Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, do të vizitojë ditën e sotme Shkupin.
Vizita e Kotzias pritet të përqendrohet në ndërtimin e besimit mes dy vendeve, pas tensioneve të cilat vazhdojnë prej vitesh mes dy shteteve për shkak të emrit të Maqedonisë.
Athina zyrtare kërkon që Maqedonia të ndërrojë emrin e saj pasi emri Maqedoni përdoret në një provincë të saj në veri të vendit.
Për shkak të emrit, Greqia ka vendosur disa herë veton për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si dhe për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Për shkak të këtij konflikti, Athina, Brukseli dhe Kombet e Bashkuara i referohen asaj si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Sipas burimeve që citojnë mediat vendase në lidhje me këtë vizitë, mësohet se bisedimet në Shkup të ministrit të Jashtëm grek do të përqendrohen në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, transportit dhe infrastrukturës.