Ndërmarrjet që e kanë përdorur kompjuterin për qëllime pune gjatë vitit 2016, përfaqësojnë 95,6 % të ndërmarrjeve ekonomike, nga 95,0 % që ishte në 2015, sipas gjetjeve të INSTAT në raportin e fundit “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në Ndërmarrje”.
Përqindja më e ulët e punonjësve që përdorin kompjuter vërehet në aktivitetin e industrisë përpunuese me 8,6 % dhe në aktivitetin e ndërtimit me 16,8 %. Kompjuterat janë përdorur në një masë më të madhe nga punonjësit e ndërmarrjeve që kanë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 71,1 %, pasuar nga shërbimet administrative dhe mbështetëse me 64,6 % dhe punonjësit në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 61,7 %.
Lidhja në internet ka qenë kryesisht e tipit DSL ose të tjera broadbandi, në 84,5 % të ndërmarrjeve.
Shpejtësia më e madhe e shkarkimit të informacionit, në 50,7 % të ndërmarrjeve, është nga 2-10 Mbit/s, duke u ulur me 13,3 %, në krahasim me vitin 2015. Ndërsa, numri i ndërmarrjeve që kanë patur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 10 Mbit/s është rritur me 7,4 %, krahasuar me vitin e kaluar.
Në vitin 2016, ndërmarrjet që kanë pasur faqe interneti janë 51,6 % e totalit. Në 66,1 % të ndërmarrjeve, faqja e internetit është përdorur për të shfaqur kataloget e produkteve ose çmimet e tyre.
Në 2016, vetëm 7,1 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit apo aplikacioneve të dedikuara. Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën informacion dhe komunikacioni me 24,7 %, pasuar nga transport dhe magazinim me 19,2 % dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 12,1 %.
Në ndërmarrjet e aktivitetit ndërtim, 2,1 % kanë shitur produkte/shërbime online dhe në ndërmarrjet përpunuese ky tregues është 4,3 %.
Përqindja e ndërmarrjeve të cilat kanë përdorur internetin për të kontaktuar me autoritetet publike, gjatë vitit 2016, ishte 96,7 %, duke e rritur nivelin e ndërveprimit me autoritetet publike nëpërmjet përdorimit të internetit nga 95,2 %, që ishte në vitin 2015. /Monitor/