Kryeministri e njëherësh kreu i selisë rozë Edi Rama deklaroi se Parlamenti i ri do të jetë i pari pa Saliun, por jo pa opozitë. Kështu u shpreh në fjalimin e mbajtur sot në Kongresin Elektoral të Partisë Socialiste
Gjithashtu kreu i qeverisë theksoi se koha e Partisë Demokratike ka mbaruar, fletët e votimit kanë fluturuar për t’u shtypur dhe vendi do të jetë në zgjedhje.
“Çërçilli thotë; problemi me vetëvrasjen politike është se ai që e bën nuk vdes por jeton tërë jetën me pishmanin që e bëre, ashtu le të jetojnë, vetë e zgjodhën politikë e inatit tani le të vuajnë inatin e politikës. Mua, se fsheh dot, as më dhimbsen as më bëhet vonë sa pishman do të bëhen ata, por më dhimbsen edhe shumë madje, votuesit e tyre, njerëz të zakonshëm, qytetarë të vendit që për 1001 arsye e shohin veten në PD, më dhimbset Shqipëria ku PD nuk do shet, ligj e zgjedhje dhe krijon një imazh jo të admirueshëm për vendin”, tha ai.
Rama ka thënë më tej se, “më bëhet vonë, doja shumë t’i kishim përballë në 18 qershor, jo në bunkerin prej plastmasi se mezi prisja t’i mundnim këtë herë edhe më thellë shumë më thellë se në 23 qershorin e 4 viteve më parë. Por kur u dorëzova dhe unë që dola më i duruari me ta nuk na ka mbetur më asgjë, veç t’i lëmë pas dhe ne të vazhdojë përpara”, tha Rama.
Më tej kryeministri shtoi se Parlamenti i ri do të nisë me zhbllokimin e Vettingut, duke shtuar se ky do të jetë viti i rënies tragjik-komike të PD-së.
“Dhe Parlamenti i ri do të nisë jetën në zhbllokimin e Vetingut menjëherë pas krijimit të qeverisë së re. Do të jetë Parlamenti i parë pa Saliun, por jo pa opozitë. Saliu e gjeti vetë rrugën e ikjes nga ajo sallë, pasi cenoi çdo lloj norme edukate njerëzore, shau e shpifi dhe kërcënoi të gjithë dynjanë në një ditë, më shumë se të gjithë pijanecët e Shqipërisë të mbledhur bashkë për një vit. 2017 do të jetë rënia tragji-komike e PD-së për shkak të budallallikut të Lulzimit”, tha Rama.
Më tej ai nuk harroi pa përmendur ish-liderin socialist Fatos Nano. “Kjo është gara më e vështirë e PS që kur unë jam në krye të saj. Me këtë rast përshëndes Fatos Nanon nga ky kongres”, tha kreu i qeverisë.