Administrata e Ministrisë së Arsimit pa rroga për muajin qershor, reagon Karabina

Politika

Dhjetëra punonjës të Ministrisë së Arsimit nuk kanë marrë pagën e muajit qershor që si rregull hidhet në bankë në ditët e para të korrikut.

Shkak është bërë përplasja politike mes ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina dhe sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni Plarent Ndreca.

Në një deklaratë për mediat ministrja e PD distancohet dhe bën përgjegjëse Departamentin e Administratës Publike.

Deklarata e plotë

Në detyrën e Titullarit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dëshiroj të bëj publike një çështje të rëndësishme siç është kryerja e pagave të punonjësve të administratës shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në mënyrë të qëllimshme, institucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017.

Pavarësisht informimit të të gjithë instancave të larta shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për zhbllokimin e situatës, kjo problematikë absurde po vijon të mbetet e njëjtë.

Burokracia e administratës dhe manifestimet e ngjyrimeve politike nuk duhet të prekë pagat e punonjësve të administratës shtetërore.

Bëj një apel institucional për angazhimin e të gjithë aktorëve të ngarkuar nga ligji, për të dhënë zgjidhjen e menjëhershme të problemit të krijuar artificialisht.

Si Ministër i Arsimit dhe Sportit distancohem nga apatia e krijuar mes Departamentit të Administratës Publike dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave që nuk sjell zgjidhje.

Garantoj zbatueshmërinë e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave kushtuese të institucionit që unë drejtoj.