Mbi 36 mijë emigrantë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë italiane përgjatë vitit 2016 e komuniteti shqiptar deri më 31 dhjetor të 2016 renditet i pari në numrin e përgjithshëm të komuniteteve të huaja rezidente në Itali që kanë marrë nënshtetësinë italiane.
Sipas të dhënave të sapo publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave më vitin 2016 në Itali, janë mbi 200 mijë shtetas të huaj që kanë fituar të drejtën e nënshtetësisë italiane dhe 18% e tyre janë emigrantë shqiptarë.
Këto të dhëna në krahasim me vitin 2015 shënojnë një rritje prej 8% të numrit të emigrantëve shqiptarë që gjatë 2016 kanë marrë nënshtetësinë italiane.
Bilanci demografik kombëtar i ISTAT për vitin 2016 informon se deri më 31 dhjetor të 2016 në Itali janë rezidentë 448.407 emigrantë shqiptarë e numri i tyre për shkak dhe të marrjes së nënshtetësëisë italiane është redukkuar me -4.1 % në krahasim me një vit më parë.
Në Itali jetojnë mbi 5 milionë shtetas të huaj nga 200 kombësi të ndryshme. Komuniteti shqiptar renditet i dyti për nga numri duke përbërë rreth 8,9% të numrit të përgjithshëm të tyre. Komuniteti me nënshtetësi rumune renditet në vendin e parë me rreth 23 % të shtetasve të huaj rezidentë në Itali.
Marrja e nënshtetësisë italiane rregullohet në bazë të ligjit n.91/1992 që bazohet në njohjen e së drejtës së nënshtetësisë për martesë me një shtetas italian, për rezidencë të paktën 10 vjecare në Itali, për marrje automatike nga ana e fëmijëve minorenë nëse njëri nga prindërit ka marrë nënshtetësisnë italiane si dhe të fëmijëve mazhorenë mbi 18 vjecarë që kanë jetuar pa ndërprerje e janë rezidentë në territorin italian./oranews/