Partia Socialiste fitoi në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 74 mandate deputetësh, çka do të thotë se Kryeministri Edi Rama do të ketë i vetëm timonin e qeverisjes, ashtu sikundër kërkoi gjatë fushatës elektorale. Por ajo që vihet re është fakti se mungon entuziazmi në rradhët e socialistëve, ndërkohë që Kreu i Qeverisë nuk është shfaqur euforik mbi këtë rezultat.
Ndoshta arsyeja është te shifrat, jo të deputetëve, por numrit të shqiptarëve që mbështetën me votë Edi Ramën.
Referuar shifrave të KQZ dhe të përpunuara nga gazetari Ilir Sinanaj, rezulton se 77,38% e zgjedhësve shqiptarë nuk votuan Edi Ramën.
“Më shumë se gjysma (53,21%) e zgjedhësve shqiptarë nuk votuan! 77,38% e zgjedhësve shqiptarë nuk votuan Edi Ramën! De facto, Edi Rama nuk është kryeministri i shqiptarëve!/ Të dhënat: KQZ”, shkruan Sinanaj.
Ndoshta Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit do të mbajë një rekord referuar mbështetjes së ulët popullore, kjo referuar edhe shifrave. Ajo do të qeverisë me më pak se 25 % të mbështetjes së zgjedhësve shqiptarë, më e ulëta në të gjithë historinë politike të pluralizmit shqiptar. /360grade.al/