Nga Klevis Deda
Skuadra e Real Madrid ka arritur një fitore me mjaft vlera përballë Bayernit në “Allianz Arena”. Galaktikët përmbysën avantazhin e bavarezëve falë një dygolëshi të portugezit Cristiano Ronaldo. Me këtë fitore Reali është me një këmbë në gjysmëfinalen e Champions League. Bayerni në këtë ndeshje nuk pati të gatshëm sulmuesin Lewandowski pasi polaku vuan nga një dëmtim në shpatull. Nga ana tjetër spanjollët luajtën pa një qendër sulmues, pasi Pepe dhe Varane kanë pësuar dëmtim të rëndë dhe do të mungojnë rreth një muaj. Bayern hidhet në fushë me skemën tradicionale 4-2- 3-1 me Muller në vend të Lewandowski ndërsa Reali luan me skemën 4-3-3 ku në qendër të mbrojtjes u aktivizuar Nacho.
Ndeshja nis me mjaft ritëm nga të dyja skuadrat ku bavarezët janë ata që posedojnë më tepër topin. Robben vendos në rrezik mbrojtjen spanjolle pasi shfaqet i rrezikshëm me depërtimet e tij. Edhe pse të dyja skuadrat po luanin mjaft mirë, loja ishte akoma e bazuar në studimet e kundërshtarit. Në minutën e 28-të vjen dhe goli i parë i ndeshjes me anë të Vidal. Kiliani shënon me kokë pas një krosimi nga goditja e këndit. 1-0 për Bayernin dhe atmosfera ndizet në “Allianz Arena”. Kaq mjafton pasi me shënimin e këtij goli loja merr një tjetër dimension. Të dy skuadrat janë tepër të rrezikshme dhe provojnë golin më shpesh.
Në fundin e pjesës së parë Bayern fiton një 11-metërsh pasi gjyqtari pretendoi se gjuajtja e Riberi u ndal në dorën e Carcajal ndërkohë që pamjet e përsëritura hidhnin poshtë vendimin e gjyqtarit. Penalltinë e merr përsipër autori i golit të parë, Vidal i cili gjuan mbi tra dhe shifrat mbeten 1-0. Me fillimin e pjesës së dytë ekzaktësisht në minutën e 47-të Reali barazon gjithçka me anë të Cristiano Ronaldo. Portugezi merr një asist nga Carvajal dhe godet saktë duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Neuer. Bayerni hidhet në sulm dhe rrezikon shumë me anë të Muller por që nuk mund të finalizojë me gol.
Në minutën e 59-të del nga fusha e lojës Bale dhe inkuadrohet talenti Asensio. Në minutën e 61- t, mbrojtësi Javier Martinez ndërhyn me faull ndaj Ronaldos dhe merr kartonin e dytë të verdhë dhe del jashtë duke lënë skuadrën me 10-të lojtarë. Ancelotti detyrohet të nxjerrë nga loja mesfushorin Alonso, për të futur mbrojtësin Bernat. Në minutën e 77-të Ronaldo shënon dopjetën personale dhe golin e nokautit për Bayernin. Portugezi asistohet nga Asensio dhe godet mjaft bukur me takë topin duke e kaluar poshtë këmbëve të Neuer. Ky ishte goli i 100-të i Cristiano Ronaldo në Champions League ku 16 herë ka shënuar me fanellën e Manchester United dhe 84 herë me atë të Real Madrid.
Galaktikët kërkojnë dhe golin e tretë për të hipotekuar kualifikimin që në ndeshjen e parë por që nuk arrijnë dot të realizojnë atë. Në fundin e ndeshjes është sërish Ronaldo ai i cili pati mundësinë për të shënuar golin e tretë, por nuk arriti të realizojë pasi u pengua në zonë. Kaq dhe për këtë sfidë dhe Real Madrid është një hap larg gjysmëfinales. Në ndeshjen tjetër mes Atletico Madrid dhe Leicester City ka përfunduar me fitoren e spanjollëve me rezultatin e ngushtë 1-0. Për Atleticon golin e fitores e shënoi Antoine Griezmann me anë të një 11-metërshi të dyshimtë në minutën e 28-të të takimit. Spanjollët e dominuan takimin por nuk arritën të shënonin më tepër.