Themeluesi i Lëvizjes “ZGJIDHJA” Koço Kokëdhima u shpreh nga Pogradeci se lëvizja që ai drejton do ta ndryshojë njëherë e përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Kokëdhima u shpreh se Pogradeci, Shqipëria dhe shqiptarët janë të bekuar nga Zoti, por janë shkatërruar nga klasa politike për rreth çerek shekulli. Ai shtoi se “ZGJIDHJA” do ta ndryshojë njëherë e përgjithmonë fatin e Shqipërisë.
Fjala e Koço Kokëdhimës në Pogradec:
“Të dashur pjesëmarrës, Të nderuar miq,
“Zgjidhja” do qëndrojë në krye të luftës për t’i çelur një perspektivë të re popullit tonë që të mund të ngrejë jetën dhe ekonominë në vend. Ne duam që të ndalet largimi popullsisë së aftë nga Shqipëria për shkak të shkatërrimit të çdo shprese tek e ardhmja e bujqësisë, ekonomisë, punës, paqes e mirëqenies në këtë vend. Çdo ditë mësojmë lajme të trishtueshme edhe për braktisjen e shkollave 9-vjeçare nga fëmijët sepse edhe ata emigrojnë bashkë me prindërit për të mos u kthyer më mbrapa, lindjet po bien nga viti në vit dhe mësuesit po pushohen nga puna.
Kryemësuesi i shkollës 9- vjeçare të Ajasëm në Shkodër, Agron Kastrati thotë se “Vjet kishin 50 nxënës ndërsa sivjet vetëm 41 nxënës. Në një shkollë tjetër ku kam qenë mësues përpara 5 vitesh ishin 350 nxënës, tani janë vetëm 200 të tillë. Fëmijët që largohen nuk kthehen më në shkollë dhe këto shkolla po shkojnë gradualisht drejt mbylljes”. Dje tregu i punës në Shqipëri mori një goditje dramatike me marrëveshjen e qeverisë italiane me operatorët kryesorë të call center-ave, 80 deri 90 për qind e këtyre vendeve të punës do mbyllen në Shqipëri. Mbi 20 mijë të rinj e të reja do të mbeten pa punë. Këto djem e vajza do të detyrohen që të ikin nga Shqipëria si dhjetëra mijëra të tjetë që largohen çdo vit.
Asnjë reagim serioz nuk bëri qeveria. Përkundrazi në dhjetorin e kaluar qeveria gënjeu dhe u përpoq të thoshte se është e ekzagjeruar frika dhe se nuk do ndodhë largimi i call center-ave. Ajo është inefiçente dhe e paaftë të gjejë dhe negociojë zgjidhje. Po ta drejtoja unë këtë qeveri, kurrë nuk do të kisha lejuar një situatë dhe hemoragji të tillë të detyruar që e than dhe boshatis vendin nga rinia e aftë për punë. Shqipëria është në duar të të paaftëve, të kusarëve, të servilave dhe injorantëve. Këta nuk dinë të bëjnë asnjë punë. Këta nuk dinë të bëjnë asnjë kanal, as vaditjen dhe kullimin e tokave që janë bërë me shekuj. Nuk dinë të bëjnë ekonomi. Dinë vetëm të vjedhin, të bëjnë tendera e konçensione turpëruese për interesat e vendit, nuk dinë të nxjerrin përfitime për vendin nga integrimi i tij dhe nga bashkëpunimi me tregjet e tjera. Vetëm “Zgjidhja” do t’i heqë tutkunët e të korruptuarit dhe do vendosë në krye të punëve të shtetit e të popullit njerëzit më të zotë të këtij vendi.
Nëse demokratizojmë qeverisjen, në se pastrojmë zgjedhjet, në se vendosim demokracinë dhe lirinë e konkurrencës, në se vendosim sovranin në vendin e tij duke ua marrë pushtetin e grabitur kryetarëve dhe duke ia kthyer popullit që ky i fundit të zgjedhë përfaqësuesit e vet, në se zbatojmë programin e “Zgjidhjes”, vetëm atëherë në këtë vend do të fillojë shpresa dhe kthesa e dëshiruar. Vetëm me “Zgjidhjen” do mund të ndryshojmë fatin tonë. Ne dimë të punojmë. Ne kemi vullnet të madh. Në dimë që të drejtojmë punët dhe ekonominë e popullit. Ne dimë të bëjmë pasuri për vendin. Ne jemi në politikë për të bërë pasuri për popullin, jo për vete dhe për një grusht mbështetësish. Ne e duam me zemër këtë vend dhe këtë popull.
“Zgjidhja” e mbështet programin e saj dhe e sheh zgjidhjen e problemeve te ushtria e madhe e njerëzve të thjeshtë, të heshtur e të varfër të këtij vendi, gratë dhe burrat e harruar e të braktisur në gjithë këto vite. Rinia është zgjidhja e Shqipërisë. Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e “Zgjidhjes”, t’i bashkoheni dhe të bëheni anëtarë të saj. “Zgjidhja” do ju ndihmojë të kuptoni rrugën e drejtë, nuk do lejojë më askënd që t’ju mashtrojë e manipulojë.
Të dashur vëllezër dhe motra pogradecarë!
Është një kënaqësi e madhe për mua të jem sot me ju në tokën e dy monumenteve te letrave shqipe Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli, i cili thoshte për të parin se qe “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”. Edhe sot, kaq kohë më pas nga jeta dhe vepra e dy shkrimtarëve, ky qytet vazhdon të rrezatojë paqe, dashuri e poezi siç qenë vargjet e këtyre dy burrave të mëdhenj. Vij këtu në Pogradec, larg zhurmës së politikës të Tiranës për të rigjetur vlerat e vërteta të popullit tonë dhe aspiratat e tij më të thella. Vij këtu për të dëgjuar sensin e jetës dhe të arsyes. “Bëni dashuri mos bëni luftë”, do të thoshte Lasgush Poradeci në vazhdën e pacifistëve amerikanë kundër luftës në Vietnam. Në këto momente dramatike që po përjetojmë, kombi ynë i vogël për nga popullata, por me zemër të madhe, ka nevojë më shumë se kurrë për këtë forcë dashurie dhe vëllazërie ndaj njëri- tjetrit. Ne shqiptarët jemi të bekuar nga Zoti për nga pozita gjeografike, për nga bukuritë e mahnitshme të peizazheve si këtu në Pogradec, për nga pasuritë natyrore, për nga burimet vitale njerëzore , për nga kultura dhe gjuha që na japin një identitet dhe homogjenitet kombëtar thuajse unikal. Ajo që na ka munguar dhe vazhdon të na mungojë, është një klasë drejtuese e denjë për këtë popull i cili meriton shumë më tepër.
Një klasë politike e cila gjate nje çerek shekulli , nuk ka arritur të kryejë as misionin më elementar pas rënies së diktaturës, mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta pa hile dhe pa ankesa. Populli ynë është më superior se klasa e tij politike pasi edhe në kohët më të thella të mesjetës, pa politikanë, por vetëm me forcën e arsyes dhe kulturën e besa-besës arrinte të vetëqeverisej paqësisht, falë respektit të kodeve të epokes si Kanuni apo kuvendet e të urtëve. Të parët tanë kishin një botëkuptim shumë më të qartë për vlerën e kompromisit në emër të interesit të përgjithshëm. Është e vajtueshme të konstatosh sot, në kohën e librave dhe të internetit, sesa e paaftë është kjo klasë politike për zgjedhje dhe zgjidhje të qëndrueshme. Them qëllimtazi kjo klasë politike. Pasi është e njëjta familje politikanësh që zotëron në duart e saj periodikisht frytet e pushtetit që prej 27 vjetësh, një herë njëra dhe një herë tjetra. Kjo farsë ka zgjatur shumë.
Unë dhe partia Zgjidhja duam ta ndryshojmë një herë e përgjithmonë kursin tragjik të ngjarjeve në vendin tonë. Por Zgjidhja nuk jam vetëm unë. Zgjidhja është secili nga ju. Ju që ju trajtojnë si sklleverit e kohëve moderne, pre e mafias dhe e korrupsionit në tokën tuaj, pre e diskriminimeve dhe e poshtërimeve kur merrni në masë rrugën e kurbetit ne dhe të huaj. Zgjidhja, vëllezër dhe motra, është partia e atyre që nuk kanë asgjë të humbasin, por vetëm të fitojnë. Dhe gjëja e parë që do te të fitojmë është dinjiteti. Jashtë njëherë e përgjithmone kjo klasë politike e paaftë dhe e diskredituar deri në palcë!
Pushteti t’u kalojë atyre që nuk kane pasur kurrë poste të larta shtetërore. Pushteti t’u kalojë atyre që nuk janë infektuar nga veset e politikanëve zanatçinj, të cilët i kane kthyer postet në karrierë të përjetshme. Pushteti t’i kalojë shoqërisë civile. Të rinjve dhe të rejave, mjekëve, bujqve, profesorëve, sipërmarrësve , artistëve dhe punëtorëve. Pushteti do t’i kalojë popullit. Pushteti do t’i kalojë Zgjidhjes. Kjo është rruga jonë e vetme nëse duam ta nxjerrim këtë vend nga prapambetja dhe ta rreshtojmë krah kombeve më moderne të kontinentit. Ky është vizioni im që dua ta ndaj me ju dhe ta sjell në pushtet për realizim bashkë me ju. Unë dua të bëhem kryeministri juaj në të ardhmen e afërt për të kryer ato vepra që sot ju duken ëndrra dhe iluzione, por që nesër do të jenë realitet po të udhëhiqemi nga treshja e vlerave kardinale: ndershmëria, atdhedashuria dhe profesionalizmi. Vlera që i kemi si këtu në Pogradec dhe në mbarë Shqipërinë.
Deri në marrjen e pushtetit, sfida të mprehta na presin. Pushtetin s’do na e falë kush. Atë do ta marrim me votën e lirë të shqiptarëve. Dhe kjo është sfida jonë e parë. Të sigurohemi që ajo vote do të jetë vërtetë e lirë dhe e ndershme. Me sistemin aktual bastard të zgjedhjeve , Zgjidhja nuk hyn në zgjedhje. Kete sistem zgjedhjesh, Partia Socialiste e denoncoi tetë vjet rresht kur ishte në opozitë. Këtë sistem zgjedhjesh e denoncojnë tani me forcë dhe ata që e konceptuan në fillim , eksponentët e Partise Demokratike. Kur dy partitë ulkonja të politikës shqiptare e kanë kritikuar me fjalorin më të ashpër këtë sistem zgjedhjesh, atëherë Zgjidhja i vë ato para përgjegjësive që ta ndryshojnë para se të mbahen zgjedhjet e reja. Nuk mund të ndryshohet një sistem një çerek shekullor zgjedhjes në një çerek muaji. Prandaj Zgjidhja nuk heq dorë nga kërkesa e saj legjitime, që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë.
“Zgjidhja” do ju ndihmojë të merrni fatin në duart tuaja dhe të mos shpresoni më te ata që ju vodhën dhe ju shkelën gjithë kohën tek ata që ju joshin me përfitime pragmatiste dhe premtime të rreme në çdo palë zgjedhje. I vetmi zot i fuqishëm që do ndryshojë për mirë fatin tuaj është populli i thjeshtë e i varfër i Shqipërisë me programin e Zgjidhjes! Mos besoni te të fortët e politikës. Ata janë tigra prej letre edhe pse kanë grumbulluar në rrugë kriminale shumë pasuri dhe një lukuni me mbështetës të shpërblyer e paguar me paratë, bukën dhe gjakun tuaj. Ne jemi zgjidhja! Ju jeni zgjidhja! Unë jam Zgjidhja! Ti je Zgjidhja!
Rroftë Zgjidhja! Rroftë Shqipëria!
Rroftë populli i Pogradecit!