Në Shqipëri, punonjësit e minierave janë punëkërkuesit më të mëdhenj dhe të papunët më afatgjatë. Për vitin 2016, sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit rezultuan 41,488 punëkërkues të papunë që i përkisnin kategorisë së profesioneve elementare e ku përfshihen punëtorët e shërbimit, të bujqësisë, minierave, ndërtimit, transporti, përgatitjes së ushqimeve apo shërbimeve të tjera. Nga këta, rreth 18,000 punëkërkues i përkasin sektorit të ndërtimit dhe minierave, duke u ndjekur nga bujqësia me rreth 6,000.
Kategoria tjetër e të papunëve që kërkojnë një punë janë çuditërisht zanatçinjtë, që edhe pse mungojnë në treg, nuk arrijnë dot të zotërojnë një vend pune. Të dhënat zyrtare flasin për 14,251 zanatçinj të papunë që u regjistruan si të tillë në vitin 2016, kryesisht në ndërtim, prodhime artizanale dhe shtypshkrime, por edhe të elektroteknologjisë. Nga këta, rreth 9,000 rezultojnë punëkërkues afatgjatë, çka tregon se kanë më shumë se një vit që nuk kanë arritur të punësohen.
Numri më i ulët i punëkërkuesve të papunë u përket profilit të menaxherëve, ku gjithsej si të regjistruar për vitin 2016 ishin 53 persona, nga këta vetëm njëri rezulton të ishte i papunë afatgjatë.
Të dhënat e Shërbimit Kombëtar të Punës tregojnë gjithashtu se arsimtarët rezultojnë kategoria me numrin më të madh të të papunëve në rangun e specialistëve me arsim të lartë. Reforma e ndërmarrë nga qeveria në arsim bëri që një pjesë e mësuesve të humbisni vendet e punës për shkak të mos tejkalimit të provimeve. Ata ndiqen pas nga punonjësit e shëndetësisë, të cilët gjithashtu iu nënshtruan testimeve të ndryshme dhe një pjesë e tyre nuk arritën dot të garantonin vendin e punës. Në fund të vitit 2016 numri i punonjësve të këtij sektori që rezultuan të papunë të regjistruar ishte 753.
Grupet kryesore në klasifikimin e profesioneve
Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtues ekzekutivë;
Specialistë me arsim të lartë;
Teknikë dhe specialistë në zbatim;
Nëpunës të thjeshtë;
Punonjës të shitjeve dhe shërbimeve;
Punonjës të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit;
Zejtarë, zanatçinj dhe profesioneve të lidhura me to;
Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve;
Punëtorë të ndihmës (profesione elementare);
Forcat e Armatosura.
Burimi : Monitor.al