Me zgjedhjet mbaroi dhe “drama e euros”

Ekonomi

Euro ka vijuar të forcohet edhe sot në tregun vendas duke u këmbyer me 132.39 lekë, rreth 0.24 lekë më shumë se dje.   Monedha e përbashkët u zhvlerësua brenda muajit qershor me më shumë se 2 lekë.  Sipas ekspertëve ndikimin më të madh në nënçmimin e euros gjatë këtij muaji e dhanë shpenzimet për fushatën elektorale, të cilat, si rrallë ndonjëherë u kryen në valutë.

Sipas ekspertëve të kursit, zgjedhjet kanë qenë shkaku kryesor i nënçmimit të euros të martën, kur euro kapi në vend nivelin më të ulët të këmbimit që nga fundi i gushtit të 2009-ës. Gjatë fundjavës së zgjedhjeve u konstatua një qarkullim i lartë në valutë, që u reflektua në tregun zyrtar  ditën e martë, kur u hapën bankat.

Megjithatë sipas parashikimeve të ekspertëve, euro do të nënçmohet sërish me shtimin e fluksit të turistëve dhe me ardhjen e emigrantëve.

Prej dy ditësh, ndikuar nga forcimi i monedhës së përbashkët përkundrejt dollarit në tregjet ndërkombëtare, euro ka nisur të forcohet edhe në vend. Euro sot është këmbyer në bursë me 1.14 USD, duke kapur sërish nivele të larta këmbimit. Verën e shkuar monedha e përbashkët thuajse shkoi në barazim me dollarin, ndërkohë që në Shqipëri këmbehej në nivelin e 137 lekëve.

Nënçmimi i dollarit amerikan  në vend, është ndikuar kryesisht nga luhatjet e monedhës së përbashkët. Dollari u zhvlerësua brenda një jave në vend me 3 lekë duke ruajtur raportin e këmbimit në tregjet ndërkombëtare, pasi ndërkohë që monedha e përbashkët forcohej në bursë,  në vend po nënçmohej.