuk mund ta vërë re këtë që them unë. Kur unë shoh sot akoma që ka shtetarë që thonë  se do të bëjnë zgjedhje pa opozitën, më rrënqethet mishi. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri pa opozitën. Vetëm të marrët mund të mendojnë se do bëhen zgjedhje në këtë vend pa opozitën. Opozita është gjysma e popullit shqiptar dhe ajo gjysma e popullit shqiptar nuk përjashtohet dot nga askush. Qeveria mund të ikë, por kjo gjysma e popullit nuk mund të ikë. Kjo gjysma e popullit ka të drejta të patjetërsueshme. Kauza e zgjedhjeve të lira është kauzë e popullit, e qytetarëve dhe e të majtëve. Është një gafë e rëndë e qeverisë së PS-së që e ka lëshuar kauzën e zgjedhje të lira ta mbajnë në duar Berisha dhe PD-ja, që janë dy mëkatarët më të mëdhenj përsa i përket zgjedhjeve në Shqipëri. Krimet më të rënda elektorale i ka bërë Partia Demokratike në këto 20 e ca vite  në Shqipëri. Partia Socialiste, lidershipi i saj, nuk u distancua nga kjo kulturë e vjedhjes dhe e manipulimit të votës, iu bashkua asaj kulture dhe erdhi në një pikë që të dy palët vjedhin, manipulojnë dhe trafikojnë vota dhe nuk e lënë Shqipërinë që të ngrejë kokë. Janë të lumtur në këtë tokë vetëm ai grushti i qeveritarëve të majtë dhe të djathtë, të dy palët janë të lumtur. Ndërsa për popullin kjo tokë është kthyer në ferr dhe problemi është a do kemi prapë zgjedhje të pranueshme apo do kemi zgjedhje me standarde të lira dhe të ndershme, përfundimisht të pranueshme dhe të pakontestueshme nga shqiptarët këtej e tutje. Këtë pikë shtoj unë. Por, që zgjedhjet do të shtyhen, që reforma zgjedhore do të bëhet, kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi. Kjo do të ndodhë kështu si them unë. Dhe që qeveria e majtë do të bjerë, kjo nuk ka asnjë dyshim. Edi Rama është përgjegjës përpara Partinë Socialiste, sepse për interesin e tij personal, për karrigen e tij personale, është duke e larguar PS-në dhe të majtën nga qeverisja dhe nga e drejta e tyre legjitime për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme në shqipëri.

Llambi Kallço: Ditën e dielë ju keni bërë një letër të hapur që ia keni drejtuar Asamblesë Kombëtare të PS-së. Ndërkohë që keni thënë se do t’i ofroni një listë të njerëzve të dalë pas votimeve me primare në lëvizjen “Zgjidhja” dhe nëse nuk i pranon, lidershipi i PS-së do të mbajë koston e përçarjes. A mendoni se është pikërisht reagimi i PS-së, i Edi Ramës ndaj kësaj kërkese që keni bërë, ai që mund të përcaktojë përfundimisht dhe lidhjen e lëvizjes suaj brenda Partisë Socialiste?

Koço Kokëdhima: Po të shikojmë me kujdes qasjen e LSI-së, është një qasje shumë korrekte. Nuk mund ta çojë vendin në luftë Ilir Meta dhe LSI. Po të shohim qasjen e PDIU-së, është qasje atdhetare, është korrekte, është me mendje të ftohtë, është racionale, shumë produktive, ndihmuese për zgjidhjen e krizës dhe është e vlerësueshme. Shiko se ç’ndodh! Partia Socialiste po izolohet. Po si mund të izolohet PS-ja? Në vitin 1991 dhe 1992, ishin socialistët e Shqipërisë që bënë zgjedhje ideale, zgjedhje që askush nuk ka mundur t’i kontestojë. Në 1994 dhe 1996 Saliu e mbolli kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërsa socialistët i bënë zgjedhjet perfekte, askush nuk e njihte vjedhjen e zgjedhjeve në këtë vend. PS-ja është vënë në izolim nga të gjithë faktorët politikë, sepse kryeministri dhe qeveria nuk bënë për katër vjet reformën zgjedhore, nuk bënë asgjë për të pastruar përfundimisht zgjedhjet. Sot në rrugën kur PS-në dhe qeverinë e saj po e rrethojnë gjithnjë e më shumë gjithë këta faktorë të mëdhenj presioni. Nuk do jetë e largët dita kur ndërkombëtarët ta braktisin dhe izolojnë Partinë Socialiste dhe qeverinë tonë e ta detyrojnë të pranojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të pranojë reformën zgjedhore, standardet minimale që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, shtyrjen e zgjedhjeve dhe qeverinë teknike. Çfarë i kam propozuar unë Edi Ramës? Mos e ço Partinë Socialiste dhe shumicën e majtë në pozitën që të dorëzojë qeverinë. Mos ia hiq PS-së dhe shumicës së majtë kredibilitetin për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme se nuk e meritojnë. Mos i bëj mëkatet e kësaj qeverisjeje, mos i kthe në një inferioritet të tillë për PS-në këto situata. Unë i propozova Kongresit dhe Asamblesë së Partisë Socialiste , madje Kongresit të Jashtëzakonshëm se nuk kemi ne arsye që të shkojmë në një qeveri teknike. Ne duhet të pranojmë kërkesat e drejta të opozitës, të çdo shqiptari nga do që vijnë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për standardet. Ne duhet të pranojmë kanabizimin kriminal të Shqipërisë. Duhet të pranojmë faktin që gjithë kjo fuqi  financiare ilegale do ta afektojë parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe zgjedhjet. Duhet të pranojmë shqetësimet e drejta të opozitës dhe duhet t’u japim zgjidhje atyre. Pra ne duhet të jemi flamurtarët e Reformës Zgjedhore me standardet më të mira që i japin fund tranzicionit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe të bëjmë  një qeveri të majtë, të shumicës së majtë që t’i shërbejë besimit dhe t’i japë besimin e duhur opozitës dhe gjithë faktorëve të interesuar për zgjedhjet. Çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhë pas pak ditësh dhe javësh? Partia Socialiste dhe lidershipi i saj do të provojnë presionin e brendshëm dhe të jashtëm dhe do t’i dorëzojnë këto kushte që them unë. Atëherë do ta vendosin PS-në, socialistët, trashëgiminë më të mirë socialpolitike të këtij vendi, në pozitën e tanishme që të na marrin zvarrë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ata që kanë bërë shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe i kanë mbjellë gjithë ato kultura deformuese dhe manipuluese në këtë vend. Ja pse i kam thënë qeverisë, mos e ço Partinë Socialiste në katastrofë. Imagjino të ndodhë ky vizion që kam shpjeguar unë qysh në 1 shkurt, pa filluar demonstratat e opozitës. Imagjino si do të jetë kjo verë për Partinë Socialiste. Do të jetë rraskapitëse kur ne jemi nën presionin e akuzave për drogën, sepse janë implikuar zyrtarët e shtetit, pa lejen e Partisë Socialiste, pa miratimin e saj, pa dëshirën e saj dhe pa përfitim për Partinë Socialiste, sepse këta zotërinj kanë qeverisur pa e pyetur bazën socialiste, pa i pyetur forumet e saj, pa marrë konsultim me këto forume, pa vendimmarrje kolegjiale dhe kanë bërë gjithë ato histori të diskutueshme sot gjithandej në opinionin publik shqiptar. Për këto arsye them unë që lidershipi i Partisë Socialite e ka detyrim të madh të ulet modestisht, mos bëjë të fortin se do të dalë absolutisht i humbur nga kjo histori. Nuk është problemi se humbasin dy, pesë, shtatë njerëz. Problemi është se humbasin njerëzit e pamerituar, humbet nderi i Partisë Socialiste, humbet nderi jo i Partisë Socialiste së udhëheqjes, por ai i Partisë Socialiste të bazës, i socialistëve të thjeshtë që janë njerëz që nuk e meritojnë.

Llambi Kallço: Më bën përshtypje fakti që ju jeni i interesuar që edhe në këtë situatë kaq delikate ta reformoni Partinë Socialiste. Pse nuk gjetët ju një zgjidhje tjetër si për shembull Berluskoni  apo Grillo në Itali që ju të krijoni një forcë dhe nëpërmjet kësaj force t’i realizoni këto programe dhe këto ide?

Koço Kokëdhima: Unë jam tradicional si formim, jam mendjehapur dhe  njeri i lirë pa paragjykime. U dua të mirën gjithë njerëzve, nuk e nxjerr dot gjakun e familjes sime nga themelet e këtij shteti dhe lirisë së këtij vendi. Jam i majtë nga familja ime. Familja ime ka derdhur gjak, ka dëshmorë, ka heronj, ka patur një çetë nga fisi im në luftën nacional-çlirimtare. Ne kemi përfituar nga reforma agrare në vitin ’46. Njerëzit e mi kanë qenë të lidhur me të majtën gjithë jetën. Unë vetë jam edukuar me bindjet e majta dhe kam bindje dhe kulturë të majtë. Gjithë jetën time, veprimtaria ime, është e tillë. Unë e dua të majtën, Partinë Socialiste, jo partinë e udhëheqjes. Nuk kam asnjë dashuri idilike unë për partitë, por e çmoj këtë trashëgimi dhe e përdor këtë në interes të popullit tonë  dhe të zhvillimit të vendit. Nuk e ndërroj këtë gjë. Dua ta shpëtojmë Partinë Socialiste nga shpërbërja dhe nga fati i PASOK-ut, drejt të cilit këta qeveritarë të papërgjegjshëm po e shtyjnë çdo ditë. E shtyjnë drejt shpërbërjes, shkoqjes dhe falimentimit këtë parti. Dhe unë nuk dua që të ndodhë kjo gjë. Prandaj e kam bërë dhe do e bëj deri në fund luftën time, sepse mendoj se Partia Socialiste është një aset i madh politik në duart e popullit tonë.

Llambi Kallço: Z. Kokëdhima desha të ndalem në një moment që ju e cekët, por m’u duk pak i ekzagjeruar. Imagjinoni, thatë ju, që mund të ndodhin dhe ngjarje të tilla saqë Shqipërisë t’i vihet zjarri. Më falni, por nuk mendoj se mund të përsëritet sërish’97-a. Nuk mendoj se situata është aq e agravuar sa mund të ndodhë diçka e tillë.

Koço Kokëdhima: Një farë zjarri i është vënë Shqipërisë, por nuk është zjarr i dukshëm. Është nga ato zjarret që e japin efektin në trupin e ekonomisë së vendit. Përshembull, unë  jam klient në një hotel në Tiranë. Është një hotel fantastik, një investim,70 e ca milionë euro dhe që kanë një staf shumë të përgatitur, që ofrojnë të gjitha shërbimet me standarde ndërkombëtare. Gjatë gjithë këtij viti, 12 klientë në ditë kanë ata. Që i bie se kanë gjithë atë staf, gjithë ato shërbime, dhe që duhet të mbyllen dhe të shkojnë në falimentim.

Llambi Kallço: Pra, një indikator që po jepen shenjat e para të pasigurisë apo të problemeve të tjera?

Koço Kokëdhima: Po. Që ekonomia që këtu është në përpëlitje dhe është duke dhënë shpirt. Kjo është ideja. Mes Tiranës të ndodhin fenomene si këto që them unë janë shenja shumë të rëndësishme për situatën ekonomike të vendit. Janë tregues shumë të rëndësishëm. Dhe për thithjen e investimeve edhe për historitë e tjera. Tani, kur do i thërrasim mendjes, kur të kemi eksplozion social, kur të kemi përleshje nëpër rrugë, si duam të shkojmë, duhet ta çojmë popullin atje në Kavajë të përleshet?! Duhet të humbim jetë njerëzore që të kuptojnë këta? Politika është për të shmangur çdo lloj konflikti të tillë dhe çështje të tilla duhen zgjidhur me mjete politike dhe  diplomatike dhe s’mund të zgjidhen me përplasje njerëzore, me humbje jete dhe me shkatërrime. Prandaj, edhe sot dëshiroj të them bindjen time nga gjithë përvoja e jetës sime, që arsyeja e ftohtë duhet të sundojë  në situata të tilla.

Llambi Kallço: Ndalemi pak te programi i lëvizjes suaj. Unë e kam parë programin, por le të ndalemi pak te pjesa e qytetarëve, ajo që është edhe më e prekeshme dhe më e ndjeshme. Ndalem pak në çështjen e legalizimeve, prishjeve, por që janë shumë problematike te njerëzit. Këto çështje janë ai kanceri që ka shoqëria shqiptare. Janë bërë burim konfliktesh.

Koço Kokëdhima: Platforma që unë udhëheq, “Zgjidhja”, ka butona në faqen e saj online, ku thuhet: si e do ti lëvizjen tënde? Si e do ti qeverisjen tënde? Kjo është një punë që bëhet bashkë me njerëzit. Nuk është një udhëheqës mendjendritur, një udhëheqës i madh, që bën gjëra të habitshme, që bën vendime historike dhe që është i jashtëzakonshëm, që është karizmatik dhe që mund ta çojë popullin tonë në një mrekulli. Nuk i besoj kësaj ëndrre. Unë i besoj diçkaje tjetër. Njerëzit janë më të mençurit. Me nevojat e tyre mund të bëjmë programet që duhen dhe modelet qeverisëse që i nevojiten këtij vendi. Prishjet dhe legalizmet janë një tezë e projektit tonë politik. Janë një tezë e prodhuar nga ngjarjet e jetës. Unë kam përjetuar ngjarje shumë të vështira, por shumë të vështira, emocione shumë të vështira që lidhen me drama të rënda të njerëzve, të cilëve iu prishen pasuritë, shtëpitë dhe bizneset, iu shpronësohen trojet, ndërtesat, për interesa të ashtuquajtura publike dhe iu shpronësohen me çmime qesharake dhe statusi i tyre, nga një status më i mirë përpara operacioneve të tilla, rezulton një status më i keq; një njeri me strehë rezulton i pastrehë, një njeri me shumë pasuri rezulton me pak, ose hiç pasuri. Të gjitha ndërtimet e paligjshme që janë bërë para vitit 2013, fundi i 2013-s, kur ne, qeveria e shumicës së majtë vendosi tërësisht kontrollin mbi territorin, duhen legalizuar të gjitha, pa përjashtim. Është krim ndaj familjeve të caktuara mos legalizimi i ndonjë ndërtimi të bërë përpara 2013-ës.

Llambi Kallço: Pra, ka diferencë në procesin e legalizimeve apo jo z. Kokëdhima?

Koço Kokëdhima: Përpara fundit të 2013-s, ose më saktë përpara vitit 2014, të gjitha ndërtimet e paligjshme janë bërë në bashkëpunim me shtetin. Ai është bashkëpunëtor në të gjitha ndërtimet e paligjshme. Kandidati për deputet, kandidati për kryeministër, kanditati për kryetar bashkie i kanë shkelur gjithmonë sytë zgjedhësve dhe i kanë thënë: hidhe një kat, bëje një ndërtim pa leje, shtoje një dhomë këtu, zëre dhe territorin këtu se ta bëj unë. Mjafton të më japësh votën mua. Është një sëmundje e rëndë që në fakt e bën fajin njësoj. Ç’kuptim ka? Të vrasësh në Tiranë është krim, të vrasësh në Golem nuk është krim?! Është njësoj krim. Të bësh një vrasje 6 metra afër vijës së detit apo ta bësh në Sukth është tjetër? Jo nuk mund të jetë tjetër. Të gjitha ndërtimet e paligjshme janë njësoj nga pikëpamja e statusit ligjor. Dhe në bazë të kushtetutës së vendit të gjitha këtyre duhet t’u jepet legalizimi. Të vijë qeveria sot dhe të thotë: këtu kam një rrugë për të kryer unë dhe të gjitha këto që ke ti do t’i prish, kjo është kriminale. Kam përjetuar shumë raste të vështira.

 

Llambi Kallço: Po përse z. Kokëdhima, për interesa madhore të zhvillimit të qytetit mund të ketë edhe ngjarje të kësaj natyre?

 

Koço Kokëdhima: Do ta shpjegoj. Kam përjetuar drama të mëdha qytetare, tragjedi. Në bregdetin e Himarës, në Vlorë, sidomos, por jo vetëm atje, edhe këtu, në Durrës. Këtu kam dy miq të njohur, vëllezërit Kapiti, që janë 5 vëllezër të shpallur me status si veteranë të luftës së Kosovës, patriotë dhe qytetarë. Kishin ndërtuar një lavazh dhe një servis dhe që nga viti 2006, iu është premtuar sa herë që do t’u legalizohen. Pastaj ua shkatërruan. Ajo është jeta e tyre, ajo është pasuria e tyre, s’kanë tjetër gjë. Iu shkatërrohet kjo njerëzve? Përse e ndërtuan ata atë gjë? Se ishin budallenj?!  Jo, po sepse kështu bënte tërë dynjaja, se kështu funksiononte shteti dhe shoqëria e Shqipërisë. Dhe çfarë iu themi tani ne atyre: ka një VKM-iu themi. Dhe ca është kjo VKM-ja? Është një letër A4 dhe bën një lek të vjetër, më pak se një lek të vjetër. Dhe thuhet: ka një asgjë. Shko bëj një VKM tjetër. Asnjë pronë të qytetarëve të ndërtuar në kushte të njëjta, ne nuk mund ta prishim pa e legalizuar. Isha në Dhërmi para një viti. Ishte një situatë shumë e keqe, shumë e ndyrë. Shkonin këta të policisë së INUK-ut te pleqtë e Dhërmiut, me rruspa, pa asnjë njoftim paraprak. Pse? Sepse ishte shpallur fshati, si fshat muze. Kur shkova dhe takova ata banorët atje, më thonin për INUK-un tonë, për qeverinë time: erdhi ISIS-i, sepse nuk kishin asgjë njerëzore në gjithë atë sjellje. Ne duhet të bisedojmë me popullin, duhet të sillemi me popullin si shërbëtorë. Ne duhet ta kuptojmë popullin. Ato ndërtime që janë bërë në kohë tjetër, shteti duhet t’i njohë dhe t’i shpronësojë. Dhe diçka tjetër nga pikëpamja ekonomike. Kur një pasuri nuk legalizohet dhe nuk futet në qarkullim ekonomik është pasuri e zhbërë. Kur një pasuri legalizohet, ajo futet në qarkullim ekonomik, ka përfitim kombëtar, bën pjesë në GDP-në e vendit. Është diçka e gabuar që ne bëjmë këto drama. Dhe diçka tjetër. Si mund të shpronësosh një familje, i shpronëson shtëpinë, i shpronëson dyqanin dhe i thua 50 % të çmimit, 30% të çmimit ka raste, me dy lekë ka raste. Kam shembuj konkretë. Në Skelë, në Vlorë, kanë shpronësuar truall me shënimin “tokë arë”. Sikur të bëhej grurë ose misër në Skelë të Vlorës dhe e kanë shpronësuar me 200 lekë, më pak se dy dollarë!!!. Si do e blejë prapë atë tokë, atë truall, ajo familje dhe si do e kthejë prapë këtë pasuri?! Nuk e ka më atë pasuri. Është fatkeqësi që i ra një projekti publik. Si mund të jetë fatkeqësi që të të bjerë ty projekti publik në zonën tënde, në pronën tënde dhe të jetë fatkeqësi?! Jo zotëri, duhet të jetë fat i lumtur. Në qoftë se ti, fuqi e madhe, e do pasurinë time do të thotë që pasuria ime vlen shumë, nuk vlen pak, dhe kur ti t’i shpronësosh atij shtëpinë, jo vetëm duhet t’i japësh atij paratë kokërr më kokërr që të blejë shtëpi tjetër, por duhet t’i japësh edhe një afat minimalisht dy vite qira, sepse që të blejë ai tjetri një shtëpi, nuk është një vendim që doli një xhiro tani, edhe e bleu pa një gjë. Është vendim i jetës, investim i jetës, për 90% të popullsisë që të blejë një shtëpi. Dhe duhet t’i japësh kohë që ai të rrijë, të mos prishë lekët e shtëpisë për të jetuar me qira, por të prishë qiranë për të jetuar dhe ai të presë të gjejë shtëpinë. Ndërkohë që kur ti i prish dyqanin atij, duhet t’i thuash: shiko, po të paguaj dhe dy vite fitimin e munguar sa ta ngresh biznesin tënd sërish në një vend tjetër. Sepse ai dyqani nuk bëhet nga ai me dhunë. Unë dua që ta përdor këtë komunikim këtu, që si ata miqtë e mi Kapiti dhe gjithë qytetarët e tjerë të këtij qyteti duhet të gjejnë një vesh shumë të kujdeshëm, një vesh shumë të vëmendshëm nga qeveria qendrore dhe qeveria vendore, që këta njerëz të zhdëmtohen nga dëmet që iu kanë shkaktuar.

Llambi Kallço: Në një nga takimet e lëvizjes suaj, ishte edhe në Durrës, ju jeni ndalur edhe në zhvillimin politik që ka patur Durrësi. Për shembull, në vitin 2001 PS-ja mori 5 deputetë, më pas në 2005 PD-ja i mori të 8 deputetët. Në ç’këndvështrim e keni trajtuar këtë? A ka të bëjë kjo me një elektorat të civilizuar si i Durrësit, i cili di të bëjë lëvizje?

Koço Kokëdhima: Është një kompliment. E kam paraqitur këtë fakt në radhën e vlerave ë këtij qytetit, e figurave më të shquara të tij, e trashëgimisë më spektakolare që ka ky qytet. Ky qytet, për mua që jam një koleksionues arti, një studiues i apasionuar i kulturës së kombit tonë, ky qytet është ndoshta copa më e bukur që ka Shqipëria. Nuk ka ndoshta asnjë copë tjetër, asnjë tokë tjetër.

Llambi Kallço: Po bëhet një goxha shesh në një zonë arkeologjike z. Kokëdhima? Nuk keni një reagim për këtë?

Që nga prehistoria, që nga Iliria, Antikiteti, Mesjeta dhe në kohët moderne, ku janë të gjitha dëshmitë e kulturave dhe sundimeve. Ky shembull unik është ky qytet. Ky qytet është i jashtëzakonshëm. Unë e adhuroj këtë tokë këtu. Dhe në qoftë se edhe njerëzit që kanë fuqi, pushtet, dhe aftësi për të marrë vendime do ta mendojnë këtë tokë si unë, do iu dridhet mishi para çdo vendimi.

Llambi Kallço: Atëherë, që ta mendojmë këtë tokë si ju z. Kokëdhima desha që të ma argumentonit diçka që ka ndodhur këto dekadat  e fundit në këtë qytet. Ka pasur një konflikt mes lobit të ndërtimit, i cili është i interesuar të ndërtojë në këtë qytet, por edhe ruajtjes së vlerave tradicionale që ka Durrësi, sidomos pjesës arkeologjike. Ju, si një njeri edhe i biznesit, a mendoni që duhet të ketë një raport më të kontrolluar mes investimeve, por edhe ruajtjes së traditës?

Koço Kokëdhima: Pa dyshim që këtu jetojnë shumë njerëz. Kemi 202 mijë banorë në këtë qytet. Dhe këta do të zhvillohen, sigurisht. Nevojat e tyre janë një pasion i madh në të gjitha kuptimet, por asnjë zhvillim në këtë qytet nuk duhet bërë në dëm të dëshmive dhe trashëgimisë së tij kulturore. Asnjë zhvillim. Kjo është një gjë që duhet bërë me shumë kujdes dhe me një ekspertizë shumë të kualifikuar. Unë e kuptoj presionin dhe të gjitha gjërat, nevojat e njerëzve, por mendoj që duhet të jenë shumë të vetëdijshëm dhe pushteti qendror dhe pushteti vendor dhe të punojnë me shumë ekuilibër sepse është një proces shumë i vështirë për t’u realizuar. Pëllëmbë e histori është nëntoka e këtij qyteti dhe dëshmitë e kulturës sonë janë një potencial i madh. Kultura nuk është diçka ideale. Është diçka e madhe materiale. Është si hidrocentralet, është si paraja, është si toka, si trojet, si ndërtesa, vetëm se kapitalizohet, ndërtohet përmes nevojave të tjera të biznesit, si turizëm kulturor, si edukim ej. Kjo pasuri duhet mbrojtur me çdo çmim.

Kam edhe një kërkesë të fundit. Dua t’ju them qytetarëve të Durrësit për të cilët kam konsideratë të vecantë. Janë njerëz shumë të mirë, janë njerëz me tradita sipërmarrjeje, shkëmbimesh, tregti dhe njerëz të rritur në një trevë shumë të pasur kulturore. Dëshiroj t’ju bëj apel për ta kuptuar si duhet platformën politike të “Zgjidhjes”. Është platforma më demokratike në Shqipëri. Unë nuk jam një person që luftoj për pushtet. Unë e udhëheq këtë platformë pas një jete të suksesshme me shumë dëshira të larta dhe dua që të harxhojë secili një orë nga jeta e vetë. Ta studiojë këtë platformë dhe të kuptojë se ne, përmes kësaj platform, kërkojmë që të rindërtojmë rolin e popullit në demokraci. Ky është deformimi më i madh që ka ndodhur këto 25 vite në Shqipëri. Është shkatërruar roli i popullit, si faktor i madh në demokraci. Populli do të duhej të zgjidhte përfaqësuesit, kandidatët për deputetë, kandidatët për kryetarë bashkie, kandidatët për këshilltarë bashkie, kandidatët për president, kandidatët për kryeministër, do të duhej që të votonte me referenduam për çështje të mëdha vendore, projektligje, kauza, vizione dhe nuk ndodh në asnjë vend demokratik që populli nuk ka rol. Prandaj ky vend këtu bie në një dorë ku janë qeveria, parlamenti, drejtësia, media etj dhe populli përjashtohet. Pasojat janë të rënda dhe ne i shohim sot. Dua t’ju them qytetarëve të Durrësit: Duhet të më besoni mua sepse nuk kërkoj pushtet, nuk kërkoj të bëj as deputet, as ministër, as president, por dua një emër që ta meritoj në historinë e Shqipërisë. Dua një emër që ta meritoj në shërbimet ndaj popullit dhe dua t’i ndihmoj qytetarët që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre në këtë vend. Të gjithë jemi prindër, po bëhemi gjyshër. T’i japim një shans jete, çdo nipi, çdo mbese, çdo qytetari që vjen vetëm një herë në jetë dhe që ikën shumë shpejt nga kjo jetë. T’i japim një mundësi që t’i bëjë ëndrrat e tij realitet në këtë qytet, në këtë vend, në Tiranë dhe në Shqipëri dhe të mos i themi të gjithëve ikni nga sytë këmbët, nga ky vend se nuk iu ofrojmë dot asgjë. Ne jemi çifligu i 5 kryetarëve këtu dhe i 3 ambasadorëve dhe s’jemi të zotë, t’u japim ju asgjë. Prandaj, dua që t’i ftoj qytetarët e Durrësit që t’i bashkohen “Zgjidhjes”, t’i bashkoheni me besim të madh, sidomos rinia universitare, rinia shkollore, rinia e këtij qyteti, por edhe qytetarët e lirë të tij, t’i bashkohen vlerave të lirisë. Bashkohuni me “Zgjidhjen” dhe hajde të bëjmë demokratizimin e këtij vendi. T’ua marrim pushtetin kryetarëve dhe t’ua japim militantëve të bazës. T’ua marrim pushtetin qeveritarëve dhe t’ua japim qytetarëve të këtij vendi. Dhe t’i kthejmë këtij populli nderin e nëpërkëmbur nga ata që e kanë degjeneruar këtë popull. E kanë degjeneruar dhe popullin e Durrësit, të Tiranës, të Vlorës dhe të gjithë popullin tone. E kanë mashtruar çdo palë zgjedhje. Dhe do ta mashtrojnë përsëri në çdo palë zgjedhje. E kanë gënjyer, i kanë mbyllur telefonin, e kanë shkelur, i kanë vrarë nervin, aftësinë për reagim, e kanë vjedhur. Dhe për ta ndryshuar këtë gjë, hajdeni punojmë bashkë zotërinj. Të imponojmë një platformë ndryshimesh në Shqipëri. S’ka rëndësi se kush përfiton nga kjo. Të parët përfitues nga gjithë këto ndryshime janë qytetarët e thjeshtë.