Akademiku Artan Fuga, ka reaguar përmes një komenti në rrjetet sociale mbi marrëveshjen e arritur mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Fuga vlerëson marrëveshjen shkruan në faqen e tij në FB, “se vera e re në fillim nuk ka ku hidhet tjetër veçse në fuçi të vjetra. Por, jo për një kohë të gjatë. Sepse ose do të çahet fuçia ose do të prishet vera! E reja e çan rrugën nëpërmjet së vjetrës!”.
Komenti i Artan Fuga
Republika hipokrite!
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë e drejtë dhe fitore për qytetarët, nuk janë dhuratë për ta nga politika.
Ne qytetarët duam vërtet zgjedhje të lira duke e hedhur në kosh këtë ligj elektoral që na fyen në cdo çast, nëpërmjet masave drastike që na mbrojnë nga administrata që na bën presion, si edhe nga pabarazia midis një qytetari të thjeshtë dhe një ministri a një politikani partiak që i ka të gjitha privilegjet për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur në kundërshtim me qytetarin që mbetet me duar në xhepa.
Marrëveshja Mcallister, sa mirë që u pranua nga palët!
Me shumë vonesë, por nuk ka gjë.
Politika shqiptare u tregua edhe njëherë si ato ndeshjet ku goli bëhet gjithnjë në minutat shtesë.
Tension tension dhe pastaj disa flasin për “tym të bardhë” a thua se u zgjodh mëkëmbësi i Krishtit në Tokë. U pikaaaaa sistemit tonë të propagandave të neveritshme!
Rëndësi që propozimi Mcallister të zbatohet. Por kalimthi nuk mund të mos shënojmë se kjo marrëveshje u krye sipas parimeve të republikës së vjetër, pra si marrëveshje kokë më kokë mes dy individësh, të fortëve, që thjesht mbi vullnetin e tyre sovran e bëjnë ose nuk e bëjnë marrëveshjen.
Unë nuk e di sesi janë ndjerë krerët e partive që e thirrën tryezën e negociatave, kur pasi ishin të zotët e shtëpisë, ftuesit, më pas atyre u thanë : Faleminderit, tani ikni pak sepse do të merremi vesh ne të dy!
Marrëveshjet politike demokratike janë kontrata sociale me pjesëmarrjen e qytetarëve, politikanëve, deputetëve, partive politike parlamentare, shoqërisë civile, jo një marrëveshje kokë më kokë mes dy individësh që si dikur kapedanët udhëhiqnin ushtritë.
Por, si duket nuk kishte rrugë tjetër. Vera e re në fillim nuk ka ku hidhet tjetër veçse në fuçi të vjetra. Por, jo për një kohë të gjatë. Sepse ose do të çahet fuçia ose do të prishet vera!
E reja e çan rrugën nëpërmjet së vjetrës!
Por, ne do ta shohim sesa është zbatuar ajo marrëveshje, shkon në thelb të gjësë apo do të na serviret një pjatë me bamje me mish pa mish!
Uroj që të ketë ndodhur diçka e pritshme dhe ngjizur nga mendimet tona!
Të mos ketë ndodhur e pabesueshmja!
Me një administratë kur që nga ministri e portjeri i ministrive deri te nëpunësi më i humbur në ndonjë rreth është e punësuar si militante duhet kohë, duhen masa të vërteta dhe të rrepta që kjo ushtri të mos vihet në rresht për ta cuar si zombi drejt kutive të votimit, duhen masa të rrepta dhe radikale që mësuesi, polici, taksambledhësi, i riu maturant të mos shkojnë me vota tashmë të hedhura në kutitë e votimit dhe ku dikush t’u thotë :
Ikni o budallenj për ju ka votuar shefi!
Do rrogë ti apo jo?
Përndryshe zhgënjimi do të jetë i madh.
Ne duam deputetë të popullit jo të partive. Ne duam deputetë që i propozon dhe i zgjedh populli, jo të hedhur me parashutë nëpër zona elektorale sepse janë shërbëtorë të interesave të dikujt.
Mjaft me deputetët që nuk e kanë justifikuar veten e tyre dhe që prej dekadash janë përgjegjës për degradimin e Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, që i kanë hipur në kokë qytetarëve apo edhe kanë monopolizuar edhe pushtetin edhe opozitën.
Unë më mirë pranoj një deputet që monopolizon pushtetin, sesa një deputet që monopolizon opozitën. i dyti është më i dëmshëm sesa i pari.
Unë dyshoj se ka një masë të madhe deputetësh opozitarë që luftojnë për kolltukun e deputetit dhe jo për t’i shërbyer popullit.
Sikurse ka deputetë që në shumicë doli se çfarë ishin!
Depuettlliku nuk është grup gjaku që e ke trashëguar nga fisi dhe e mban gjithë jetën duke e lënë trashëgim te djali apo vajza, nipi apo mbesa!
Shihni cfarë po bëhet në botë! Klasa politike po rinovohet gjithandej. Mos na nxirrni më fytyra të vjetra, dhe kjo jo në funksion të moshës, por të parazitizmit që deputetët manifestojnë.
Na duhet republika e re! Na e hiqni këtë rrangalle të vjetër që është në fakt një gjoja demokraci, një fasadë e shteteve të rrënuar, një mbeturinë muzeale e monizmit të vjetër, ngjyer me pak pluralizëm partiak të gjojshëm.
Ne qytetarët duam të ngremë kokën duke marrë të gjitha të drejtat tona politike, ne duam shumë më tepër të drejta politike, përndryshe nuk ju votojmë, do ju abandojmë kutitë e votimit, do ju përbuzim duke mos ju ardhur në aktivitete politike, do të marrim rrugët e Evropit për të ikur nga sytë këmbët prej jush.
Mjaft na përjashtuat duke na sunduar në emër të kastave të ndryshme, herë në opozitë e herë në pushtet.
Rinovohuni!
Në kandidatë për deputetë, në programe, në sjellje politike, në koncepte!
Përndryshe Shqipërinë po e çoni më keq në humnerë duke e bërë turpi dhe gazi i botës, cka ajo dhe ne nuk e meritojmë!